BallinaKryesoreMashtrimet e Rilindjes nga 2013 dhe Rithemelimi si zjarrfikëse e pakënaqësisë popullore

Mashtrimet e Rilindjes nga 2013 dhe Rithemelimi si zjarrfikëse e pakënaqësisë popullore

Nga Neritan Vladi

Shqipëria gjendet në një udhëkryq sa i përket të ardhmes së saj e cila është marrë peng nga një klasë politike e cila është pjellë e PPSH. Për interesat e tyre politikanët e tranzicionit që po vazhdon, për shqiptarët as kanë menduar t’u gjenden për të zhvilluar, ofruar dhe integruar Shqipërinë në familjen e madhe europiane! Pas 34 vitesh, shqiptarët ende diskutojnë nevojat bazike të tyre e për mirëqenie as që bëhet fjalë! Në këtë vend ende nuk është garantuar minimumi jetik ku shteti t’i dal zot qytetarit që të mos ndihet i braktisur në rast se do të përballet me papunësi apo probleme të tjera të karakterit social. Në totalin e viteve të qeverisjes në shumicën e kohës (20 vite) ka drejtuar PS si pasuese direkte e PPSH, e pjesën tjetër një tjetër forcë politike gjasme antikomuniste siç ishte PD. Veç retorikës politike ndaj njëri-tjetrit, çështjet madhore kanë ngecur duke mos zbatuar detyrat e shtëpisë që BE na ka lënë. Në vitin 2013 Partia Socialiste ose Rilindja nga dita kur erdhën në pushtet me malin e madh të premtimeve rezulton se ato nuk janë mbajtur! Për të numëruar mosmbajtjen e premtimeve të Rilindjes është e lehtë, por problemi është që kjo shoqëri ndonëse zien ndaj kësaj mazhorance, nuk po di ku të kanalizojë zemërimin e saj. Opozita, ose më saktë kasta politike e saj me drejtues xhaketat e vjetra, që e quajnë tokë të xanun PD, po bëjnë çmos që ta kthejnë në bunker, po marrin peng çdo mundësi karriere në atë parti! Protesta e së hënës fatkeqësisht ishte temperatura e matjes së asaj çfarë po ndodh me opozitën e kapur për gryke nga vet drejtuesit e saj të ndihmuar dhe nga pushteti! Le te ndalemi te mazhoranca.
Rilindja e ardhur në pushtet në vitin 2013 i ka gënjyer hapur shqiptarët. E nisim nga takimi i sotëm i Ramës me kryebashkiakët teksa iu kërkonte atyre llogari për mosmbylljen e procesit të legalizimeve, a thua se ata janë përgjegjës. Është vet ky kryeministër dhe kryetar i PS që e ka premtuar, por sot rezulton gënjeshtër! Premtonte që nuk do të kishte përmbytje, e madje Vlora qyteti që e ka votuar masivisht dhe madje ishte dhe i zgjedhur atje së fundmi, u përmbyt duke u kthyer në një ”Venecia” e uji mezi u tërhoq pas 3 ditësh. Meqë jemi këtu, premtoi 24 orë furnizim me ujë! Edhe ky një premtim mbetur në sirtarët e qeverisë në letrat A4 të printuara! Premtoi t’i jepte vlerë diplomës duke i dhënë zgjidhje problemeve në Arsimin e Lartë dhe sot edhe pse është përgjysmuar numri i studentëve, sërish kuotat mbeten ende bosh në UT e në universitetet e rretheve shumë degë e madje dhe Fakultete rrezikojnë mbylljen!
Premtoi 300 mijë vende pune, por shqiptarët ia kanë mbathur vrapit duke ikur jashtë, premtoi shëndetësi falas kur sot dihet situata në spitale dhe qendra shëndetësore, ku as skandalet nuk mungojnë sepse të lënë të vdesësh për mungesë medikamentesh si tek spitali Onkologjik. Premtoi heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë, por sot, jo vetëm s’ka ndodhur, por çmimet e ushqimeve gati janë dyfishuar. Premtimi për uljen e çmimit të energjisë elektrike rezulton i pambajtur. Rama dhe Rilindja shohin ëndërra për kthim të emigrantëve në vend, por në censusin që ata vet mezi e nxorën pasi e rregulluan siç deshën pranuan largimin e 500 mijë shqiptarëve në 10 vite! Këto janë vetëm disa nga premtimet e Rilindjes e teksa sondazhet flasin për një shumicë dërrmuese të shqiptarëve që janë kundra qeverisjes, ky zemërim i tyre nuk po kanalizohet drejt opozitës për fajin e saj. Drejtuesit e sotëm të opozitës që tentojnë të privatizojnë PD dhe në bashkëpunim me Ramën për interesat e ngushta të karrigeve të tyre kërkojnë që të luhet me rregulla të përcaktuara nga ata, nuk bëjnë gjë tjetër veçse marrin peng pakënaqësinë popullore ndaj qeverisë. E kur sot 70% e shqiptarëve janë pro drejtësisë, pro SPAK si institucionin i besuar antikorrupsion post tranzicion këta pseudo opozitarë po kthehen në zjarrfikës të kësaj pakënaqësie për interesat e pushtetit. Fakti është protesta e djeshme e dështuar si dhe marrëveshja për faljen e pushtetit në tavolinë Ramës përmes Kodit Zgjedhor ku nuk kthehen koalicionet dhe mos hapjen e listave! Shqipëria dhe shqipetaret meritojne më shumë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular