Ndryshimet, Urdhri i Mjekëve kundër qeverisë: Do e çojmë në Kushtetuese!

0
117

Mes debatesh te forta mes deputetëve, është shqyrtuar akti normative “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë” në Komisionin e Punës, Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale.

Te pranishëm ne këtë komision kane qene edhe përfaqësues të Urdhrit të Mjekut. Vlen te kujtojme se ndryshimet ne urdhrin e mjekeve vijne pas skandalit te Spitali Onkologjik, ku disa mjeke ishin perfshire ne afera korruptive ne kurriz te te semureve me kancer. Marrja e Komisioneve Disiplinore në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë ka sjellë edhe pakënaqësi nga Urdhri i Mjekut. Kryetari Fatmir Brahimaj, theksoi se nuk ishin lajmëruar për këto ndryshime dhe nuk u bënë palë diskutimi. Gjithashtu, theksoi se nismën do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, pasi cenohej pavarësia e Urdhrit. Përkrah Urdhrit të Mjekut doli deputeti socialist Niko Kuri.

“Jam i zhgënjyer që nuk është pyetur Urdhri i Mjekut. Ju do e dërgoni në Kushtetuese, unë do ju mbështes. Të mos fshihemi pas gishtit, si me Onkologjikun. Preket pavarësia e Urdhrit të Mjekut”,-u shpreh deputeti socialist. Sakaq, i ashpër ka qenë dhe deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu në lidhje me ndryshimet e propozuara në ligjin për Urdhrin e Mjekut, duke e quajtur ndërhyrje të paligjshme dhe antikushtetuese të qeverisë.

“Merret guximi të goditet një institucion si Urdhri i Mjekut. Shteti po fut duart si hajdut, sepse ka frikë nga institucionet e pavarura. Po godasin edhe këtë. Pse? Sepse e ndjejnë se janë të pavarur, profesionistë dhe i kanë frikë”,-tha Shehu. Ai kujtoi ndaj kolegëve se askush nuk i ndalon më në revanshin e tyre ndaj institucioneve dhe e cilësoi Aktin Normativ si ekstrem. Teksa i bëri thirrje mjekëve që të ngriheshin. “Këtu ka mbaruar gjithçka. Nuk rregullohet më! I bëj thirrjeve kolegëve mjekë që të ngrihen siç u ngritën studentët. Kjo është e paligjshme, antikushtetuese”, tha deputeti demokrat. Ligjvënësi i opozitës e cilësoi si një shkelje ndërhyrjen te ligji i urdhrit të mjekut, duke shtuar se ai është i pavarur. “Keni frikën të dilni hapur. Bëni ligje të tjera. Është antikushtetuese. Akti normativ është antikushtetues dhe i paligjshëm. Aktet normative janë të përkohshëm, kurse ky është i përhershëm. Shkelje të rënda kushtetuese dhe e papranueshme”, tha Shehu. Gjithashtu, kujtoi se orari i kufizuar ndaj mjekëve, gjithashtu, është shkelje dhe selektiv, pasi duhet të vendosej edhe për shërbime të tjera në shtet si mekanikët, që t’u kufizohet orari i punës shtetprivat. ”E keni bërë si në kohën e Enver Hoxhës, shtetëzoni edhe qymezet. Po shkatërroni sistemin publik dhe kjo do largojë mjekët, do të shtojë korrupsionin. Këtë s’e kanë bërë as Italia dhe as Franca”,- tha deputeti.

Kurse nënkryetarja e komisionit, Klodiana Spahiu theksoi se nuk ka ndryshime thelbësore në këtë akt normativ që prekin urdhrin e mjekut. ”Ndryshon vetëm struktura dhe kriteret e komisionit disiplinor, madje dhe këtë vetë Urdhri do e hartojë. Nuk ka ndryshim të buxhetit apo pikave të tjera. Bëhet fjalë vetëm për një komision masash”,-tha ajo.

Teksa pyeti më tej edhe për rastet kur Urdhri ka ndërhyrë pas ankesave apo çështjeve si ajo e skandalit të Onkologjikut. Kreu i Urdhrit të Mjekëve, Fatmir Brahimaj, u shpreh: “Ajo ishte çështje kriminale dhe jo shkelje e etikës. Nuk mund të ndërhyhej nga ne. Sigurisht ka dhe çështje etike, por në këtë rast ishte vepër penale, aq sa edhe Prokuroria e Tiranës nuk e mori përsipër, por e kaloi te SPAK-u. Ne trajtojmë shkelje të lehta etike. Në veprat penale presim vendimin e Gjykatës, ne nuk marrim vendime penale apo t’i trajtojmë”. Por Spahiu i kujtoi disa pika të ligjit dhe nenet e Urdhrit të Mjekut, ku një prej tyre, pika 17, ishte edhe heqja e licencës së mjekut për rastet me shkelje të rënda. Por Brahimaj tha se Urdhri është për rastet etike të lehta, pasi të tjerat duhet pritur vendimi i Gjykatës. Pra, urdhri merrte masa disiplinore si vërejtjet apo pezullimet. Sipas aktit normativ nr. 2 datë 1.8.2024, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.123/2014, “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë” që qeveria ka sjellë në Kuvend, i kufizojnë mjekët, duke mos i lejuar të punojnë edhe në shtet edhe në privat paralelisht. Mjekët pengohen të mos punojnë në spitalet apo klinikat private më shumë se 50 orë në muaj, ndërsa ligji i ri përcakton gjoba për ta, në rast shkeljesh dhe abuzimesh./Gazeta Panorama