Një muaj më parë, Mifit Balla humbi djalin e tij Bujarin 39 vjeç nga sëmundja e rëndë në stomak. Mifiti me origjinë nga Librazhdi por që prej vitesh jeton në Tiranë, për humbjen e djalit akuzon spitalin Onkologjik në QSUT, se mungesa e medikamenteve gjatë trajtimit i mori të birin.
“Kimio po i bënte, rrezet i bëri, analizat i dolën mirë. Skaneri prapë mirë. I solla këtu i ka mirë, kur i ka mirë pse kjo. Për të marr në qafë këta të marrin. Erdhi me 31 të dielën në spital, me 1 mbaroj. Ka ndërruar jetë në spital në katin e 4. E çuam në urgjencë edhe ndërroi jetë këtu”.
Bujari prej rreth një viti e gjysmë vuante nga kanceri në stomak, për të cilën kishte nisur edhe kimioterapinë. Babai i tij Mifiti, mes lotësh dhe dhimbjes, tregon se djalin e solli më 3 korrik në Onkologjik për të bërë seancën e radhës të kimioterapisë, por kura nuk iu bë pasi sipas tij mjekët i kanë thënë se kimioterapia nuk mund të vazhdoj për shkak të mungesës së ilaçit Irinotecan.
“Bënte mjekim kimioterapi iu pre me 3 korrik dhe kishte edhe 3 për të bërë, pastaj do të bënte një kontroll. Ishte shumë mirë me këmbët e veta erdhi. Irinotecani, ilaçi që mungonte”.
Mungesën e ilaçeve babai fatkeq ia ngriti si shqetësim edhe Drejtorisë së QSUT dhe Ministrisë së Shëndetësisë, por ankesa e tij ra në vesh të shurdhët.
“Ika u ankova te drejtoria, edhe te ministria vajta atje. Më jepni recetën u thoja, ska ilaç, ska ilaç. Pa mjekim fare. Me 24 i bënë pastaj ato, pasi ra çuni. Që atë ditë me datë 3 u ngrit çuni në këmbë vajti atje dhe i tha zonja doktoreshë s’ka ilaç. Oboboo tha, çuni, edhe nuk u ngrit më. Ilaçin e kishte buk”.
Mungesa e ilaçeve në Onkologjik ishte një fenomen i njohur për Mifitin, por ndryshe nga herët e tjera kësaj radhë mjekët ishin më të kursyer për dhënien e recetave apo porosive për t’ju drejtuar farmacive private, kjo që pas shpërthimit të skandalit të Onkologjikut.
Me 3 korrik që u bllokuan pas asaj të Onkologjikut. Më jepni recetën ta merrja siç e mora edhe një herë me lekë vetë atje. Këtë herë s’donin, më thoshin edhe emrin e ilaçit shkruaje vetë, jo me dorën e saj. Irinotecani, ilaçi që mungonte. Edhe e shkrova vetë emrin e ilaçit unë, edhe gjeta këtu në Tiranë po donte recetën për ta marr. Pa recetë nuk ma dha farmacistja, më tha s’di sa miligram duhen”.
Humbja e djalit e ka rënduar pa masë të moshuarin, ndërsa pengu se nuk bëri sa duhet për ta mbajtur të birin në jetë, me institucionet shtetërore që e braktisën, thotë se do ta përndjekë deri sa ai vetë të mbyllë sytë.
“Vetëm këtë qaj, të kishte bërë këto 3 të fundit, pastaj e kishte në dorë vetë Zoti. Qe shumë mirë, e qaj prej këtyre. Le ti ndjekë SPAK. Se do marrin në qafë të tjerë”. /Shqiptarja.com