BallinaTe tjeraGjyqi i deputetëve/ “Çohu se të ka ardhur urdhri për t’u pushkatuar”-...

Gjyqi i deputetëve/ “Çohu se të ka ardhur urdhri për t’u pushkatuar”- Dëshmia e trishtë e djalit të intelektualit: Në Burrel, babait i shkonin në 4 të mëngjesit në qeli, e detyronin të hapte gropën e varrin e tij dhe…

spot_img
spot_img

Ka qenë vetëm 3 muajsh, i sapo lindur, nga dita kur e ndanë me të atin, të cilin nuk e pa, nuk e njohu, nuk e takoi kurrë. I mbetur jetim vetëm më të ëmën, pastaj fëmijëria, adoleshenca, rinia, djalë me një baba të pushkatuar, një persekutim që e ndoqi për shumë vite. Me pak informacion nga ajo çfarë kishte ngjarë me të atin, as edhe emrin nuk mund t’ia përmendte, që si trashëgim, kujtim, i kishte lënë mbiemrin, një orë dore, dhe diplomën. Me nënën, një grua fisnike, që e mbajti në heshtje atë dramë, që e goditi kur ishte vajzë e re, e bukur, sapo martuar, dhe me një fëmijë të sapo lindur. Një kalvar i gjatë, nga arrestimi i bashkëshortit, hetuesia, procesi gjyqësor, dënimi, më pas, jeta mes vuajtjesh, dhe rritja e fëmijës pa baba.

Kjo është historia e Artan Kokoshit, djalit të Abdyl Kokoshit, i dënuar me pushkatim më 1947-ën, me “Gjyqin e deputetëve”. Prej vitesh është larguar nga Shkodra dhe Shqipëria, për në Toronto, Kanada, ku sot jeton bashkë me gruan, dy vajzat, mbesa e nipër, me vëllain Amirin dhe familjen e tij. Në një rrëfim jo të lehtë për ta treguar e shkruar, një plagë e madhe në jetën e tij, i rezervuar, Artani i rikthehet asaj ngjarjeje, nga hakmarrja e Enver Hoxhës për Abdyl Kokoshin, pas propozimit për ta bërë Kryetar të Gjykatës së Lartë, te provokimet, kërcënimet e Sigurimit të Shtetit ndaj nënës së tij dhe fotografia enigmatike me Enver Hoxhën, që nxiti reagimin dhe ndëshkimin e profesorit të elektros në universitet.

Të gjithë nën akuza, procese gjyqësore, deri edhe së bashku nën torturat, hetuesitë, qelitë, birucat, pastaj dënimet, pushkatimet, burgime, në këtë pjesë të dytë të shkrimit ai do të rrëfejë për Engjëll Kokoshin, vëllain e Avdyl Kokoshit. Edhe ky i dënuar nga regjimi i egër, shoqëruar me vite pafund të kaluara në burgjet komuniste. Gjithçka nën një rrëfim, që për herë të parë, Qazim Kokoshi, djali Engjëllit, tregon ferrin, vitet e burgut, vuajtjet e të atit të tij, familjes, përndjekjet gjatë viteve të diktaturës: “Atë që kanë hequr ata, të tilla vuajtje, mos i provoftë askush”, shprehet ai.

Të gjitha kujtimet i ka nga çfarë i ka treguar Engjëlli, shumë vite më vonë, pasi kishte dalë nga burgu, ishte martuar dhe kur Qazimi, djali i tij i vetëm, që trashëgon emrin e gjyshit, ishte rritur dhe mund të fliste me të atin. “Babai, nga një antifashist i deklaruar, më pas i dënuar nga komunistët. Nga një familje patriotike, të gjithë përfunduan në burgjet e diktaturës”.

Z. Kokoshi, diçka për Engjëllin babain tuaj?

Në vitin 1942, babai mbaroi shkollën e mesme Tregtare të Vlorës. Ka qenë i arrestuar një herë në kohën e fashizmit, rreth 6 muaj, si antifashist. Kam një dokument që e tregon qartë, urdhrin e dhënë prej karabinierisë italiane në Vlorë, ku shkruhet se; “Ëngjëll Kokoshi, rrjedh nga një familje nacionaliste. Ai është nipi i të njohurit Qazim Kokoshi, që ka marrë pjesë aktive në demonstratat, me një qëndrim të hapur antifashist”. Sidoqoftë, babai do të arrestohej në 29 nëntor të vitit 1944, por kësaj radhe nga komunistët dhe pasi mbahet rreth 6 muaj i burgosur, lirohet.

