Avokati i Salianjit, Ledio Braho, ka folur për mediat pas përfundimit të seancës ku do të shqyrtohej kërkesa për pezullimin e ekzekutimit me burg të deputetit Ervin Salianji. Braho u shpreh se për sa kohë objekti i kërkesës nuk qëndronte më pas dorëzimit të Salianjit, ata u tërhoqën nga kërkesa.
“Ne u tërhoqëm nga kërkesa pasi pezullimi i ekzekutimit të vendimit nuk qëndronte objekti”, u shpreh ai.
Braho foli edhe në lidhje me mënyrën se si deputeti i PD po përballon burgimin.
“Salianji është i qetë. Zgjodhi vetë të dorëzohej. Të gjithëve kur u kufizohet liria, kanë problematikat e veta, por duke qenë se po vuan një dënim politik ai do të çojë deri në fund. Nga Gjykata e Lartë pretendojmë pezullimin e vendimit të Apelit”, u shpreh ai.
Ledio Braho: Kërkesa e sotme ishte pa objekt, hoqëm dorë nga ajo. Presim vendimmarrje nga Gjykata e Lartë që do të gjykohet më 15 tetor. Mjeti procedural aty është i arsyeshëm për t’i gjykuar dhe presim një vendimmarrje nga Gjykata e Lartë, presim pezullimin. Salianji ka bërë një denoncim publik. Vendimi i Gjykatës së Apelit ende nuk është zbardhur, nuk i dimë arsyet pse u la në fuqi vendimi i shkallës së parë. KQZ nuk e ka hequr mandatin e deputetit Salianji, presim vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë.
Pyetje: Si po e përballon burgun Salianji?
Ledio Braho: Gjatë takimeve është i qetë. Është një çështje që ai e zgjodhi vetë. Të gjithëve kur u kufizohet liria, kanë problematikat e veta, edhe të ekzekutimit të vendimit por duke qenë se po vuan një dënim politik ai do të çojë deri në fund. Nga Gjykata e Lartë presim pezullimin e vendimit të Apelit.