Misionet hapësinore i kanë magjepsur gjithmonë njerëzit. Dhjetëra filma dhe libra pak a shumë të besueshëm kanë treguar aventurat e personazheve mitikë, të konsideruar shpeshherë heronj nga vendet e tyre. Eksplorimi i hapësirës është aq i rëndësishëm sa për disa dekada ishte fushëbeteja e Luftës së Ftohtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, e fituar nga e para me Apollo 11 dhe ekuipazhin e saj.
Shumë gjëra kanë ndodhur që atëherë. Për shembull, investimet shtetërore janë ulur, projektet politike kanë ndryshuar dhe po ashtu edhe perceptimi i rrezikut. Në vitet 1960 ishim të gatshëm të merrnim rreziqe më të mëdha duke përfshirë faktin që astronautët mund të mos ktheheshin në tokë.
Megjithatë, që atëherë përparimi i bërë ka qenë i jashtëzakonshëm dhe sot ka edhe nga ata që do të donin ta çonin njeriun në Mars. Sidomos një person: Elon Musk në krye të SpaceX, kompanisë së hapësirës ajrore që pak ditë më parë përfundoi një nga testet hapësinore më të paharrueshme. Pse?
Vitet e fundit, Elon Musk ia ka dalë të fitojë fonde publike për të planifikuar dhe zhvilluar misionet e tij hapësinore. Bëhet fjalë për disa miliarda që NASA i ka dhënë kompanisë së hapësirës ajrore të Musk.
Me kalimin e viteve, shtetet kanë reduktuar investimet e tyre në këtë fushë. Buxheti federal i Shteteve të Bashkuara i rezervuar për NASA-n arriti një maksimum historik në vitin 1966, kur tejkaloi 4.4% të buxhetit total. Më pas me kalimin e viteve ato investime u ulën dukshëm dhe sot janë nën 1%.
Me fjalë të tjera, projektimi dhe zhvillimi në këtë fushë janë shumë të kushtueshme, ndaj është më mirë t’i besohen sektorit privat.
Edhe bota farmaceutike e ka ndjekur pak a shumë këtë rrugë, apo jo?
Shtetet investojnë më pak në kërkime dhe kur papritmas, siç ndodhi gjatë pandemisë së Covid, lind nevoja për një vaksinë, i drejtohemi sektorit privat sepse sektori publik nuk është në gjendje të përgjigjet menjëherë, sepse me kalimin e viteve ka marrë gjithnjë e më pak para.
Por le të kthehemi tek SpaceX. Vitet e fundit ka kryer teste të shumta, shpesh me rezultate negative si ai i Falcon 9 korrikun e kaluar. Megjithatë, duhet thënë se para këtij dështimi shumë teste dhe misione kanë qenë të suksesshme.
Po çfarë ndodhi më 13 tetor? SpaceX, kompania e hapësirës ajrore e Elon Musk, ka përfunduar një nga testet hapësinore më të paharrueshme.
Pse ishte historik
Deri kohët e fundit, dukej e pamundur të fluturoje një raketë hapësinore me madhësinë e një ndërtese 20-katëshe, por SpaceX e bëri. Pasojat e testit të suksesshëm mund të tejkalojnë edhe atë hap të famshëm përpara për njerëzimin, që hodhi Neil Armstrong më 20 korrik 1969. Njeriu mund të kthehet në Hënë dhe madje të shkojmë deri në Mars.
Ky është premtimi i Elon Musk, pronar i SpaceX. Por është pikërisht ulja e butë e kësaj rakete që mund të ndryshojë gjithçka. Raketa përdoret për të shtyrë në orbitë anijen Starship, transportuesin më të madh hapësinor.
Por për çdo lëshim, raketa duhet të shkatërrohet dhe gjithmonë nevojitet të prodhohet një e re. Megjithatë, kjo mund të shmanget nëse raketa arrin të kthehet pas dhe të jetë në gjendje të rivendoset në bazën prej nga u lëshua. Në këtë mënyrë kursimi kohordhe mbi të gjitha ekonomik do të ishte i jashtëzakonshëm, dhe do ndihmonte shumë zhvillimin e projektit.
Por ky sukses i kompanisë së Elon Musk disa javë para zgjedhjeve amerikane mund të jetë edhe një sukses i Donald Trump. Në fakt, ne e dimë që Musk e mbështet atë, ai i qëndroi në krah pas sulmit të dështuar në Pensilvani dhe pikërisht aty, dy muaj më vonë, Musk doli në skenë përkrah tij për herë të parë.
Po si mund të ketë rëndësi kjo për garën për Shtëpinë e Bardhë?
Hyrja zyrtare e Musk në skenë na kujton se prania e tij është e rëndësishme para së gjithash nga pikëpamja ekonomike. Në fakt, deri më tani fushata e Trump ka mbledhur më pak se gjysmën e fondeve të Kamala Harris dhe bilanci është negativ, Musk po financon fushatën zgjedhore republikane me America PAC-un e tij. Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme nga shifrat federale, aktualisht i tejkalon 86 milionë dollarë.
Por në fund, sa ndryshim sjell vërtet mbështetja e Musk për Trump? Ne e dimë se mbështetjet e njerëzve të famshëm, historikisht nuk kanë bindur kurrë kaq shumë njerëz të votojnë. Në këtë fushatë zgjedhore patëm shembullin e parë me mbështetjen e Taylor Swift për Kamala Harris, në të njëjtën mbrëmje me debatin presidencial.
Të nesërmen, mbi 400 mijë njerëz ndoqën link-un e postuar nga Swift për t’u regjistruar për të votuar në uebsajtin e qeverisë, por nuk e dimë se sa e kanë bërë në të vërtetë një gjë të tillë dhe më pas sondazhet mbetën praktikisht të pandryshuara, dhe nuk kishte asnjë shenjë të një ndikimi të qartë në votën e të rinjve.
Pra, mund të kemi të njëjtin ndikim të kufizuar nga ana e Musk, edhe pas sukseseve të SpaceX ose 47 dollarëve të ofruara për të votuar. Mbështetja financiare e miliarderit është sigurisht shumë e dobishme për fushatën republikane dhe ky është i vetmi ndryshim që mund të shohim në këto zgjedhje presidenciale për momentin. / bota.al