Ri-arrestohet përsëri në 9 shtator 1946 dhe më 23 nëntor 1946, duke u akuzuar si; “armik i popullit dhe sabotator i pushtetit popullor”, dënohet me vdekje, kur ishte vetëm 24 vjeç. Kur i ka mbaruar gjyqi, siç e organizonin asokohe, e nxorën që ta shihte populli i Vlorës dhe banorët e lagjes, ku disa prej tyre bërtisnin: “Tradhtarët në litarë”. Me vendim te Gjykatës së Lartë Ushtarake, i kthehet dënimi me 25 vjet, ndërsa Avdyli, vëllai i tij, dënohet me “Grupin e deputetëve”, me vdekje, me pushkatim.

Jepet dënimi me vdekje, pastaj ndryshon, por vuajtje janë pa fund?

Fillimisht e dënuan me vdekje, dhe ashtu ka qëndruar në burgun e Vlorës, rreth 78 ditë, në pritje për ta ekzekutuar, i lidhur këmbë e duar, me skafandër në kokë. Në kohën që ishte dënuar e provokonin, me tortura nga më të ndryshmet. Njëra prej tyre ishte, kur i shkonin në katër të mëngjesit në qeli, i thoshin; “Çohu se të ka ardhur urdhri për t’u pushkatuar”, duke e detyruar të hapte gropën, varrin e tij. Kjo gjë u përsërit disa herë, pastaj e kthenin prapë në qeli.

Ia ndryshuan dënimin, nga me vdekje, në burgim të përjetshëm, më pas ia kthyen me 25 vjet, pastaj në 17 vjet e tetë muaj. Pjesën më të madhe, 15 vjet, i ka kaluar në burgun e tmerrshëm të Burrelit. E filloi në “Qytetin Stalin”, në kampet e punës, në ndërtimin e aeroportit, erdhi ca kohë në Tiranë, pastaj e çuan në Burrel, nga ku doli në vitin 1964.

Edhe patrioti Qazim Kokoshi, xhaxhai i tij, ishte në burg së bashku me Ëngjëllin?

Mbasi e kaloi gjithë ato peripeci, dhe pasi e njoftojnë, që të ka ardhur falja, ishte një oficer që i thotë: “Meqë t’u fal jeta, çfarë do, kërko një gjë”. “E thjeshtë, – iu përgjigj babai, – dua të takoj Qazimin, xhaxhanë, që është në burg edhe ai në Vlorë, rreth 66 vjeç”. U takuan, sa u çmallën, në ato momente, ai vdes në duart e tij, aty ndërroi jetë.

Burgu i Burrelit ishte kthyer si “shtëpi”, për burrat e fisit Kokoshi?

Përveç babait tim, në burgun famëkeq te Burrelit, ishin dhe tre pjesëtarë të tjerë të fisit Kokoshi, Kudret Kokoshi, jurist, poet dhe përkthyes, mbaruar në Itali për drejtësi, i cili ishte arrestuar fillimisht nga Gestapo në Prishtinë dhe më pas internohet në Mat’hauzen, nga gjermanët. Lirohet në dhjetor 1944, arrestohet në Bari si antikomunist nga Brigadat e Kuqe dhe riatdhesohet në Shqipëri, në tetor 1945, dënohet me 25 vjet burgu, i akuzuar si “armik i popullit dhe sabotator i pushtetit popullor”, nga Gjykata Ushtarake e Vlorës, nga të cilat kryen plot 19 vjet.

Një ngjarje tronditëse, ajo me Fatoshin?

Fatosh Kokoshi, i biri i Qazim Kokoshit, jurist, në tetor 1947 dënohet 15 vjet, i akuzuar si “armik i popullit dhe sabotator i pushtetit popullor”, i cili mbasi kryen dënimin, del nga burgu në gjendje të keqe shëndetësore. Ishte i martuar, por nuk kishte fëmijë, dhe me shpresën se do të jetonte, i bën një kërkesë babait tim, (ndërkohe babai im Engjelli, kishte dalë nga burgu dhe kishte krijuar familje dhe ishte në pritje te lindjes time).

“Ëngjëll, – i thotë – jo të parin, por fëmijën e dytë, do të ma japësh mua”? Fatoshit ia kishin prerë shpresat për të jetuar dhe babai, për t’i dhënë sado pak gëzim, në fund të jetës së tij (edhe pse nuk e kishte në plan punën e emrit) i thotë: “Fatosh me lejen tënde, djalit që lindi, a mundet t’i vendos emrin e Qazimit, babait tënd”? Ai u prek, iu mbushën sytë me lot dhe i dha miratimin, por pas dy ditësh, ndërroi jetë dhe motra, e tij, vajza e Qazim Kokoshit, njëkohësisht gruaja e Reshit Çollakut, (“Hero i Popullit”), duke e qarë, i thoshte: “Vdiqe ti, por t’u ngjall babai”, duke iu referuar emrit tim.

