BallinaAktualitetGazetari Flamur Vezaj: Ilir Proda fiton “tenderin” për drejtorin e përgjithshëm të...

Gazetari Flamur Vezaj: Ilir Proda fiton “tenderin” për drejtorin e përgjithshëm të policisë

Nga Flamur Vezaj
Në një konkurs farsë nga vlerësues politikë, me cilësi të një komisioni të shqyrtimit të “ofertave” në Ministrinë e Brendshme, vlerësuan me pikëzimin maksimal 5 “ofertat” për të uzurpuar zyrën e drejtorit të përgjithshëm të policisë! Pas vlerësimit dhe pikëzimit të tyre, tërësisht jo transparent, dosjen për 5 ofertuesit komisioni ia dorëzoi ministrit të ri, i cili, me miratimin e Kryeministrit, propozoi shokun e tij, Ilir Proda, si drejtues të Policisë së Shtetit!

Kryeministri, përpara se të firmoste emrin e fituesit të “tenderit” për drejtor policie, zhvilloi një takim kokë më kokë duke i treguar se cilat janë zonat e “minuara” ku ai nuk mund të shkelë. Gjithashtu, e informoi fituesin e këtij “tenderi”, z. Proda, se cilat drejtori dhe komisariate tashmë janë “zënë” nga deputetët, biznesmenët dhe grupet e caktuara kriminale! Burimet thonë se gjatë takimit, Proda nuk ishte i habitur nga “sqarimet” e Kryeministrit dhe i premtoi këtij të fundit se do t’i qëndronte besnik partisë me të njëjtën devotshmëri siç i ka shërbyer ish-ministrit Saimir Tahiri, tashmë i dënuar, i cili në atë kohë e emëroi shef të Komisariatit nr. 2 në Tiranë vetëm me një mesazh WhatsApp-i!

Gjithashtu, mësohet se z.Proda e ka “sqaruar” Kryeministrin se i dinte rregullat e mbrojtjes së atyre që sigurojnë vota për partinë dhe të mira materiale për atë personalisht, pasi ishte “specializuar” nga biznesmenët e kromit gjatë detyrës së tij si shef komisariati në Bulqizë! Këta “biznesmenë”, duket se i dhanë edhe një “shtytje” në karrierë për të fituar “tenderin” e drejtorit të përgjithshëm të policisë!

Por të rikthehemi në aspektin profesional të fituesit të këtij “tenderi”, z. Proda! Është e vërtetë që ai e ka nisur karrierën nga baza në Polici, por falë lidhjeve me “biznesmenët” që ndihmuan Tahirin në fushatën e 2013-ës, kur Rilindja erdhi në pushtet, z.Proda u emërua me një mesazh WhatsApp-i shef i Komisariatit nr. 2 në Tiranë! Falë “aspektit” të tij profesional, në zonën e tij u vra biznesmeni i njohur Artan Santo, vrasje që ende sot ka mbetur pa autor edhe pse ndodhi brenda territorit të Prodës! E përmend këtë çështje sepse është më e njohura, por ka edhe shumë të tjera, pasi periudha e 2013-ës ishte me shumë vrasje dhe veprat me tritol ishin rekord në statistika! Ndërsa z.Proda u pezullua në atë kohë për dhunimin e një vajze brenda në Komisariat por asnjë nuk flet që ai ishte në hetim në atë kohë!

Karriera e tij vazhdoi më pas si shef komisariati në Bulqizë, ku përveç “sukseseve” në zbulimin e shumë vrasjeve që ndodhën atëherë (2013-2016), asnjëra prej tyre nuk u zbulua! Jo vetëm kaq, por në atë kohë flitej se z.Proda, nën ndikimin e “biznesmenëve” të kromit, i ofronte mbrojtje një të dyshuari për disa vrasje, i cili u ekzekutua te Ura e Tapizës pak kohë më pas!

Më pas, në periudhën 2016-2017, në Drejtorinë e Përgjithshme si pjesë e njësisë së narkotikëve, ai “shkëlqeu” me luftën ndaj drogës, duke luajtur një rol kyç në “asgjesimin” e hashashizimit të Shqipërisë! Me kalimin në detyrën e Zëvendësdrejtorit të Policisë së Korçës, ai dhe “bashkëpunëtorët” e tij fshehën dhe nuk zbuluan kurrë se si vdiq 27-vjeçari E. Ftoi brenda në komisariat!?

Karriera e tij përfundoi në drejtimin e Policisë së Elbasanit, ku sipas profesor Karamuçes, kjo drejtori nuk kishte printer dhe printonte materialet hetimore të dërguara nga SPAK në një lokal pranë drejtorisë së policisë! Një skandal në vetvete që çoi në sekuestrimin e celularit të drejtorit të policisë së Elbasanit, z. Ilir Proda, për nxjerrje të sekretit hetimor, me dyshimin se lajmëroi “kriminelët” që të largohen. Dhe ja ky është tashmë drejtor i përgjithshëm i policisë së shtetit!!

Pra, është emëruar si drejtues i policisë një person të cilit SPAK i ka bllokuar telefonin! Besoj se nëse prokurorët A. Dumani dhe B. Dibra kanë guxim dhe e hapin atë, do të gjejnë përla! Por dyshoj!

Gjithsesi, në fund, z. Proda, sipas kolegëve të tij, është një njeri tinzar, inatçor dhe aspak i ndershëm, çka do të bëjë kurban shumë nga kolegët e tij. Ai është një levë e sigurt e pushtetit për zgjedhjet e ardhshme, pasi M. Rrumbullaku kishte humbur besimin e partisë!

Suksese, dhe mos thoni që nuk ju paralajmërova!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular