Nga Bujar Leskaj
Sot përkujtojmë 10- vjetorin e ndarjes nga jeta të gjuhëtarit, albanologut, akademikut, nderit të Vlorës dhe të gjithë kombit, krenarisë dhe lavdisë intelektuale të qytetit të Vlorës e jo vetëm, por gjithë trojeve shqiptare, gjuhëtarit, profesorit të shquar, akademikut Shaban Demiraj.
Profesor Shaban Demiraj, i lindur në qytetin e Vlorës në 1 janar 1920 ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë gjatë viteve 1993 – 1997.
Profesor Shaban Demiraj ka një karrierë të jashtëzakonshme 60 vjeçare.
Për 27 vjet drejtoi katedrën e gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë (1962-1989).
Është themelues i një sërë prej lëndëve të albanistikës dhe albanologjisë me ndikim në shkencën e morfologjisë së shqipes, gramatikës historike të shqipes dhe historisë së shqipes së shkruar.
Profesor Shaban Demiraj ka një vend të nderuar në Panteonin e shkencës gjuhësore shqiptare me një kontribut të jashtëzakonshëm, duke u renditur krahas gjuhëtarëve të shquar shqiptarë, si Eqerem Çabej, Mahir Domi, etj; dhe duke lënë një prodhimtari të gjerë akademike, letrare e përkthime. Nga viti 1970 e deri sa ndërroi jetë, iu përkushtua gjuhësisë.
Profesor Shaban Demiraj mban dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” dhe për veprën dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Vlorës”.