Edhe Burimi, një tjetër Kokosh, në burgjet komuniste?

Burim Kokoshi, arrestohet 17 vjeç, në nëntor 1946, Gjykata Ushtarake e Vlorës, e deklaroi fajtor, për “krimin e pjesëmarrjes në organizatën e ‘Ballit Kombëtar’, në operacionet kundër partizanëve dhe ka treguar aktivitet të gjerë reaksionar, kundër pushtetit popullor”, duke e dënuar me 30 vjet burg, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave qytetare e politike, për aq kohë.

Thuhet se; kur ndërronin jetë pjesëtarë të fisit Kokoshi, familjarët, nuk mund të njoftonin dot njerëzit e tyre që vuanin nëpër kampe dhe burgje?

Po, kështu ka ndodhur, si p.sh., në vitin 1947, kur i vdes nëna, Meshtane, e cila vuante nga astma, Ëngjëlli ndodhej në burg. Nezoja, gruaja e Avdylit, ndonëse në një situatë të vështirë, dhe që nuk ishte e lehtë të komunikoje me një të burgosur, i dërgon një letër, ku e shpreh ngushëllimet, pasi në burg, nuk i njoftonin për asgjë.

Pas një kohe, babai i tij, Hasimi, i shkon në burg, për ta parë Engjëllin dhe për t’i dhënë pak ushqime, ai e pyet: “Si është nëna”? dhe menjëherë i thotë: “Pse nuk më ke thënë, që ajo ka vdekur”? Asimi (babai i tij) me lot ne sy i përgjigjet: “Më mirë të kisha vdekur unë, ajo mund të bënte pa mua, ndërsa unë nuk mund të bëj pa atë”. Dhe pas disa vitesh, më 1953 edhe ai ndërroi jetë. Babai, të dy prindërve të tij, nuk mundi t’i hidhte as dhe një grusht dhe.

Shumë vite të babait, në burgun famëkeq të Burrelit?

Në burgun e Burrelit e provokonin, kur bënin inspektime, ai reagonte ashpër. Hiqe batanijen dhe u thoshte: “Ja kushtet ku ne jetojmë, skandaloze, 6 muaj pa ilaçe, 70 vetë në një dhomë”. E merrni dhe e mbanin 30 ditë në qeli. Kur halla shkonte për ta parë në burg, i thoshin: “Thuaj vëllait, të mos i japi gojës”, gjë e cila ishte një sinjal, për ta përcjellë babait.

Thuhet se babai juaj, ka qenë në burg edhe me një italian, Teruzzi?

Është e vërtetë, pasi me babain, në burgun e Burrelit ka qenë edhe italiani Xhiuzepe Teruzi, kunati i Xhiakomino Pozelit, ish-portierit të kombëtares shqiptare në vitet e para të pasluftës. Teruzzi ishte martuar me Aurellia Poselli, një vajzë e bukur italiane, madje thonë se Enver Hoxha, e pëlqente, por ajo e refuzonte. Ishte kjo arsyeja, që ai morri hak, e dënoi, fillimisht me vdekje Xhiuzepen, pastaj me 20 vite burg, ku ai vdiq në Burrel, më 1952.

Ka qenë në një qeli me babain dhe Petrit Velajn, po nga Vlora. Pozeli u kthye në Tiranë më 1993, bashkë me nipin, takoi Ëngjëllin dhe shkuan në Burrel, në kërkim të eshtrave të Teruzit. Bënë kërkime, te qershiza siç i thoshin, i njohur si vendi ku varrosnin ato që vdisnin në burg, ku sot është stadiumi, por, nuk arritën të gjenin asgjë, asnjë gjurmë nga eshtrat e të atit.

Si rrodhi jeta e babait tuaj, pasi doli nga burgu?

Pasi doli nga burgu i Burrelit, gjëja e parë, nuk kishte ku të shkonte, e vetmja mundësi ku mund të sistemohej, ishte Dinushi, vëllai i tij. Dinushi, edhe pse nuk u burgos, i pati vuajtjet, njësoj si babai im, nuk lanë vend pa e dëbuar, nga Rrogozhina, në zonat e thella të Pukës dhe së fundmi, banonte në Elbasan, në një bodrum, së bashku me gruan dhe tre fëmijët e tij.

Kishte mbaruar për Financë në Beograd dhe punonte në fabrikë të çimentos në Elbasan. Tek i vëllai, qëndroi 5-6 muaj. Punonte dy muaj, në një vend, e tre muaj, në një vend tjetër, ku të gjente punë, nga më të rëndat dhe më të vështirat, nga më të ndryshmet.

Si u njohën dhe u martuan me nënën tuaj, martesë na e cila, lindët edhe ju?

