Nga Zëri i Amerikës
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la sot në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj ish presidentit të Republikës, Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë. Po ashtu gjykata la në fuqi masat e mëparshme të sigurisë ndaj deputetes Monika Kryemadhi, dhe dy persona të tjerë, si persona nën hetim si të dyshuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Zoti Meta i është drejtuar me fjalë fyese e kërcënuese drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani, i pranishëm në seancë. Me rinisjen e seancës pas disa orësh, zoti Meta dhe zonja Kryemadhi kanë dhënë vet shpjegime para gjykatës, por ato nuk mjaftuan për ta bindur gjykatën, që të ndryshonte masat e arrestit.
Ish presidenti i Republikës, Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë, iu drejtua sot me fjalë fyese e kërcënuese drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, gjatë seancës mbi masën e arrestit ndaj tij dhe tre personave nën hetim mbi dyshimet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Burime nga gjykata bëjnë të ditur jozyrtarisht se në seancën që nisi në mëngjes ishte i pranishëm, krahas prokurorëve të çështjes, edhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, i cili ruajti qetësinë teksa zoti Meta hodhi ndaj tij fjalë fyese.
Zoti Meta është në arrest me burg prej të hënës në mesditë, deputetja Kryemadhi dhe Ema Çoku janë nën detyrim paraqitje, ndërsa Piro Xhixho është në arrest shtëpie.
Avokatët mbrojtës të tyre kërkuan kohë nga GJKKO, që të njihen me aktet hetimore, ndaj seanca u ndërpre për tre orë, për të rifilluar në mesditë.
Ish-presidenti Meta mësohet se ka zgjedhur që të japë vetë para gjykatës, dhe jo përmes avokatit, shpjegimet mbi materialet hetimore dhe episodet e dyshura si korruptive të paraqitura në vendimin e GJKKO-së mbi masat e arrestit. Bëhet e ditur se me këto shpjegime zoti Meta ka vazhduar për rreth dy orë.
Ai ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se nuk ka shkelur ligjet, madje ka shtuar se “për një pjesë të episodeve që renditen në vendim”, ai nuk ka qenë në dijeni të ngjarjeve.
Pas tij, edhe deputetja Kryemadhi ka nisur të japë shpjegimet veta para gjykatës, pa ndërmjetësinë përfaqësuese të avokatit.
Edhe ajo ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë mes të tjerash se ka ndihmuar biznesmenë të ndryshëm, por nuk ka përfituar prej tyre. Edhe dy personat e tjerë Çoku e Xhixho nuk kanë pranuar akuzat dhe janë shprehur se nuk kanë kryer vepra penale.
Zoti Meta dhe zonja Kryemadhi e kanë cilësuar çështjen ndaj tyre si të motivuar politikisht dhe si një sulm kundër opozitës nga ana e kryeministrit Edi Rama.
Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe politikanë të tjerë opozitarë.Ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës theksuan sërish mbështetjen e tyre mbi përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë.
Ky qëndrim i Uashingtonit u shpreh në një përgjigje të Departamentit amerikan Shtetit të martën në mbrëmje, ndaj një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar pas arrestimit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
“Jemi në dijeni të arrestimit. Ju referojmë tek autoritetet shqiptare për detaje të mëtejshme në lidhje me rastin. Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”, shprehet një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, e cila e ndodhet sot në Tiranë, e pyetur nga gazetarët mbi arrestimin e ish-presidentit Meta, tha se nuk mund të komentojë atë.
“BE bashkëpunon me Shqipërinë për reformën gjyqësore, por kjo nuk ka të bëjë me çështje individuale”, tha zonja Von der Leyen.
Edhe kryeministri Rama nuk e komentoi çështjen Meta.
“Qysh se ka filluar reforma në drejtësi, as unë dhe as forca politike, që unë udhëheq, nuk ka bërë komente për çështje, që i takon drejtësisë… Rasti konkret është tipikisht një rast, që i takon drejtësisë”, tha zoti Rama.
Ish-presidenti Meta dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.