BallinaOP EDProcesi i Berlinit, për më shumë arritje dhe syçelje!

Procesi i Berlinit, për më shumë arritje dhe syçelje!

spot_img
spot_img

Nga Bujar Leskaj
Procesi i Berlinit filloi më 28 gusht 2014, me Konferencën e Berlinit, të organizuar nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ishte shumë e shqetësuar për mundësitë e larta të destabilizimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor nga influenca ruse, pas aneksimit të Krimesë nga Putin në shkurt dhe mars 2014.

Prandaj dhe Merkel, Zonja e Hekurt e Bashkimit Evropian, i ftoi qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin. Në Konferencë merrnin pjesë edhe dhjetë vende të BE-së. Përveç Gjermanisë, ishin Austria, Franca, Italia, Polonia, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Sllovenia dhe Britania e Madhe, e cila në atë kohë ishte pjesë e Bashkimit Evropian.

Shumë takime dhe pak arritje konkrete

Që nga viti 2014 e deri tani, janë mbajtur samite vjetore në qytete të ndryshme evropiane si Vjena, Londra, Parisi, Trieste, Poznani, Sofja, Berlini dhe Tirana. Çdo vit, vendet pritëse shtonin nga një prioritet të vetin, i cili shoqërohej me nga një ministerial. Ndërkohë numri i ministerialeve dhe i takimeve tematike është shumë i madh. Sot organizohen ministeriale vjetore për bashkëpunim ekonomik, shkëmbime rinore, siguri, digjitalizim, energji të gjelbër, bujqësi, ministerial për romët dhe ministerial për çështjet gjinore.

Takimi i dhjetë do të mbahet sërish në Berlin më 14 tetor 2024. Të duket se drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor ngelën duke u takuar në paradhomën e Bashkimit Evropian, nga një tremujor në tjetrin. Edhe pse takimet e përvitshme të këtij proces kanë ndihmuar që perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së të mbetet e gjallë, në mes të një Evrope të Bashkuar, të ndodhur në darën e populizmit kronik dhe të lëvizjeve ekstremiste për shpërbërjen e saj, rezultatet konkrete të Procesit të Berlinit janë shumë të pakta.

Në nëntor të vitit 2022, krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan tri marrëveshje të lëvizshmërisë së lirë, ku ranë dakord për lëvizje të lirë me karta identiteti, njohjen e diplomave universitare dhe disa kualifikime profesionale. Deri më sot, zbatimi i këtyre marrëveshjeve ka ngecur. Megjithatë, Procesi ka arritje, edhe pse të pakta.

Kështu, përveç heqjes graduale të tarifave të roaming-ut për internetin dhe thirrjet telefonike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, RYCO, Zyra e Shkëmbimit dhe Bashkëpunimit Rinor, konsiderohet një nga projektet shembullore të Procesit të Berlinit, pasi deri tani ajo ka bashkuar 31 mijë të rinj nga rajoni.

Mosarritja madhore: dimensioni politik i bashkëpunimit

Ndërkohë, mosarritja më e madhe mbetet dimensioni politik i bashkëpunimit. Procesi i Berlinit, megjithë arradhën e madhe të samiteve dhe ministerialeve, nuk i ka stabilizuar marrëdhëniet politike rajonale në mënyrë të përhershme. Serbia vijon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, duke ndjekut ende një politikë agresive rajonale, e cila bazohet në konceptin e “botës serbe”. Ky këndvështrim i ngushtë nacionalist, që promovohet nga krahu nacionalist i udhëheqjes serbe me në krye Vuçiç, synon të bashkojë serbët në vende të ndryshme të Ballkanit, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë. Shumë probleme në Procesin e Berlinit nuk diskutohen për të arritur kompromise. Në Serbi, strukturat demokratike vazhdojnë të degradohen dhe presidenti Vuçiç po përdor konfliktin me Kosovën, për të forcuar kontrollin e tij politik. Vuçiç nuk lejon që kritikët e regjimit nga vende të tjera të hyjnë në vend dhe ka dobësuar median dhe lirinë e shprehjes.

