BallinaKryesoreA është leja e lindjes një “vrasës karriere”? Pabarazia gjinore prej prindërimit

A është leja e lindjes një “vrasës karriere”? Pabarazia gjinore prej prindërimit

spot_img
spot_img

Rikthim nga leja e lindjes si kërkesë e nënkuptuar për ruajtjen e vendit të punës, zgjedhje vendesh pune me fleksibilitet, por jo pagesa të mira, apo edhe largimi nga tregu i punës; këto janë disa nga vendimet që gratë bëjnë pasi bëhen nëna. A është prindërimi një ‘vrasës karriere’ për gratë dhe jo burrat në Shqipëri?

A funksionon ekonomia e një vendi nën potencialin e mundshëm për rritje, për shkak edhe të nënpërfaqësimit të grave në ekonomi?

Gratë në Shqipëri përballen me shumë sfida, në fuqinë punëtore, rreth 17% e grave janë joaktive në tregun e punës për shkak të nevojës për të përmbushur detyrat shtëpiake dhe për gratë e mbetura që janë aktive, shkalla e papunësisë është rreth 11.7%.

Sfida më e madhe që përballen është mundësia e vazhdimit të karrierës, aty ku e lanë, të barabartë me burrat, pas lejes së lindjes.

“Çfarë do të ndodhë kur të marr lejen e lindjes? A do të jetë ende vendi im i punës kur të kthehem? A do të ndikojë ky vendim në karrierën time?”

Nuk ka grua në karrierë që nuk i ka bërë këto pyetje në momentin që do shkëputet për lejen e lindjes. Ligji shqiptar parashikon 365 ditë të paguara, gjë që në teori shihet si një ‘parajsë’. Sidomos e vendosur në hartën globale, ku SHBA kanë vetëm 3 javë të paguara.

Por praktika tregon se realiteti është më ndryshe dhe se rikthimi në punë, ka edhe kosto të tjera të fshehura. Kërkesa për orë të shkurtuara, leje për fëmijët kur sëmuren, mungesa e mundësisë për asnjë angazhim të zgjatur, të gjitha këto shoqërojnë një mama në karrierë, por asnjëherë një baba.

Analiza e të dhënave që lidhen me politikat e miqësisë për familjen në një studim të vitit 2023 nga IDRA Research & Consulting dhe UNFPA, tregoi se koha që gratë dhe burrat shpenzojnë në aktivitete të paguara dhe të papaguara në një ditë të zakonshme ka dallime të rëndësishme.

Këto diferenca nxjerrin në pah faktin se aktivitetet e përkujdesjes dhe ato shtëpiake në një familje janë kryesisht përgjegjësi e gruas. Këto përfundime nxjerrin në pah se kultura ndikon në perceptimin se punë të tilla janë përgjegjësi e grave.

Situata bëhet më e paekuilibruar në momentin kur gruaja bëhet nënë. Gratë shpenzojnë rreth tre orë në punë të papaguara, kur ato janë pa fëmijë dhe, në momentin kur bëhen nëna, koha arrin në tetë orë.

Përveç ndryshimeve, përmirësimeve të ligjeve, Kodit të Punës, thelbësore duket të jetë shkundja me themel e stereotipave dhe mendësive që i vendosin gruas mbi shpatulla gjithë barrën e prindërimit.

Ndryshimet e fundit të Kodit të Punës prezantuan në legjislacionin kombëtar konceptin e lejes prindërore, një leje e papaguar, të cilën prindërit mund ta marrin për një kohëzgjatje jo më pak se katër muaj.

Legjislacioni i rishikuar reflekton se ka disa përmirësime në lidhje me lejen e lindjes për babain, por ende nevojitet një rregullim më i detajuar i kësaj lejeje, që duhet të jetë në të njëjtën linjë me Direktivën e BE-së për promovimin e ekuilibrit punë-jetë.

Për më tepër, kjo direktivë ka për qëllim jo vetëm të përmirësojë aksesin ndaj lejeve dhe marrëveshjeve për kushte fleksibël pune, por edhe të rrisë angazhimin e burrave në lejet e lidhura me familjen dhe kushtet fleksibël për punë.

Çdokush që i druhet faktit se marrja e lejes së lindjes mund të ndikojë në vendin e saj/tij të punës, duhet të dijë se kjo është një e drejtë ligjore. Ekzistojnë dy dispozita të veçanta që rregullojnë lejen e babait:

Neni 96, paragrafi 3 i Kodit të Punës dhe Neni 27, paragrafi, 7 i Ligjit për Sigurimet Shoqërore. Babai mund të përfitojë lejen e lindjes, 3 ditë të paguara gjatë lindjes së fëmijës dhe momenti tjetër është pas ditës së 63-të të lindjes së fëmijës.

Pas përfundimit të lejes së lindjes, si nëna ashtu dhe babai kanë të drejtë të kthehen në të njëjtin pozicion pune ose në një pozicion të barasvlefshëm me pozicionin e mëparshëm në kushte jo më pak të favorshme për ta. Sa ndodh në praktikë kjo? Rastet numërohen me gishtat e njërës dorë.

Sipas anketës së forcave të punës të INSTAT, gratë kanë më pak gjasa të marrin pjesë në tregun e punës. Për sa i përket popullsisë 15-64 vjeç, pjesëmarrja e grave në forcat e punës ka një rritje në vitin 2022, me 66,7% nga 61,4% që ishte në vitin 2021.

Sipas arsyeve të inaktivitetit, gratë mbeten jashtë forcës së punës kryesisht pasi janë nxënës, studentë, në trajnim të mëtejshëm, përvojë pune pa pagesë (18,3%) ose duke përmbushur detyrat shtëpiake (16,9%).

Vetëm 0,8% e burrave kanë si arsye të inaktivitetit përmbushjen e detyrave shtëpiake dhe 25,0% e tyre janë studentë ose nxënës.

Nëse do flasim për realitetin në vendin tonë, mëmësia shpeshherë është frenuese për zhvillimin në aspektin profesional – shprehet sociologia Marsida Simo.

“Duke marrë në konsideratë moshën mesatare kur gratë bëhen nëna, përkon me hapat e parë në karrierë. Këtu nisin vështirësitë e para që lidhen me shkëputjen nga tregu i punës dhe fokusimi te fëmija.

Kjo nuk është negative, por proces i jetës që gruas i duhet ta kalojë. Megjithatë duhet kuptuar sa ndihmuese dhe lehtësuese janë politikat brenda punës, si realizohet respektimi i kontratës së punës dhe fleksibiliteti i kësaj gruaje në profesionin e saj.

Në tërësi, gratë e kanë të vështirë rikthimin pas lindjes pasi oraret janë të zgjatura, ngarkesa e tyre emocionale është e shtuar, duke mos harruar dhe përgjegjësitë brenda shtëpisë që më së shumti i ngarkohen asaj.

Po të shohim dhe të dhënat e preferencave të punësimit gratë kërkojnë më shumë një punë në sektorin publik, pasi aty kontrata e punës zbatohet me përpikëri” -thotë znj. Simo.

Sipas saj, gratë të cilat janë në karrierë janë jo pak herë të paragjykuara me idenë se nuk kanë përparësi familjen. “Kjo është një tjetër arsye joreale, por ndikuese, e cila mund t’i frenojë ato të bëjnë hapa më tej në zhvillimin profesional”, – shton sociologia.

Eksperti i karrierës Erion Muça thotë se, kompanitë në Shqipëri kanë tendencën t’u kërkojnë një rikthim më të shpejtë grave nga leja e lindjes, se sa e parashikon ligji, herë-herë duke e lënë të nënkuptuar dhe herë-herë si kërkesë të drejtpërdrejtë edhe si kusht për ruajtjen e vendit të punës.

“Leja e lindjes është pengesë për gratë, pasi i rrit përgjegjësitë e tyre edhe në drejtim të familjes dhe fëmijës, duke i bërë të ulin rendimentin e të punuarit dhe të zgjedhin punë me orare fleksibël që të kenë më shumë kohë në dispozicion për fëmijën.

Kjo zgjedhje shpeshherë i privon gratë nga shumë punë të mira, por edhe nga paga shumë më të larta. Prandaj, një pjesë e tyre janë në kërkim të punëve me pak orë dhe këto punë, jo rrjedhimisht, i çojnë në një karrierë të suksesshme, por thjesht mbajnë mjaftueshëm në sigurimin e një page”, – thotë z. Muça.

Sipas ekspertit, në Kodin e Punës qeveritë duhet të parashikojnë lehtësi për punonjëset shtatzëna dhe më shumë siguri për to për ruajtjen e vendit të punës dhe rikthimin në të pas lejes së lindjes.

Po ashtu, një inspektim më rigoroz nga Inspektorati i Punës mbi platformat, manualet dhe mënyrat e trajtimit të grave shtatzëna brenda sipërmarrjeve dhe sa po zbatohen lehtësitë dhe detyrimet për to nga sipërmarrjet.

Ligji në Shqipëri

Në vendin tonë, leja e lindjes është 365 ditë kalendarike, ku përfshihet periudha minimale prej 35 ditësh të lejeve të zakonshme para dhe 63 pas lindjes së fëmijëve.

Kur gruaja shtatzënë ka në shtatzëni më shumë se një fëmijë, periudha e parë bëhet 60 ditë duke u bërë leja e lindjes 390 ditë në total. Pas periudhës 63-ditore pas lindjes, gruaja vendos nëse do të kthehet në punë apo të jetë nga sigurimet sociale.

Në rastin kur gruaja shtatzënë të rikthehet në vendin e punës pas periudhës 63-ditore të paslindjes, ajo mund të zgjedhë ndërmjet dy opsioneve përpara se fëmija të mbushë 1 vjec:

a. leje të paguar nga dy orë, gjatë orarit normal të punës; b. kohëzgjatje të reduktuar të punës, prej dy orësh, por e paguar si kohë e plotë.

Kushtet për të përfituar me lejen e lindjes janë dy: para fillimit të lejes së paralindjes, gruaja duhet të ketë punuar në sektorin e shtetit, privat ose e vetëpunësuar në bujqësi, në vend, 12 muaj kalendarik me ose pa ndërprerje në një ose disa qendra pune.

Gjatë shtatzënisë të ketë punuar në një javë. Pas mbarimit të lejes së parë të lindjes, për të përfituar lejen e dytë të lindjes duhet të kesh përsëri 12 muaj punë të sigurt.

Ditët e lejes së paralindjes dhe 150 ditë pas lindjes paguhen me 80 për qind të pagës së mesme të vitit të kaluar, ndërsa nga dita 151 deri në fund të lejes së lindjes me 50 për qind të pagës bruto mbi të cilat janë paguar kontributet e sigurimit shoqërore vitin e kaluar.

Pabarazia gjinore prej prindërimit

Ky term u përhap nga një ekonomiste në Harvard, e quajtur Claudia Goldin. Dhe ajo ka bërë shumë studime vërtet interesante, ku ndjek disa grupe burrash dhe grash që diplomohen nga shkolla elitare biznesi, të themi, ose që fillojnë të punojnë në studio ligjore elitare.

Pra, këta janë burra dhe gra që fitojnë shumë, kanë potencial të lartë dhe që fitojnë shuma të ngjashme. Dhe ajo ndjek trajektoren e saktë që në momentin që ata kanë fëmijë, të bëhesh baba nuk ka asnjë ndikim në pagën e një burri.

Por të bëhesh nënë, me të vërtetë ka ndikim në pagën e një gruaje. Dhe përfundimi i saj është se shumë nga këto punë kërkojnë shumë angazhim. Kështu që ata kërkojnë një pjesë të madhe të kohës suaj.

Në thelb, ata duan t’ju kenë në telefon gjatë gjithë kohës. Dhe në një çift, që të dy të kenë punë shumë impenjative, thjesht nuk përputhet me të pasurit e një fëmije dhe të gjitha llojet e gjërave që kjo përfshin.

Fëmijët shpesh sëmuren papritmas. Ndonjëherë duhet të shkosh t’i marrësh nga shkolla herët. E dini, ka të gjitha llojet e gjërave ku në fakt ju duhet të jeni në gjendje të vendosni familjen tuaj të parën.

Dhe këto punë thjesht nuk e lejojnë atë hapësirë. Dhe kështu ajo që ndodh është se nëse jeni në një çift ku keni qenë të dy në një nga ato punët impenjative dhe një person duhet të bëjë një hap larg dhe të bëjë një punë që është më pak ambicioze dhe të tilla punë, thjesht nuk paguajnë të njëjtën sasi parash.

Ju shihni më shumë gra që punojnë me kohë të pjesshme, pjesërisht sepse nuk mund të përballojnë të jenë në stres të vazhdueshëm ose çfarëdo tjetër.

Të ardhurat pas mëmësisë

Në një studim të Byrosë Kombëtare e Kërkimeve Ekonomike, tre ekonomistë përdorën një sasi të madhe të dhënash administrative qeveritare për të parë se çfarë ndodhi me të ardhurat e 470,000 grave daneze që lindën për herë të parë midis 1985 dhe 2003. Rezultatet ishin drastike.

Para se të bëheshin prindër, studiuesit zbuluan se pagat e burrave dhe grave u rritën me një ritëm të ngjashëm. Pas lindjes së fëmijëve, rrugët e tyre të karrierës ndahen.

Baballarët kryesisht vazhduan sikur asgjë të mos kishte ndryshuar.

Te nënat panë se të ardhurat e tyre ranë me 30% mesatarisht, krahasuar me atë që hipotetikisht do të kishin fituar pa fëmijë. Ato fitonin paga më të ulëta dhe pranonin punë me më pak orë, nëse punonin.

Gjetjet e tjera treguan se karriera e tyre nuk u rimëkëmb kurrë plotësisht. Pas 10 vitesh, paga e grave ishte një e pesta më e ulët se përpara se të kishin fëmijë. Raporti u publikua në vitin 2020./Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular