Tre të rinj shqiptarë janë dënuar me disa vite burg në Greqi, pasi janë shpallur fajtor për vjedhje dhe dhunë ndaj qytetarëve, të cilët i grabisnin në rrugë me pretekstin se u afroheshin të kontrollonin nëse kishin tatuazhe në qafë.
Bëhet fjalë për tre vëllezër, të moshës 21 deri në 24 vjeç, të cilët u shpallën fajtorë për të gjitha aktet e akuzuara dhe u dënuan në total me 47.5, 39 dhe 28.5 vite burg, ndërsa gjykata ka ulur me 20 vite dënimin.
Po ashtu, ndaj të pandehurve janë vendosur edhe gjoba të majme, ku më i madhi arrin në 82 mijë euro. Pas vendimit të gjykatës, tre vëllezërit kthehen në burg për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Sipas aktakuzës, tre të rinjtë kanë vjedhur në Selanik paratë e viktimave, zinxhirët që mbanin në qafë dhe çdo gjë me vlerë që kishin, ndërsa për të arritur qëllimin e tyre kanë ushtruar dhunë fizike dhe më pas janë zhdukur.
Aktakuza përfshin më shumë se dhjetë grabitje dhe vjedhje, ndërsa duket se kanë vepruar me dy bashkëpunëtorë të tjerë. Dy nga të pandehurit kanë pranuar veprimet e tyre ndërsa i treti nuk është paraqitur në gjykatë dhe është përfaqësuar nga një avokat.