Një familje prej 5 shqiptarësh me banim në Fano të Italisë është arrestuar, pasi kishin krijuar një laborator të përgatitjes së drogës në shtëpi.
Mediat italiane shkruajnë se mbrëmjen e së hënës, karabinierët e njësisë hetimore të komandës së krahinës dhe të njësisë operative e lëvizëse të kompanisë Fano arrestuan një familje të tërë me kombësi shqiptare, burrë, grua dhe dy fëmijë, si dhe një mysafir që ndodhej në shtëpinë e tyre.
Prangat u janë vënë pas kontrollit të ushtruar në shtëpinë e tyre në periferi të Fanos. Sapo mbërritën në banesë, policia zbuloi një laborator të vërtetë për përgatitjen dhe paketimin e kokainës.
Në tavolinën e kuzhinës kishte tenxhere dhe pjata me gjurmë të qarta të lëndës narkotike, e përdorur për përzierjen e drogës me lëndë të tjera prerëse. Kishte gjithashtu një peshore precize dhe materiale të tjera për paketimin e dozave.
Një nga shqiptarët që ndodhej në kuzhinë tentoi të hiqte peshoren dhe materialet e tjera, ndërsa të tjerët u larguan lart duke hedhur nga dritarja disa mbështjellës kokaine të gatshme. Ushtarët gjetën nga kopshti 20 pako me nga 50 gramë kokainë, gjithsej një kilogram.
Më pas të gjithë të pranishmit u arrestuan në mënyrë flagrante dhe tani janë në burg në Pesaro.