Nga Shkëlqim Abazi
Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
I panjohuri shpejt fitoi simpatinë e allçakëve demokratë që ishin gati të rrëzonin banakun me tërë pijet alkoolike dhe freskuese, për një fjalë të mirë në favor të partisë së zemrës. Militantët lëvizën tavolinat, morën shishet e birrës apo filxhanët e kafesë dhe iu bashkuan të panjohurit, që s’i dinin as emrin, por u bë më i preferuar edhe nga klientët e çdoditshëm. O Zot si vlonte muhabeti, ndonëse askush s’përmendte emër! Por politika s’do t’ia dijë për emra!
Simpatizantët dhe militantët e partive, janë individët më të çuditshëm, të ngjashëm në huqe por të ndryshëm në bindje; siamezë me një tru, por me dy fytyra; me feçkë si delet por me teka si dhitë; tifozë haluçinantë, por me tifon e ekipit të zemrës; të sëmurë që miqësohen shpejtë me të ngjashmit, por armiqësohen sakaq me kundërshtarët.
Në një miting qindra-mijërash në kryeqytet, rastisa të shihja bashkëqytetarët e mi, kur putheshin e përqafoheshin me shkodranë, korçarë, kuksianë, konispolatë, tropojanë, sarandiotë, dibranë, vlonjatë, ku poqën gjithë ç’iu dolën para!
I gjendur para kësaj pamje, m’u ndërmend nëntëdhjetë e njëshi, kur themeluam shoqatën e ish-të Burgosurve Politikë. Por ne vinim nga burgjet dhe kampet “Murdallëk”, ku kishim jetuar me vite e dekada dhe kishim hequr picirin. Të lumtur që ia arritëm ditës, të shihnim gjallë shokun, mbas gjithë atij kalvari, u mallëngjyem, u ngashëryem, u puthëm dhe u përlotëm.
“Ku janë njohur këta dhe ç’murdallëku do t’i kenë shpëtuar”? “Cilës skëterre t’i kenë mbijetuar”? po bashkë udhëtarët në autobus, do ma shuanin kërshërinë.
“S’le kënd pa puthur o Dane, shih si të kanë lerosur tërë jargë”! – cyta sagjerin përbri.
“Na ka marrë malli, or burrë”! – ma ktheu ai.
“Ku je njohur me tërë këtë milet”?
“I kam miq të vjetër”!
“Mos keni qenë ushtarë”? – u pendova për budallallëkun, sepse s’përkonin në vërsë.
“Miq të thashë”!
“Shokë e shoqe gjimnazi”? – sepse vura re që u takua dhe u puth edhe me femra.
“Ore, të dija të zgjuar, po ti qenke dell”! – m’u shkreh njëri nga ulësja para.
“Mos ma fyej mikun! – më mbrojti Dania. – Fundja bëri një pyetje pa të keq”!
“Po ç’t’i them tjetër? Ku ka njeri në botë të ketë pasur njëqind mijë shokë e shoqe gjimnazi apo ushtrie? Sikur të kesh bërë edhe dhjetë gjimnaze apo, njëzet vjet ushtri, s’i zë dot aq miq”!
“M’u duk se u takuat shumë të përmalluar”! – u mbrojta unë.
“Padyshim do piqeshim me mall, sepse s’rastisim përditë, si me zotërinë tënde”!
“Dakord, po ku jeni njohur nga afër”?
“Në mitingje o tutkun, ku tjetër?! Ne jemi demokratë, or tungjatjeta”!
“Edhe unë demokrat jam, po…”!
“Je ore je, por jo si ne”!
“Pse ku ndryshojmë”? – pyeta i stepur.
“Sepse ti si namusqar, s’puth as tët shoqe”! Autobusi ushtoi nga të qeshurat e papërmbajtura.
“S’doja t’ju fyeja, pyeta për kureshtje”? – desha ta mbyllja unë.
“Pse kusht qenka të njihemi me emër dhe mbiemër? Edhe pa u njohur fare, na bashkon ideali, sepse jemi motra dhe vëllezër Partie! E more vesh”?
“E mora”! – s’u ndjeva më.
I panjohuri ligjëronte, bashkëshoqëruesi s’bëzante. Njëherësh ia kthente secilit pa ia përtuar.
“Prej këtu je”? – e pyeti dikush.
“Jo, gruan kam këtej”.
“Nga ç’fis”?
“Jam baxhanak me këtë komunistin”! – dhe shënjoi me gisht të njohurin tonë.
“Ky është i majtë puro”!
“Jo, jo”! – u mbrojt baxhanaku agronom.
“Edhe gruan e ke racë komunisti”! – e akuzoi sërish bashkë-pijetari im.
“Epo, s’do lëmë gratë nashti”! – u mbrojt agro-tregtari.
“Ku rri”? – iu drejtua të huajit.
“Në Greqi, jam emigrant prej pesëmbëdhjetë vjetësh”.
“Qenke kthyer për pushime”?
“Ç’pushime mër jahu, për votime! Do t’iu thyejmë turinjtë komunistëve”!
“Ah-a-a, kështu më të lumtë”!
“Më tre do votoj dhe më katër korrik, do kthehem në Greqi”.
“Mirë, po hap sytë mos ta dredh ajo, se e ke matanë”! – e cyti një tjetër.
“E kam me veti, mër jahu”!
“Beso dhe kontrollo, ka thënë merhumi Stalin”!
“I kam q… nonën! Pasha Zotin, bo me e bo at’ gjo, kom me e lon n’moment”! – foli tirançe puro.
“Njeh njeri në Berat”? – ndërroi temë ai që pyeti më parë.
“Njoh, po kena kohë pa u parë dhe druaj se vitet konë bo t’vetën”.
“Kë njeh, për shembull”?
“Eh-e, një pjesë kanë dek me vakt, ata që rrojnë, janë pleq si puna jëme”.
“Jeta vazhdon edhe pa ta”! – filozofoi bashkëbiseduesi.
“Po ja, njoh Petrit Nallbanin, Pavllo Lakon, Luftar Çalën, Shkëlqim Abazin…”!
“Kë, ore”? – e ndërpreu bashkëbiseduesi dhe më nguli sytë.
“S’u përzjeva gjer atë çast”, po kur më përmendi, e këqyra me vëmendje.
Ishte afërsisht bashkëmoshatar, trup mbushur, paksa i kërrusur, flokëthinjur para kohe dhe të rralluar, që i zbulonin një ballë të dalë si vare, fytyrën pak të zgjatur, me hundë të shtypur dhe mjekër të kërcyer.
Koka plloçake me tendencë për së gjati, më kujtoi një të njohurin e viteve të burgut. U ngrita me pretekst se do shkoja në banjë, por doja të meditoja në qetësi. Më ndoqi një mik.
“Kthehu dhe mos më zbuloni”.
“Pse cili është”? – pyeti kureshtar.
“Në mos gaboj, Dashnor Kazazi, një tiranas”! – dhe hyra në banjë. Sa u ktheva e pyeta: – “Po të qëllonin përballë, do t’i njihje miqtë”?
“Se di, padyshim do t’i kujtoja”!
“Sapo doli Petriti, e njohe”?
“Jo, cili ishte”?
“Ai me mustaqe vesh më vesh”! – u hodh dikush dhe shtoi: – “Po Shkëlqimin, a e njeh”?
“Mendoj se po”!
“Ke kohë pa e takuar”?
“E-hu-u, qysh nga shtatëdhjetë e treshi”.
“Ku jeni njohur”?
“Në Spaç”!
E lashë të shtrydhej në muhabet me të tjerët.
“Edhe ti paske qenë në burg”!? – e pyetën.
“Po, nëntëmbëdhjetë vjet”!
“Për çfarë, ore”?!
“Për politikë”!
Gjithë vëmendja, u përqendrua te i panjohuri.
Miqtë flisnin dhe herë-herë më hidhnin shikime tinëzare, mbase prisnin reagimin tim.
“Të dija të vdekur, Dashnor”! – u shfaqa unë.
“Cili je ti”?
“Një i mbijetuar i atyre viteve”.
“Shkëlqim Abazi”! – shpejtoi të thoshte një nga grupi.
“Ua-a”!
U hodh nga karrigia, si të ish ulur mbi sustë, qëndroi një sekondë pezull, mandej u lëshua i shkrehur, këqyri baxhanakun si të priste miratimin. Kur ai heshti, kroi kokën dhe më nguli sytë si të tejqyrte të padukshmen, hapi krahët dhe m’u hodh në qafë:
“O Zot, kaluan mbi tridhjetë e tre vjet”! – dhe u plas i kapitur. Dikush i liroi karrigen bri meje.
“Si je Dashi”? – e pyeta për adet.
“Gjallë, shyqyr”!
“Gëzohem! I shpëtove vdekjes, para tridhjetë e tre vjetësh”.
“Edhe ti”!
“Na kurseu Zoti”!
“Qofshim nën hyqmin e tij”!
Takimi nxiti kërshërinë e kureshtarëve që prenë muhabetet dhe nisën pyetjet, s’i ishim njohur, ku ishim njohur dhe si u mbijetuam “turbulencave të cunamit” shkatërrimtar komunist.
Muhabeti u zgjat gjer pas mesnate.
Te kunati i Dashit, darkën e hëngrën të tjerët.
Kur na u lutën pronarët, se do mbyllnin lokalin, u ndamë për t’u takuar të nesërmen. E lashë punën atë ditë dhe në orën e caktuar isha në lokal.
Dashi erdhi në shoqërinë e një gruaje me syze optike dhe të një vajze, rreth dhjetë dymbëdhjetë vjeçare, u shkëput prej tyre, por ndali dhe ktheu kryet nga shoqërueset femra pa mbërritur tavolinën, me gishtin drejt meje:
“Ja ku qenka”! – m’u sul krahëhapur si mbrëmjen e shkuar. – “Ejani”! – u afrua edhe çifti femëror. U ngrita t’u hapja vend, po gruaja me syze dhe sy të zmadhuar tej mase, më ndali me shenja:
“S’do qëndrojmë dot, sepse më pret motra, u kthyem sa për t’u takuar”.
Ndërkaq në shikimin e vajzës, përzihej joshja, kërshëria, dashamirësia, afërsia, largësia, guximi, ngurrimi, besimi, mosbesimi, shpresa, gjithë ç’mund të shprehin sytë e një fëmije, në atë moshë.
“Femrat e jetës”! – m’i paraqiti Dashi me krenarinë e çifutit. – “Gruaja dhe loçka e babit”!
“Gëzohem që po njihem me familjen tuaj”!
“Ehu-u, kush mund të besonte, se do ta arrinim këtë ditë”?
“Zoti është i madh! Si jeni zonjë, si i keni burrin, vajzën”? – begenisa gruan.
“Si në kurbet, vëlla”!
“Mos u sikletos, sepse çereku i shqiptarëve, janë kurbetçinj”! – u orvata ta ngushëlloja.
“Qenka e vështirë, larg vatanit”!
“Guri i rëndë në vend të vet”! – desha t’i lehtësoja barrën, me këtë idiomë të super konsumuar.
“Kurbeti është dert i madh, po shëndeti mbi të gjitha”!
“Shyqyr që ia mbërritëm të jetojmë të lirë e, pa asnjë kufizim”! – s’m’u ndenj pa shtuar, ndonëse isha i bindur se nxora një broçkull: – “S’ju pëlqeu andej, kthehuni”!
“Një llaf goje, po ku do mbytemi? Pa shtëpi, pa katandi, pa perspektivë… Ehu-u”! – në sytë e saj lexova zhgënjimin. – “Na falni, po ju lemë të çmalleni”! – dhe u larguan.
(Edhe pse familja Kazazi mendonte kthimin, edhe sot e kësaj dite, vazhdon të jetojë në Greqi)!
U rehatuam.
“Si i ke kaluar tërë këto vite”? – e pyeta.
“Si të të them, ika të realizoja një ëndërr, mbeta andej”!
“Ku jeton”?
“Në Athinë”.
“Si kalon”?
“Shtyhem një farë soj”! – tundi nja dy herë kryet dhe shtoi: – “Ndihem fort ligsht, or mik”!
“Përse”?
“S’di si ta shpjegoj, emigracioni qenka kafshatë e hidhur. Ajo bota e lirë që ëndërronim në qeli, s’qenka aq e lirë sa e mendonim! Ndërsa morëm nga sytë këmbët për të prekur lirinë, grekët na trajtuan si kriminelë. Realitet që vret, fyerje nacionale, përbuzje raciale, denigrim moral, përçmim intelektual, zhvleftësim profesional, shfryrje megalomane, diskriminim fetar, jam ndjerë për ibret, sa në momente depresioni kam shprehur: të keqen o burg, ta marrsha o polic; por këto çaste zëmër-thyerje s’më ligështuan, sa të shprehesha me zë”.
“E di, i kam hequr mbi kurriz”! – e ndërpreva.
“Paske qenë edhe ti në emigracion”?
“Jo një herë. E mbylla! – dhe heshti sikur desh të thoshte: “dakord, plotëso ato që s’i thashë unë!”
“Duke përjashtuar të këqijat, besoj ia vleu sakrifica që bëmë sepse, fituam lirinë e mendimit, të fjalës, të lëvizjes, të idesë, të besimit, mbi të tjera s’ka më pranga ideologjike dhe censurë politike. Natyrisht kur përballesh me sistemin kleptokrat e kaosin social, që s’duhet të ndodhte në demokraci, s’ke si ndihesh mirë, po as Roma, s’u bë në një ditë, ndaj të shpresojmë dhe të kontribuojmë për të nesërmen më të mirë, për fëmijët tanë”.
