Nga Neritan Vladi
Politika shqiptare për mënyrën se si “gatuhet” dhe serviret nga politikanët tanë është e pangjashme me një vend tjetër. Të njëjtët aktorë në këto 34 vite kanë luajtur teatër me qytetarët e këtij vendi, ku në skenë kanë luajtur pjesët, e në prapaskenë pazaret!
E dal nga një mitër (PPSH), siç duket skema ka qenë e qartë që duke qenë të sojit komunist në sytë e shqiptarëve xhaketat e vjetra kanë luajtur shfaqje të ndryshme me aktorë të njëjtë, por ama këtë e kanë shijuar vetëm ata, sepse sot qytetarët në shumicë dërrmuese janë të zhgënjyer nga ajo çfarë ka ndodhur në këtë vend nga politikanët e trekëndëshit të Bermundës siç e ka quajtur Lulzim Basha, duke qenë fanatikë të zbatimit të planit Katovicë!
Për çfarë thashë koha më jep të drejtë në atë çfarë unë, ti, çdo qytetar shqiptar konstaton në të përditshmen tonë. Prej rënies së komunizmit kemi të njëjtat fytyra në skenën politike që kanë marr peng, ose privatizuar partitë dhe kërkojnë që me rregulla të përcaktuara prej tyre të luhet edhe në fushën që duan ata. Çfarë është më e keqja është se po këta tre politikanë që kanë mbi shpatullat e tyre mëkatet për këtë vend, sërish “zihen” si qentë në kocka për të ndarë pjesët e territorit, herë-herë kur nuk bien dakord. Shpesh e bëjnë dhe për tu hedhur hi syve shqiptarëve pasi fundja treshja e trekëndëshit të Bermundës Berisha-Rama-Meta janë Një!
Kur pritet një protestë e grupimit të Sali Berishës nuk kuptohet çfarë realisht kërkojnë sepse dinë vetëm të akuzojnë dhe me atë që e quajnë diktator dhe njeriun që ka instaluar regjim nuk e kanë problem të puthen, arrijnë marrëveshje pazari. Deputetët e Sali Berishës flasin sot për një diktaturë të instaluar. Fakt është që qeverisja Rama është më e korruptuara, kontrollon çdo qelizë të institucioneve për hesapin e vet politik, kryeministri qeverisë më stil diktatorial dhe thuajse po instalon regjim në këtë vend. Por teksa dëgjon grupimin e Berishës që flet për regjim dhe diktaturë lind pyetja: A nuk janë ata që i dhanë një dorë Edi Ramës me Kodin Zgjedhor duke i mundësuar mandatin e Katërt në tavolinë si dhe Amnistinë Penale?!
Bënë pazar në një paqe si shembull për bashkëpunim Rama-Berisha duke përsëritur 2008 në kurriz të forcave të tjera politike si dhe shqiptarëve duke mos iu dhënë mundësinë të zgjedhin kë duan, por kush iu imponohet në lista!
Atëherë një pyetje kam për deputetët e Sali Berishës këta propagandistë dhe pseudo luftëtarë të votës së lirë: Kur e dinin se jemi në regjim dhe Rama diktator, pse bëtë pazar me Ramën? Përse për një gjë kaq të rëndësishme si rikthimi i koalicioneve dhe listat e hapura që mundësojnë fitoren e opozitës nuk rezistuat në Parlament dhe të ndiznit flakadanët dhe të kërkonit mosbindje civile? Protesta e thirrur nuk ka të bëjë fare me votën e lirë, as më arrestimin e Ervin Salianjit (sepse të gjithë e dinë sa e donin) pasi kjo duhet të kishte ndodhur më parë, por ka të bëjë më rezistencën ndaj Reformës në Drejtësi si presion ndaj SPAK dhe pse jo si kërkesë për një Pazar të ri me Edi Ramën nuk mungesën e prespektivës së fitores. Gjithçfarë po ndodh sot është një teatër që nuk i shërben askujt. Shqipëria meriton me shumë. 70% e shqiptarëve kërkojnë përfaqësim tek një klasë e re politika dhe Lulzim Basha është gati ti përfaqësojë në mënyre dinjitoze me të zgjedhurit e tij në lista.