Me nënën time u njoh, pasi edhe ajo rridhte nga një familje e persekutuar, familje atdhetare dhe me tradita, me origjinë nga Delvina, me mbiemër Hado, me babain dhe vëllain të burgosur. U martuan, kur babai ishte 44 vjeç, edhe mamaja 35. Në vitin 1967, linda unë dhe mbas shume peripecish, u vendosën ne Shijak, ku banonte një vëlla i nënës time.

Fillimisht nuk i jepnin as leje banimi. Ne Shijak, banonin dhe shume familje te tjera të persekutuara, mbiemra të njohur, si; Kosmaci, Runa, Leskaj, etj., që kishin ardhur aty si të internuar dhe të dëbuar nga vendet e tyre. Dua të theksoj, se pothuajse të gjithë banorët e Shijakut, edhe pse e dinin të shkuarën e prindërve të mi, gjithmonë i kanë mbështetur dhe i kanë përkrahur.

Si ishin marrëdhëniet me fisin Kokoshi, gjatë persekutimit të tyre?

Nezoja, gruaja e Avdylit, e mbante gjallë Ëngjëllin, ishte ajo që i dërgoi letrën në burg, kur i vdiq nëna. I shkruante vazhdimisht, edhe kur ndodhej në burgun e Burrelit. Një letër të tillë, ka mundur ta ruajë, me një foto të Artanit, dy vjeç, që mamaja e tij, ja ka dërguar babait në burg.

Është muaji shkurt i vitit 1948, ku i thotë: “Xhaxhi Ëngjëllit, që të më ketë gjithmonë pranë”, Artani. Edhe më vonë, kur doli nga burgu, Ëngjëlli u interesonte, mbante kontakte, kur shkonte në Shkodër, kur punonte në ndërmarrjen e tensionit të lartë, takonte, Nezihanë, Artanin. Edhe halla, Burbuqja, gjithashtu.

Thuhet se, ku mësuan lajmin për pushkatimin e Avdyl Kokoshit, nuk i lejuan as ta qajnë?!

Kur e pushkatuan Avdylin, i njoftuan; “ejani të merrni rrobat”. Vetëm ato i dhanë familjes dhe siç ishte zakoni, hapen dyert e mortit, te shtëpia e Ali Asllanit, që rrinte në Tiranë. Aty u mblodhën motrat, gratë e fisit, dhe filluan ta qanin me ligje sipas zakoneve, Avdylin, ndonëse pa trupin, kufomën e tij aty. Por dhe për këtë, i ndaluan: “Nuk lejohet, ai është tradhtar nuk mund ta vajtoni” i urdhëruan.

Pse babai, nuk u kthye në Vlorë?

Nuk u kthye në Vlorë, se aty nuk kishte mbetur asnjë nga familja. I kishin sekuestruar gjithçka kishin. Kur i përzunë nga Vlora dhe bastisën shtëpinë, arritën deri aty, që dhe gjellën që po gatuhej mbi sobë, ia morën. Avdyli kur ishte i martuar, kishte sjellë një dhomë gjumi nga Italia, të cilën e mori Josif Pashko dhe deri në fund të viteve ’90-të, e ka pasur i biri tij në shtëpi. Edhe sot në Vlorë, nga trungu i gjyshit tonë, nuk ka mbetur asnjë, nuk jeton askush aty. Ne, nipërit, fëmijët e tyre kemi kohë qe jetojmë në Tiranë, Elbasan, Itali e Kanada.

A ka pasur familjarë dhe të afërm të tjerë, në burgje dhe internime?

Shumë ka pasur. Nga familja, ishte edhe halla, e dyta Burbuqja, që e vuajti shumë, pasi burrin e saj, Shefki Minarolli, e dënuan me 20 vite burg politik, me gjyqin e “Deputetëve” dhe një pjesë të dënimit, ka qenë me Engjëllin, në burgun e Burrelit. Edhe halla e madhe, Qanija, e martuar me Ali Asllanin, ish-kryetari i parë i Bashkisë Vlorë, ambasador në Athinë, Sofje etj., poet, publicist, njeri i njohur në Tiranë e më gjerë. Nuk bëri burg, por nuk i jepnin as një pension minimal, edhe pse ka qenë nëpunës i lartë shteti. Atë që kanë hequr ata, të tilla vuajtje, persekutime, dënime, mos i provoftë askush.

Në fund të kësaj interviste, çfarë mund të shtoni, a keni ndonjë peng?

Ironia më e madhe sot, nga të dyja kahet politike, është se mungon respekti, vlerësimi për kontributin patriotik, që ka dhënë familja Kokoshi në Vlorë, më gjerë. Për dënimet, vuajtjet e kësaj familjeje, do më vinte mirë, sikur të shikoja qoftë dhe një emër rruge, me mbiemrin e familjes tonë në Vlorë. Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular