Bujar Leskaj: Rrugëtimin e pate të shkurtër, por të pastër e të papërlyer, fisniku Gert !

0
104

Nga Bujar Leskaj
Rrugëtimin e pate të shkurtër, por të pastër e të papërlyer, fisniku Gert !
Një ikje e parakohshme dhe e papritur, që na ka tronditur të gjithëve.

Gerti Bogdani, ka lindur dhe është rritur në Tiranë nga dy familje autoktone tiranase. Përfundoi me “Medalje Ari” shkollën e mesme “Harry Fultz” dhe vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të Nju Jorkut në ShBA, ku u diplomua me “Nderimet më të Larta” (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Award – “Medalje Ari” në degën e Shkencave Kompjuterike. Pas rikthimit në Shqipëri, e nisi karrierën e tij profesionale në fushën akademike si Pedagog në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë.

Angazhohet në Këshillin Rinor Shqiptar në një sërë aktivitetesh si edhe për krijimin e Rrjetit të Qeverive të Nxënësve – sot, Parlamenti Rinor, dhe, gjithashtu një nga themeluesit e Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë, me aktivitet dhe qëllim kryesor rikthimin në Shqipëri të studentëve të diplomuar jashtë vendit.

Në vitin 2005 angazhohet në politikë. Në vitin 2007 fillon detyrën si Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë i PD, të cilën e kryen me sukses deri në 2019, duke zgjeruar ndjeshëm rrjetin ndërkombëtar në mbështetje, jo vetëm të Partisë Demokratike, por sidomos të Shqipërisë – që nga Kongresi e Senati Amerikan, Parlamenti Europian e Bundestagu Gjerman, veçanërisht në raste të votimeve të rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën.

Në këtë detyrë ai ka arritur me sukses të mbështesë anëtarësimin e PD në Bashkimin Ndërkombëtar Demokrat – IDU, aplikimin e LDK-së për anëtarësimin në Partitë Popullore Europiane – EPP, si dhe ka kontribuar në anëtarësimin me të drejtë vote të Partisë Demokratike në EPP. Në vitin 2007 kandidon në Zgjedhjet Vendore, duke qenë i pari kandidat nga e djathta që bëhet kryetar i Minibashkisë nr. 10 në Tiranë.

Në vitin 2009, Gert Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë dy legjislaturave parlamentare 2009 – 2013 dhe 2013 – 2017 shërbeu në komisionin e Integrimit Europian & në Komisionin e Medias, si edhe kontribuoi në nisma ligjore për arsimin, mbështetjen sociale dhe të rinjtë.

Në 2009 zgjidhet kryetar i FRPD.

Pas 2 viteve në pozicionin e Zv.Presidentit, në vitin 2014 zgjidhet President i IYDU – Bashkimi Rinor Ndërkombëtar Demokrat, në Asamblenë në Lisbonë dhe ushtron këtë detyrë 2014 – 2016, duke u bërë politikani i parë shqiptar që zgjidhet në një pozicion kaq të lartë drejtues në një organizatë ndërkombëtare.

Gjatë jetës rrugëtimit të tij politik, Gerti dëshmoi se ishte modeli i intelektualit konstruktiv, të matur, të paqtë e me integritet. Ai ishte politikan i përkushtuar, konsensual, i talentuar e me vlera të vërteta; nga ata politikanë, për të cilët Partia Demokratike ka pasur gjithmonë nevojë!

Sot, familja humbi njeriun e dashur, prindin e bashkëshortin e përkushtuar, ndërsa familja jonë politike një demokrat të vërtetë e të rrallë!

Ngushëllimet më të ndjera gruas, 2 fëmijëve, të atit profesorit të nderuar fisnikut tiranas Isuf Bogdani dhe nënës.

U prehsh në paqen e merituar, Mik!