Nga Fatmir Guda
Nga sot Dr. Kujtim Qenami nuk do të jetë më mes familjarëve të tij, ne miqve e të afërmve.
Ndarja e papritur nga jeta e një shqiptari të mirë e të mençur, e një leskoviqari e njëkohësisht kolonjari të vlerë, e një mjeku të apasionuar me rol thelbësor e të pazvendësueshëm sidomos deri në ditën e egzistencës së spitalit termal të Sarandaporit, e një intelektuali të spikatur me kontribut të pashlyeshëm në jetën politike të Kolonjës e Leskovikut, me shpirtin dhe kurajon e një demokrati të pakompromis tek parimet që ai besonte, padyshim që përbëjnë një humbje të madhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin e të bashkëpunojnë me të.
Krenaria e gjumëve të lëna në të gjallët e tij e bëri atë të mbetej deri në frymë të fundit një qëndrestar stoik e i papërkulur, duke refuzuar kategorikisht tu lëpihej apo tu bënte lepe-peqe njerzve që kishin në dorë t’ja vlerësonin në mënyrë të denjë atë që në fakt nuk ja dhanë kurrë, pasi siç dihet në këtë vend fjalët, dekoratat dhe ofiqet rëndom janë domen i më rrufjanëve e puthadorëve.
Për Dr. Kujtimin meritohet të thuhen shumë më shumë fjalë vlerësuese, pasi i tillë ka qënë roli i tij në familje e shoqëri e jo ngaqë forca e zakonit e do që në kësi rastesh të shpërthehet hipokrizisht me lëvdata pa mbarim.
Pas çdo takimi me të, recetat nuk ishin vetëm të fushës së mjeksisë. Të falte veç energji pozitive dhe eksperiencë njerëzore të një njeriu që fjala s’i binte kurrë përdhe.
Dielli për doktorin perëndoi përgjithmonë, por emri i tij i mirë dhe gjurmët që la sidomos në shkencën e mjekësisë termale do të mbeten të pashlyeshme.
Ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve.
Zoti u kujdestë për Dr. Kujtim Qenamin dhe e lehtë i qoftë mbi krye lëndina!