Magjistratët e seksionit të emigracionit në gjykatën e Romës në Itali, kanë vendosur se 12 emigrantët e sjellë në Shqipëri, duhet të kthehen të gjithë në Itali.
Sipas La Repubblica, ditën e sotme magjistratët e Romës nuk miratuan vendimin për mbajtjen në Shqipëri të 12 azil kërkueseve që vinin nga Egjipti dhe Bangladeshi. Ata u ndaluan natën e 13 tetorit nga Gauardia di Financa italiane, në ujërat ndërkombëtar, e quajtur si zona Sar. Ata u transferuan në bordin e anijes Libra nga Marina e Italisë deri në portin e Shëngjinit dhe nga aty në qendrën e Gjadrit.
Shkak i vendimit të drejtësisë italiane, ishte vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së i dalë më 4 tetor.
Në atë vendim të Gjykatës Europiane thuhet se një shtet për t’u konsideruar i sigurte, duhet të jetë i tillë në çdo pjesë të tij për çdo person. “Nuk mund të kenë paragjykime apo diskriminime, ose tortura në asnjë zonë të territorit. Egjipti dhe Bangladeshi, siç është dhe Tunizia, nuk janë vende të sigurta”- thotë vendimi.
Emigrantët në qendrat përtej kufirit nuk mund të qëndrojnë dhe as të lihen të lirë në territorin shqiptar. Këtë e ka përsëritur edhe kryeministri Edi Rama në intervistën e dhënë për La Repubblica. Kështu, emigrantët do të duhet të hipin sërish në një anije për t’u kthyer në Itali, në portin ku qeveria italiane vendos t’i lërë të zbarkojnë ne terriotorin e saj.
Më pas ata do të kenë 14 ditë nga dita e sotme për të apeluar kundër refuzimit të kërkesës së tyre për azil tek të njëjtat gjyqtarë të seksionit të imigracionit, të cilët do ta vlerësojnë atë rast pas rasti.
Por duke qenë se refuzimet janë bërë nga procedurat kufitare të cilat tashmë janë të pazbatueshme, ka shumë të ngjarë që kërkesat për azil të rivlerësohen sipas procedurave të zakonshme që zgjasin më shumë.
“Prandaj autoritetet italiane kanë për detyrë të kthejnë të arrestuarit në Itali dhe t’i lejojnë ata të ushtrojnë të drejtën e azilit në territorin italian”, sqarojnë avokatët Silvia Calderoni, Paolo Iafrate dhe Arturo Salerni, të cilët po ndihmojnë një shtetas nga Bangladeshi të 12 të ndaluarit në Gjadër.
“Nga 85 të shpëtuar në det nga katër varka, vetëm 16 u dërguan në anijen 13-vendëshe të Marinës. Dy të mitur të tjerë janë kthyer mbrapsht sapo kanë mbërritur në portin e Shëngjinit. Monitorimi i cenueshmërisë më pas përjashtoi dy të tjerë. Qendrat shqiptare me mijëra vende që funksionojnë që nga 13 tetori mund të mbeten bosh nga mbrëmja e sotme”, shkruan La Rrpubblica.