Çdo person i punësuar në vend me pagë mbi 100 mijë lekë bruto në muaj, do të ketë si detyrim plotësimin e Deklaratës Individuale të Vjetore të të Ardhurave pranë administratës tatimore. Ligji i ri për “Tatimin mbi të ardhurat”, i cili ka hyrë në fuqi më 1 Janar 2023, prek deklarimet e bëra për vitin fiskal 2024.
Referuar strategjisë afatmesme të të ardhurave 2024-2027, përmes kësaj politike synohet zgjerimi i bazës së deklarimit të të ardhurave personale, duke e ulur pragun përjashtues në 1.2 milion lekë në vit, prag i cili do të zbatohet për të ardhurat e vitit 2024 dhe në vijim.
Sipas dokumentit, kjo masë është pozitive për nxitjen e pajtueshmërisë vullnetare dhe deklarimin e të ardhurave. Në strategji evidentohet se ulja e pragut të deklarimit nga 2 milionë në 1.2 milion lekë në vit, merr në konsideratë: kapacitetet teknike për pranimin dhe përpunimin e shtesës së deklaratave nga ato që përpunohen aktualisht; nevojat shtesë në burime njerëzore për mbikëqyrje dhe auditim; kostot e pajtimit për qytetarët; efektet reale pozitive në rritjen e të ardhurave që do të ketë një ndërmarrje e tillë në kushtet kur për pjesën dërrmuese të të ardhurave tatimi mbahet në burim nga paguesi i të ardhurave.
Gjithashtu individi do të detyrohet të dorëzojë pranë administratës tatimore deklaratën DIVA, kur është i dypunësuar edhe në rastet kur të ardhurat tatimore vjetore të individit janë më shumë se 50.000 lekë e çdo të ardhure tjetër që nuk i nënshtrohen tatimit përfundimtar në burim.
Sipas të dhënave zyrtare të Administratës Tatimore për vitin 2023, DIVA është plotësuar nga 73.790 individë, nga të cilët 24.224 individë me të ardhura mbi 2 milion lekë dhe 49,566 individë të dypunësuar.
Deklarata e të ardhurave personale, formati i së cilës do të ndryshojë, do të plotësohet për herë të parë pas përfundimit të vitit tatimor, në Prill të 2025-ës.