Gjykata e Durrësit nuk pranoi të mërkurën që të vërtetojë mandatin e kërkuar nga kandidatja socialiste për kryebashkiake, Valbona Sako.
Vendimi i kësaj gjykate shkon në përputhje me deklaratën e bërë nga misioni i ODIHR një ditë pas votimeve të 30 qershorit, kur u tha se regjistrimi i Bindjes Demokratike nga KQZ nuk ishte në përputhje me ligjin.
‘KQZ-ja e regjistroi Bindjen Demokratike (BD) si subjekt zgjedhor më 27 prill, ndonëse kjo e fundit ishte regjistruar si parti politike vetëm më 25 prill me një vendim gjykate që mori formë të prerë më 10 maj.
Përveç kësaj, KQZ-ja nuk i kërkoi partisë së saporegjistruar, Bindjes Demokratike, të mblidhte firma mbështetëse, duke e shpërfillur kërkesën për periudhën gjashtë-mujore,’ thuhet në deklaratën e ODIHR.
Më tej theksohet: ‘Më 2013-ën dhe 2015-ën, KQZ-ja refuzoi regjistrimin e Partisë Civile të Shqipërisë dhe Partisë Shkodra 2015, të cilat nuk kishin paraqitur vendime të formës së prerë të gjykatës për regjistrimin e tyre si parti politike’.
Ndërkohë ky argument prezantohet edhe nga Gjykata e Durrësit.
‘Në momentin e paraqitjes së kërkesës ‘Partia Bindja Demokratike’, nuk kishte fituar akoma personalitetin juridik, pasi në mbështetje të nenit 9/2 te ligjit ‘Për Partitë Politike’: ‘Partia politike njihet si person juridik që nga data kur gjykata ta ketë miratuar dhe regjistruar atë’.
-Gjithashtu Partia ‘Bindja Demokratike’, duke mos qenë e regjistruar në Gjykatë, në momentin e paraqitjes së kërkesës për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ, nuk kishte zotësi juridike për të fituar të drejta dhe për të marrë përsipër detyrime, sikurse është marrja pjesë në zgjedhjet e Organeve të Qeverisjes vendore të datës 30.06.2019.
-Sa sipër, rezulton se Partia Bindja Demokratike është regjistruar si subjekt zgjedhor nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ-s) në shkelje të nenit 64 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe nenit 9 të Ligjit ‘Për Partitë Politike’,’ thekson gjykata.