Ilmari Niskanen, 26 vjeç, është bërë një emër i njohur për tifozët e futbollit pasi vizitoi “Wembley”-n mbrëmë me përfaqësuesen e Finlandës. Ndërsa është i vetmi futbollist finlandez që aktualisht luan në Angli si mbrojtës krahu për Ekseter Sitin në Ligën e Parë, historia e tij është më shumë se vetëm një karrierë sportive.
Në moshën 18-vjeçare, pak përpara kryerjes së shërbimit ushtarak, Niskanen përjetoi një krizë shëndetësore kur skaneri zbuloi një tumor në tru. Pavarësisht tronditjes së madhe që e goditi atë dhe të afërmit e tij, Niskanen ruajti një qëndrim të qetë dhe të vendosur. Ai i përballoi sfidat e rikuperimit me një shpirt të fortë dhe besim të pakëputur në mjekët e tij.
Në një intervistë për “The Times”, Niskanen shprehu: “Sigurisht, ishte një tronditje e madhe, por unë isha ende i qetë. Ishte e vështirë, veçanërisht për familjen dhe miqtë e mi, por për disa arsye në fakt isha pa stres. Gjatë gjithë procesit, unë i besova mjekut. Ndihesha sikur mezi prisja me padurim operacionin, për të hequr qafe tumorin. Më kujtohet edhe një natë para operacionit, po ndihesha shumë mirë dhe isha i lumtur që mund ta kaloja atë tani dhe të hiqja tumorin dhe të jetoja normalisht.”
Pas operacionit dhe rikuperimit, Niskanen vazhdoi karrierën e tij futbollistike duke u huazuar tek Ingolshtadi në Gjermani. Megjithatë, humbja e vendit të titullarit i bëri të humbasë mundësinë për të përfaqësuar Finlandën në “Euro 2020”. Megjithatë, ai vazhdoi të zhvillonte karrierën e tij në Britani, fillimisht me Dandi Junajtid dhe më pas me Ekseter Sitin vitin e kaluar.
Historia e Niskanen është një dëshmi e forcës dhe qëndrueshmërisë, dhe e bën atë një shembull të jashtëzakonshëm për të gjithë ata që përballen me sfida të mëdha në jetën e tyre.