“Ke të drejtë, ne që sakrifikuam shumë, duhet ta vlerësojmë edhe më shumë lirinë”! – pohoi dhe shtoi: – “Kur kujtoj vitet e mjerimit, kohën kur na krahasonin me qentë e zgjebosur…”!
“…na gjymtuan mendërisht e fizikisht, edhe kur i shpëtoje burgut apo, policit, të mbyste vreri, që s’e shfreje dot, bëje dëng nga marazi e, mbeteshe pa frymë”, – e plotësova unë.
“Zot, o Zot, ç’hoqëm”!
“Prej vitesh më mundon dilema, se si ia dolët të shpëtonit ju, që u morën të lidhur atë ditë”? – gjuajta rastin të dëgjoja nga goja e një protagonist, për tmerret e pas-revoltës dhe për dënimet drastike.
“S’qe e thënë të vdisnim të gjithë”! – heshti: – “Mbase për të dëshmuar krimet llahtarë”!
“Doja të mësoja ç’ndodhi me ju”?
“Ti atje qe”!
“Sigurisht, por jo në rolin tuaj”!
“Gjithkush luajti rolin, që i ra në pjesë”!
Bëri një lëvizje dore, si të thoshte: “Eh, është mbyllur me vakt ajo mesele”! – “Sigurisht, por s’qenë të tërë aktivë”! – e ngacmova qëllimisht.
“S’e kam fjalën për spiunët! Varja atyre”!
“Vitet m’i kanë pështjelluar mendimet, të kujtohet kur u takuam për herë të fundit”?
“Darkën e njëzet e dyshit. Ti kishe një bucelë…”!
“Ma kishte punuar Ramë Tahiri, nga Rugova”, – e ndërpreva.
“E pra, bucela ishte bosh, unë doja ujë…”!
“Sepse ujin e prenë, që ditën e parë…”!
“Dhe ti më nxore një pagur, piva gjysmën dhe…”!
“S’më bije në hatër”! – u hodha sërish.
“Pastaj të thashë: – ruhu se edhe dy muaj të kanë mbetur”!
“Natyrisht, kjo më kujtohet”!
“Ti ishe në prag lirimit, unë të këshillova mos të bije në sy, pa ne të tjerët edhe ta hanim së dyti, s’na prishte punë, kishim nga dhjetë e përpjetë”.
“Pastaj s’u pamë më”!
“Të nesërmen ndodhi ajo që dimë dhe na poqi Zoti pas tridhjetë e tre vjetësh” – konkludoi.
“Jo, s’e dinë të gjithë, tragjedia e asaj dite, që mbeti mister dhe e vërteta mbërriti e deformuar, në veshët tanë”, – e kundërshtova, i bindur në drejtësinë e asaj që sapo thashë.
“Po ç’mister, mër jahu! Ndodhi ajo që patë! Na morën dhe drejt në biruca, pasdite në gjyqin special, ca në plumb, të tjerët nga njëzet e pesë dhe na vërtitën sërish në ferrin e Burrelit”.
“Kjo më intereson”!
“Mirë pra, po t’i rrëfej”:
“Kur juve u nxorën lidhur, në sheshin poshtë komandës, neve pritëm ndëshkimin mbi tarracë. Ndonëse i dinim pasojat, ashtu na e dha truri, ishim të rinj dhe ca mosha, ca egoja, ca mburrja, ca ideali, bëmë atë që bëmë. Të vdekur se të vdekur, hajt të vdesim, duke i rrëfyer botës përse po vdesim!
Kështu e ndamë me Skënderin në mbrëmje, do rezistonim sa të mundnim dhe do vetëflijoheshim më pas, nga maja e pallatit sepse, s’donim t’iu binim gjallë në duar. Në mëngjes erdhi Dervishi, me ca të tjerë. Si e shoshitëm, se s’ia vlente të sakrifikoheshim të gjithë, mjaft që akti i disave po përcillte jehonën, i bindëm të largoheshin. Pra edhe Dervishi mbeti me ne. Pak para se të përfundonin me ju, mbi tarracë hipi Jorgo Papa. Na shtangu kjo e papritur. ‘Hidhu poshtë, Jorgo’! – i bërtita unë.
‘Jo, do vdes këtu’!
Është sakrificë e tepërt! – ia pati Dervishi”. Memorie.al