Në samite dhe ministeriale, duket sikur me rëndësi parësore për drejtuesit e BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor është të prodhojnë një tjetër “foto grupi”, që jep përshtypjen e të punuarit bashkë dhe të suksesit. Projekti kryesor i Procesit të Berlinit, Tregu i Përbashkët Rajonal, mbetet ende jo funksional, megjithë akordinimin e 30 miliardë eurove fonde në këto 10 vite nga ana e BE-së dhë përdorimin e gjysmës së tyre, kryesisht në projekte infrastrukturore rajonale. Shkak i dështimit të deritanishëm është konflikti i pazgjidhur midis Serbisë dhe Kosovës.

Sa shpresë ngjall CEFTA?

Në dhjetëvjetorin e tij, Procesi i Berlinit synon të arrijë një marrëveshje të re: CEFTA. Marrëveshja rajonale e tregtisë së lirë do të lidhë më ngushtë vendet e Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët të BE-së. Në fakt, marrëveshja nuk është shumë e re, sepse të gjitha vendet e rajonit janë anëtare të saj, përfshirë edhe Kosovën, e cila deri tani përfaqësohej nga UNMIK-u. Rinënshkrimi i marrëveshjes i jep mundësi Kosovës të përfaqësohet në CEFTA nga qeveria e saj. Pak para samitit te 14 tetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti hapi pikën e Merdarës për të lejuar aty kalimin e mallrave serbe, në një lëvizje politike të qartë vullnetmirë.

Bllokada e importeve nga Serbia ekziston që nga qershori 2023, e vendosur nga Qeveria e Kosovës, për të ndaluar kontrabandën e armëve nga Serbia në Kosovë. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, në takimin përgatitor të ministrave të Jashtëm, e quajti këtë një “hap historik” për rajonin. Por a do të implementohet marrëveshja CEFTA në të gjitha vendet e rajonit? Ajo mund të nënshkruhet në letër, por zbatimi në praktikë është një sfidë e madhe. Mjafton të kujtojmë faktin se, duke u bërë promotorë të pseudonismës për integrim rajonal “Ballkani i Hapur” që në vitin 2018 me takimin në Nish të Serbisë, Rama dhe vëllai i tij siamez, Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, u sollën që të dy si minues të Procesit të Berlinit. Ata e detyruar Procesin të ngadalësonte dukshëm dhe të hapte krahun për vite të tëra, për t’i lënë udhë surrogatit “Ballkani i Hapur” që e gatuan vetë.

Gjermania dhe BE të shohin syhapur korrupsionin e qeverisë shqiptare!Megjithë denoncimet e shpeshta të vetë Departamentit Amerikan të Shtetit në raportet e tij për Shqipërinë, të Transparency International, të SELDI, Lidershipi i Europës Juglindore për Zhvillim dhe Integrim, të Grupit të Bazelit për Veprim dhe të shumë institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare prestigjoze, mbyllja e deritanishme e syve nga Shtetet kryesore Anëtare të BE-së ndaj korrupsionit galopant të sektit Rama në pushtet në Shqipëri, e ka bërë Ramën më autokrat dhe agresiv.

Kjo symbyllje, në emër të mbajtjes së statukuosë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, ka kontribuar bindshëm në kthimin mbrapsht të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë në Shqipëri. Tashmë në vend nuk ka më votim të lirë dhe opozita ndodhet nën agresionin e parreshtur 11 vjeçar të sektit dhe një shteti të kapur në të gjitha qelizat e tij, duke filluar nga Kuvendi, institucionet qendrore, institucionet e pavarura dhe shumica derrmuese e medias, të blerë nga tenderat e Ramës. Vetëm një qëndrim i prerë kritik dhe denoncues i BE-së mund ta frenojë deri diku autokratin e Shqipërisë dhe ndër autokratët “më në zë” në Ballkan.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular