BallinaOP EDAnaliza e DW: Mali i Zi dhe regjistrimi, shtet civil apo “Bosnja...

Analiza e DW: Mali i Zi dhe regjistrimi, shtet civil apo “Bosnja e vogël”?

spot_img
spot_img

Cilat janë vërtet rezultatet e regjistrimit në Mal të Zi, dhe sa ka vërtet serbë? A do të ketë thellim të përçarjeve?

Sipas rezultateve të regjistrimit të kryer nga Administrata e Statistikave të Malit të Zi (MONSTAT) në dhjetor të vitit të kaluar, shumica e shtetasve në Mal të Zi janë malazezë me 41,12 për qind (256.436 qytetarë), serbë janë 32,93 për qind (205.370), ndërsa boshnjakë janë 9,45 për qind (58,956).

Shumica e qytetarëve në këtë vend thonë se flasin serbisht – 43,18 për qind (269,307), ndërsa malazezisht flasin, 34,52 për qind (215,299).

Ky është regjistrimi i parë i popullsisë pas zëvendësimit të qeverisjes së Partisë Demokratike Socialiste të Milo Gjukanoviçit dhe i pari që nga ardhja në pushtet e partive pro-serbe të ish-Frontit Demokratik.

Rezultatet e regjistrimit u pritën për dhjetë muaj, por ato për gjuhën, fenë dhe kombin nuk ndryshuan në mënyrë drastike në krahasim me regjistrimin e vitit 2011.

Ndërmjet dy regjistrimeve numri i malazezëve u ul me 22,429, ndërsa numri i serbëve është rritur me 27,260. Serbishten e flasin 0.3 për qind më shumë qytetarë se 12 vjet më parë, ndërsa numri i qytetarëve që kanë gjuhën amtare malazeze është zvogëluar me 2,5 për qind.

Identitete të qëndrueshme

“Rezultatet e regjistrimit tregojnë për stabilitetin e identiteteve të krijuara, por tregojnë po ashtu se përçarjet në shoqërinë malazeze mbeten të njëjta”, tha për DW analisti Sergej Sekuloviç.

Kryeministri dhe lideri i Lëvizjes Evropa Tani Milojko Spajiç deklaroi në rrjetin X se “i vetmi fitues i vërtetë i listës është Mali i Zi evropian, civil, i cili është mjaft i madh për të gjithë”.

Kryetari i Kuvendit Andrija Mandiç, partneri i koalicionit të Spajiçit, tha se “si pjesëtar i popullit serb” është i kënaqur sepse numri i serbëve në Mal të Zi është rritur në krahasim me regjistrimin e fundit.

Të kënaqur janë edhe në Partinë Demokratike të Socialistëve në opozitë, pasi siç thonë ata, megjithë “përpjekjet për të bërë ndryshime etnike me ndihmën e autoriteteve në Serbi, karakteri civil i shtetit është ruajtur”.

Rihapet çështja e gjuhës serbe

Përkundër faktit se, pas rivendosjes së pavarësisë në vitin 2006, gjuha malazeze u shpall gjuhë zyrtare në Mal të Zi – fakti që serbishten e flitet  shumica e qytetarëve në këtë vend, është një dëshmi e mjaftueshme e partive  serbe që përbëjnë qeverinë, që të fillojë procedurat për ndryshimin e Kushtetutës, në mënyrë që edhe serbishtja të jetë gjuhë zyrtare në Mal të Zi.

“Një në tre banorë në Malin e Zi është serb dhe gjuha serbe është gjuha e shumicës. Pres që edhe ju të thoni se gjuha e shumicës është gjuha serbe dhe se ajo duhet të jetë gjuhë zyrtare”, thotë deputeti i Demokracisë së Re Serbe, Dejan Gjuroviç.

Zyrtarët e ish-Frontit Demokratik fillimisht paralajmëruan iniciativën për zyrtarizimin e gjuhës serbe, në qoftë se në regjistrim rezulton se ajo ishte gjuha amtare e më shumë se 50 për qind të qytetarëve. Ata kanë pritur këto rezultate, por ato nuk dolën sipas pritjeve të tyre.

Në anën tjetër, deputeti i DPS-së, Nikolla Miloviç, thotë për DW ka një mendim më ndryshe: “Nëse nisma (për ndryshimin e Kushtetutës) hyn në rend dite, sigurisht që do të jemi kundër. Do të doja që të fillojë tani, që të sqarojmë disa gjëra deri në fund, të shohim se çfarë po bëjnë partitë në pushtet. Mali i Zi është një shtet qytetar dhe me këtë regjistrim, ka marrë fuind kjo histori”, shton Miloviç.

Iniciativa për ndryshimin e Kushtetutës në pjesën gjuhësore është legjitime, por sipas analistit Sekuloviç, pyetja themelore është se cili është qëllimi i saj – forcimi i shtetit qytetar apo forcimi i politikës së identitetit etnik?

“Rezultatet e paraqitura mund të sjellin përçarje, por edhe integrim. Mbeten të gjitha dilemat e dikurshme, vetëm se tani po ashpërsohet debati, ose thënë më mirë po përshpejtohet procesi ku të gjithë duhet të dalin qartë dhe hapur dhe të shpjegojnë politikën e tyre ndaj Bashjkimit Evropian. Ata duhet të thonë nëse e mbështesin Malin e Zi si një shtet qytetar, apo duan një ‘Bosnjë e vogël’”, thotë Sekuloviç.

Në këtë kuptim nuk kemi dëgjuar “asgjë të re”, ndarjet mbeten si dhe deri tani, ndërsa shtrohet pyetja se çfarë do të bëjnë elitat politike me të dhe si do të reagojë shoqëria.

Rusët erdhën dhe mbetën

Lajmi më i madh që solli ky regjistrim është për sa i përket regjistrimit kombëtar të rusëve. Rusët tani janë pjesë e Malit të Zi me mbi dy për qind, që është grupi i pestë etnik më i madh në Mal të Zi, pas malazezëve, serbëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve.

Këta janë kryesisht njerëz që kanë ardhur për të jetuar në Mal të Zi më herët, kryesisht në bregdet, por ka edhe nga ata që kanë ardhur pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.

Edhe pse të dhënat treguan një numër të konsiderueshëm refugjatësh ukrainas në Mal të Zi gjatë vitit të kaluar, numri i ukrainasve në regjistrim ishte vetëm 0,5 për qind./DW

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular