BallinaKultureDr.Gëzim Alpion pranohet nga Akademia e Shkencave si anëtar të jashtëm, është...

Dr.Gëzim Alpion pranohet nga Akademia e Shkencave si anëtar të jashtëm, është biografi më i besueshëm për Nënë Terezën

spot_img
spot_img

Eshtë zhvilluar të merkurën në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë ceremonia e dorëzimit të diplomave për dy anëtarët e jashtëm të Akademisë, dr. Gëzim Alpion e dr. Lulzim Tafa
Akad. Shaban Sinani: Gëzim Alpion është autor i shtatë veprave monografike; i njohur si biografi më i besueshëm për Nënë Terezën, vepër e përkthyer dhe botuar mbi 15 herë; autor i 17 artikujve shkencorë dhe kritikë e i disa librave artistikë. Vepra të tij janë të recensionuara në më shumë se 100 raste. Alpion është profesor në Universitetin e Birmingham-it

Gëzim Alpion: “Nënë Tereza nuk është një rastësi. Personalitete të kalibrit të saj duhen studiuar në kontekstin e rrethanave personale dhe sfondin etnik, nacional, fetar dhe kulturor me efekt brumues në jetën dhe aktivitetin e tyre. Në rastin e Nënë Terezës, këta rrethana dhe efekti i tyre akoma nuk janë zbërthyer si dhe sa duhet nga studiues të huaj dhe shqiptar. Kjo është si pasojë e mos distancimit, aq i domosdoshëm në angazhimin me figura të tilla komplekse dhe tutjen e pajustifikueshme për të dekonstruktuar dhe çmitizuar personalitetin e saj kompleks”.

Më 4 shtator 2024, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave u zhvilluar ceremonia e dorëzimit të diplomave dy anëtarëve të jashtëm të Akademisë, dr. Gëzim Alpion e dr. Lulzim Tafa.

Në ceremoninë e organizuar nga Akademia e Shkencave për dorëzimin e diplomave të pranimit si anëtarë të jashtëm të saj dr. Gëzim Alpion dhe dr. Lulzim Tafa ishin të pranishëm Kryetari akad. Skënder Gjinushi, anëtarë të Kryesisë, akademikë e studiues, diplomatë, ministra e deputetë të mëparshëm.

I pranishëm imzot Frendo, arkipeshkv i Tiranës e Durrësit; përfaqësues të qeverisjes vendore të Dibrës, studiues e miq nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Veprimtarinë e hapi akad. Shaban Sinani, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave. Ai tha se në mbledhjen e datës 22 prill 2024, me vendimin nr. 43, Asambleja e ASHSH pranoi në radhët e anëtarëve të jashtëm të saj disa personalitete të dijes dhe letrave shqipe, dy prej të cilëve kemi nderin dhe kënaqësinë të jenë të pranishëm në këtë sallë.

Në fjalën e tij akad. Sinani theksoi se Gëzim Alpion është autor i shtatë veprave monografike; i njohur si biografi më i besueshëm për Nënë Terezën, vepër e përkthyer dhe botuar mbi 15 herë; autor i 17 artikujve shkencorë dhe kritikë e i disa librave artistikë. Vepra të tij janë të recensionuara në më shumë se 100 raste. Alpion është profesor në Universitetin e Birmingham-it

Dr. Lulzim Tafa njihet për veprimtarinë e tij botuese të pandërprerë prej më shumë se tri dekadash, me njé profil intelektual të spikatur në fushën e kërkimit shkencor; doktor i shkencave në drejtësi, i njohur dhe për veprimtarinë universitare dhe pjesëmarrjen qytetare. Lulzim Tafa është anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe i Akademisë së Shkencave të Bosnjës.

Duke i uruar dy anëtarët e rinj për suksesin e tyre, akad. Sinani shprehu kënaqësinë për zgjerimin e radhëve të Akademisë me personalitete të këtij niveli dhe ftoi Kryetarin e ASHSH akad. Skënder Gjinushin për dorëzimin e diplomave. Tafa ka fituar çmime europiane në krijimtari (“Neruda”, “Eminescu”) dhe mirënjohjen e Presidentit të Francës “Ordre des artes e de literature”.

Akad. Gjinushi përshëndeti të pranishmit dhe ftoi profesorët Gëzim Alpion dhe Lulzim Tafa për t’u dorëzuar diplomat si anëtarë të jashtëm.

Anëtarët e rinj falënderuan Asamblenë e Akademisë së Shkencave për pranimin me votim si anëtarë të jashtëm dhe shprehën vlerësime për veprimtarinë e kësaj akademie.

Më pas, prof. Gëzim Alpion paraqiti leksionin e hapur me temë “Shenjtorja Nënë Tereza – ikonë globale e kombit shqiptar”.

