Më 16 shtator 1942 u mblodh në Pezë Konferenca e Pezës, që përbën një ngjarje mjaft të rëndësishme dhe të madhe historike për popullin shqiptar.
Komunistët ishin në minorancë
Ka pasaktësi dhe pretendime të ndryshme të pjesëmarrësve pasi organizimi i konferencës u zhvillua në fahehtësi, nën tyrën e fashistëve italianë. Dokumentet dhe fjalimet pas konferencës u dogjën nga fashistët dhe më vonë u manipuluan lehtësisht nga komunistët për interesin e pushtetit të tyre.
Sapo u mor vesh organizmi i Konferencës së Pezës, fashistët italianë dhe bashkëpunëtorët e tyre
vërshuan në Pezë si të tërbuar. Vodhën ç’mundën nga dy shtëpitë ku u mbajt konferenca dhe ku u strehuan pjesëmarrësit: shtëpinë e vëllezërve Myslim dhe Shyqyri Peza dhe shtëpinë e vëllezërve Hasan dhe Abduraman Peza, ngjitur me të. Pasuria e tyre, zbukurime prej ari dhe argjendi, enë dhe armë të ndryshme me vlera muzeale, para dhe sende të tjera shtëpiake dhe të gjitha bagëtitë u vodhën. Më pas shtëpitë dogjën.
Protagonistë kryesorë të këtij kuvendi sipas dëshmive të ruajtura ishin 17 delegatë, përfaqësues të krahinave dhe besimeve të ndryshme fetare, klasave dhe shtresave me bindje politike nga më të ndryshmet. Pjesëmarrësit vinin nga rryma të ndryshme politike. Ndërmjet tyre ishin nacianoalistë dhe zogistë si: Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni dhe Skënder Muço. Nga PKSH-ja morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini.
Që të gjithë i miratuan vendimet e Konferencës. Ndërsa Kamber Qafmolla nuk mori pjesë në konferencë. Në këshillin drejtues u zgjodhën 7 persona: 1. Enver Hoxha, 2. Ymer Dishnica, 3. Mustafa Gjinishi, të tre komunistë, 4. Myslim Peza, 5. Abaz Kupi, 6. Ndoc Çoba e 7. Kamber Qafmolla, që të katër nacionalistë, patriotë pa parti.
Konferenca mori disa vendime të rëndësishme:
1- Krijimin e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, ku do të bënin pjesë antifashistë pa dallim feje, krahine dhe ideje.
2- Mobilizimin e popullit në luftë kundër pushtuesve fashistë.
3- Ngritjen e Këshillave Nacionalçlirimtarë në të gjithë vendin.
4- Rreshtimin e Shqipërisë përkrah koalicionit antifashist anglo-sovjeto-amerikan.
5- Krijimin e një Shqipërie të lirë, të pavarur e demokratike pas lufte.
Sa për çështjen e rikthimit të mbretit Zog, u vendos që vendimi të merrej pas lufte, nga vetë populli shqiptar. Lidhur me çështjen e Kosovës, u arrit në përfundimin që ajo të zgjidhej pas luftës, duke u mbështetur në të drejtën e vetëvendosjes.
Fati i pjesëmarrësve të Konferencës
Fati i pjesëmarrësve të Konferencës së Pezës është çështje me shumë rëndësi historike, pasi ka mbetur e errët nga propaganda komuniste.
Krerët komunistë që ishin në minorancë dhe pas përfundimit të saj nisën luftën më të ashpër ndaj kundërshtarëve të tyre politikë sesa kundër fashizmit.
Kur komunistët shqiptarë sipas dëshmive të kohës forcuan pozitat e tyre dhe morën frenat e LANÇ, ata i harruan premtimet dhe vendimet e Konferencë së Pezës dhe ndaj pjesëmarrësve në konferencë u sollën si barbare dhe mjaft harbutë. Qysh gjatë luftës për çlirimin e Tiranës një kompani partizane mori si detyrë të asgjësonte sa më shumë njerëz me bindje demokrate, ndër ta edhe disa pjesëmarrës të Konferencë së Pezës si Ismail Petrelën dhe Azis Çamin. Në këtë kohë i biri i Ismail Petrelës, Xhevdet Petrela, ishte komisar batalioni në Çetën e Pezës, me gjithë këtë ai nuk u kursye dhe u vra pabesisht bashkë me 33 intelektualë të tjerë të Tiranës. Fat të zi pati edhe Abaz Kupi, udhëheqësi i organizatës së Legalitetit i cili sapo mbaroi lufta u shpall armik dhe u vunë pas forca të mëdha për ta arrestuar si armik i popullit. Falë miqësisë familjare, që kishte me Myslim Pezën, që e ndihmoi të arratisej në Itali, ai mundi të mbijetojë. Mustafa Gjinishi, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar dhe ish-komisar i Çetës së Pezës, u vra në pabesi në rrethinat e Peshkopisë në gusht 1944 nga përfaqësuesit e Komitetit Qendror të PKSh. Nëpër burgje përfunduan edhe Ndoc Çoba, Koço Tashko, Ramazan Jerani, Halim Bregeja, Fetah Butka etj.