Listës i mungojnë Myrto Uzuni, Keidi Bare, madje edhe Ernest Muçi! Silvinjo i befasoi të gjithë me listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e para në Ligën e Kombeve kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë, që do të luhen respektivisht më 7 shtator në transfertë dhe 10 shtator në “Air Albania”, ndërkohë që surprizat vazhdojnë pasi ka mbetur jashtë edhe sulmuesi Armando Broja, i cili po vuan në gjetjen e një skuadre të re. Silvinjo e nisi fjalën e tij me Armando Brojën duke thënë që është jashtë dhe ka thirrur Myrto Uzunin në vend të tij.
Trajneri brazialian i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, është shfaqur sot para mediave lidhur me grumbullimin për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Në konferencën e tij të parë për mediat për këtë cikël të ri, Silvinjo ka folur për objektivat e skuadrës, por edhe ndryshimet që janë bërë në radhët e ekipit me afrime dhe largime lojtarësh.
“Broja nuk është në listë, është jashtë. Ne kemi pritur deri në fund dhe edhe dje ishim në kontakt me Evertonin, stafin, të gjithë ata. Ai kishte një problem me tendinin e Akilit, ka nisur përgatitjen, por ne e dimë që është jashtë 10-15 ditët e ardhshme, nuk mund të na ndihmojë. Më vjen keq për të dhe i uroj një rikuperim të shpejtë, kemi bërë ftesën për Uzunin, që nesër mund të jetë me ne“, theksoi mes të tjerave trajneri.
“Kur flasim për listën e madhe mua më duhet të zgjedh, Muçi është i rëndësishëm, e kemi pasur edhe në Europian. Kemi punuar me stafin dhe zgjedhjen e Asanit, kemi opsionin tjetër kemi Muçollin që është i dëmtuar dhe nuk mund të zgjedh më shume se 24 lojtarë, Muçi është i rëndësishëm dhe do të jetë në vazhdim me ne.”
Në ndryshim nga lista e Europianit, Silvinjo la jashtë këtë herë edhe portierin Etrit Berisha, i cili është në kërkim të një skuadre. Nga ana tjetër, për shkak të problemeve fizike nuk janë grumbulluar as mbrojtësi Arlind Ajeti, i cili luan në Rumani me Kluzhin, por gjithashtu portieri Elhan Kastrati, i cili është pjesë e Çitadelës në Serinë B. Këtë herë nuk është në listë as sulmuesi Mirlind Daku, të cilit i mbetet edhe një ndeshje për të shlyer nga pezullimi që mori nga UEFA, por që nëse grumbullohej, mund të ishte i gatshëm për takimin e kthimit që Shqipëria luan me Gjeorgjinë.
Berisha? Unë e kam thënë gjithmonë që Kombëtarja është e hapur, në këtë moment futbollisti nuk ka klub. Është moment i veçantë se ata vijnë edhe nga pushimet. Ka 30-35 ditë pushime, shumë kanë bërë fazën përgatitore dhe vijnë. Por lojtari që nuk ka klub humb shumë se nuk stërvitet. Por ekipi është i hapur, ne punojmë me gjithë stafin për t’u përmirësuar gjithmonë në çdo aspekt, por në këtë moment jo.
Një pjesë e rëndësishme e punës, në momentin që kemi 3 milionë këtu dhe 9 milionë jashtë, pjesë e punës është të ndjekim lojtarë që janë në Zvicër, Itali, Gjermani. Kjo është një punë e vështirë, jo sekrete, por e vështirë që duhet të bëjmë me profesionalizëm, se flasim me një lojtar që ka nënshtetësi të dyfishtë. Bëhen gjerat me qetësi, profesionalizëm, kur na intereson lojtari, flitet me qetësi. Kjo është punë që bëhet, nuk mund të them nëse është bërë gjë apo jo, nëse po flasim. Janë shumë lojtarë, nuk mund të them me saktësi si po veprojmë, është një punë shumë e bukur, një ditë mund të flasim për gjëra të tilla”, tha Silvinjo lidhur me ndryshimet e detyruara.
Në mbyllje të konferencës për mediat, trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo falenderoi dy futbollistët që i dhanë lamtumirën Kuqezinjve para dhe pas pas Euro 2024, Sokol Cikalleshi dhe Klaus Gjasula.
“Kam një vit e gjysmë këtu, flasim për dy lojtarë që kanë bërë historinë për Shqipërinë. E di që kanë bërë mesazhe në Instagram, kam qenë trajner i të dyve dhe dua të falënderoj Cikalleshin dhe Gjasulën. Edhe në emër të Federatës, të tregoj mirënjohjen për Sokolin dhe Klausin, dy lojarë që kanë dhënë një kontribut të madh në fushë me fanellën kuqezi, gjithmonë me përkushtim, të palodhur në çdo ndeshje. Dua t’i falënderoj për punën dhe zemrën që kanë treguar të dy në mënyrë perfekte për ne”, deklaroi Silvinjo.