Në ligjeratën e mbajtur në Akademinë e Shkencave dr. Gëzim Alpion analizoi marrëdhëniet e Nënë Terezës me vendlindjen dhe rëndësinë e kësaj ikone globale për shqiptarët.

Ai vuri theksin në veçantinë e rrethanave që përjetoi Gonxhe Anjezë Bojaxhiu dhe efektin e tyre në përcaktimin e qëndrimit të saj ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar.

Alpion theksoi se vullneti i saj i fuqishëm njerëzor ndihmoi në ndryshimin e të kuptuarit nga bota perëndimore të varfërisë në “botën e tretë”, transformoi konceptin e bamirësisë dhe ndihmoi formësimin e një këndvështrimi të ri të institucioneve fetare në shekullin e 20-të si organizata të punës sociale.

Autori eksploroi jetën dhe veprën e saj nën dritën e informacionit të zbuluar rishtas për familjen e saj, traditën shpirtërore shqiptare përpara dhe pas hyrjes së krishterimit si dhe ndikimin e Vatikanit dhe fuqive të tjera mbi popullin e saj qysh nga mesjeta e hershme.

Duke u përqendruar në traumat e saj, vuajtjet dhe arritjet si individ, por edhe si misionare, si dhe në spiritualitetin e saj kompleks, Alpioni argumenton se jeta e Nënës Terezë dhe historia e kombit të saj, veçanërisht marrëdhënia e popullit të saj me katolicizmin, janë të ndërlidhura. Kjo ikonë bashkëkohore shpirtërore dhe humanitare u bë mishërimi i trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të kombit të saj.

Në pjesën e dytë të ligjëratës Alpion shtjelloi konceptet “hero” dhe “kapital” nga disa këndvështrime, duke u përqendruar kryesisht në veprat e Thomas Carlyle, Samuel Smiles, Daniel J. Boorstin dhe Pierre Bourdieu. Kjo ështe hera e parë që shtjellohet para një audience koncepti i ri “kapitalit të famës”, të cilin ai po e thellon në një studim në proces, me figurën e Nënë Terezës. Alpion argumenton se teoria e kapitalit, dhe format e tij – ekonomik, social, simbolik, kulturor – ndihmojnë, por nuk mjafton për të matur “vlerën” e shtuar që Nënë Tereza solli në kulturën dhe influencën e njerëzve të famshëm. Sipas Alpion, ajo që e bën Nënë Terezën figurë emblematike të “kapitalit të famës” janë përkushtimi fetar, bamirësia pa kushte dhe bindja në shenjtërinë e dinjitetit njerëzor që, së bashku, e shndërruan atë në mishëruese të vlerave më pozitive të njerëzimit.

Alpion përfundon se Nënë Tereza nuk është një rastësi. Sipas tij, personalitete të kalibrit të saj duhen studiuar në kontekstin e rrethanave personale dhe sfondin etnik, nacional, fetar, dhe kulturor me efekt brumues në jetën dhe aktivitetin e tyre. Në rastin e Nënë Terezës, këta rrethana dhe efekti i tyre akoma nuk janë zbërthyer si dhe sa duhet nga studiues të huaj dhe shqiptar. Kjo është si pasojë e mos distancimit, aq i domosdoshëm në angazhimin me figura të tilla komplekse, dhe tutjen e pajustifikueshme për të dekonstruktuar dhe çmitizuar personalitetin e saj kompleks.

Propozuar për pranimin si anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave nga Kryesia.

– Profil i shkurtër

Dy anëtarë të Asamblesë, akademikët Arben Merkoçi e Adem Bunguri, njohës të veprimtarisë së tij shkencore e universitare, janë rekomandues për kandidimin; përveç letrës së referencës nga imzot George Frendo, arkipeshkv i mëparshëm i Durrësit dhe Tiranës; si dhe vlerësimit zyrtar me shkrim nga profesor Nicola Gale, drejtor i Shkollës së Politikës dhe Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit dhe Stephen Nash, ambasador, kryetar i shoqatës Angli-Shqipëri.

Gëzim Alpion ka mbrojtur doktoratën në filozofi, është profesor në Universitetin e Birminghamit; profesor i ftuar në disa universitete të Botës; autor i shtatë veprave monografike si autor i vetëm dhe i disa të tjerave si bashkautor; i njohur si biografi më i besueshëm për Nënë Terezën, vepër e përkthyer dhe botuar mbi 15 herë; autor i 17 artikujve shkencorë dhe kritikë të pranuar me konkurrim (peer review); shkruar libra artistikë dhe disa dhjetëra artikuj në shtyp e media. Veprat e tij janë të recensionuara në më shumë se 100 raste. Mban tituj nderi e merite, mirënjohje dhe dekorata nga shteti shqiptar dhe nga vende të tjera.Marre nga Rruga e Arberit

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular