Nga SHefqet Meko
-Skicë e fantazuar larg vendgjarjes-
Shemshi Dibrani mori në dorë urdhërin e gjykatës: “Mehmet Palaço, të arrestohet”. Kolonel Dibrani u trondit në atë zyrë shtetërore. Si mund të arrestohej idhulli i tij? E lexoi me syze vendimin e gjykatës. Ishte urdhër. Kujtoi konferencat, britmat, ovacionet për kryetarin lavdimadh të partisë që ai kishte admiruar. Në fakt ai në fillim ishte me partinë tjetër, pastaj shkoi me atë në pushtet, më vonë tek “ngjala poltike” dhe aty kishte mbetur. I kishin premtuar se do ta bënin ministër të brendshëm. Nuk e bënë. I thanë se do ishte kryepolic, edhe aty nuk e mbajtën falën. I thanë “Duro Shemshi…Duro…”. Ai duroi si polic dhe kolonel i zellshëm. Ai vdiste për lavdiplotin shqiptar, i moshës së tij, por toskë. Me emër ndryshe, por sheh si ai. Kur erdhi shansi për të konkuruar për një post të lartë policor, ishte i pari të aplikonte, por ja “dhjenë” ata në pushtet…
Shemshi Dibrani ngeli një oficer operativ. Pa pushtet. Pa fuqi urdhëruese me sytë tek “pushteti i ri” që mund të vinte. Ishte shërbëtor i mirë. I devotshëm. Besnik. Plot qyfyre në tavolinë. Mjeshtër kurthesh për ata që humbisnin pushtetin apo ishin në rrezik. Pelivan për ata që u qeshte pushteti…
Atë ditë tetori ai ishte operativ shërbimi në ministri. Ministria që deshte dhe ëndërronte. Ra zilja e telefonit. “Jam operative në shërbim, Kolonel Dibrani” u përgjigj. Ajo që dëgjoi nuk e besoi. Ishte lëshuar urdhër arresti për Shefin e Madh të Shemshi Dibrës? Nuk mund t’u besonte veshëve. Ndërkohë në postën sekrete, urdhëri kishtë arritur thjesht “për dijeni”. Me kufje në dorë, u përpoq të hapte zarfin e dyllosur. Ishte po ai urdhër me firmë e vulë të freskët: “Mehmet Palaço, të arrestohet”.
Nuk u besoi syve. Si mundi të lexonte atë urdhër të zi që gati i dha infarkt. Ai shpresonte se Mehmet Palaço do vinte prap në pushtet bashkë me Bambush Baftjarin e famshëm që nuk e deshte Amerika. Shemshi Dibrani ishte një lavdi e pashkruar në forcat ligjzbatuese shqiptare. Ai ishte prap në punë, edhe pse në një regjim represiv dhe antidekraatik. “Rri në punë për pensionin. E urrej kryeministrin” kishte thënë në mes miqve Shemshi Dibrani. I erdhi në mendje të bënte një “tradhëti” profesioniste. Ta merrte në telefon idhullin e vet dhe ta pyeste se si do kishte dëshirë të arrestohej: në shtëpi, në kafene, në zyrë apo në publik? “Do ja bëj këtë ndër… Shefi e meriton kaq” mendoi Shemshi Dibrani… Nuk ngurroi dhe nga celulari privat, në një ndërtesë qeveritare telefonoi të dyshuarin për arrest:…Zilja binte…
-Alo. Shemshiu jam. Ata e kanë vendosur arrestimin, vetëm më thuaj si e do të lutem. Kaq nder unë e kam ndë dorë…. Në shtëpi, tek zyra apo tek sheshi “Skënderbej…? Jam unë Shemshiu…
Askush nuk po përgjigjej. Telefoni ishte hapur. Tutje si në një guvë fshati dëgjohej një zhurmë buçkaritëse. Të shara,britma çoroditëse….
-Jam Shemshi Dibrani. Si e do arrestimin zoti Palaço? Unë jam këtu nga ministria…
Tutje dëgjoheshin britma, hungëllima, të shara… “Horra. Vagabondë të narkoshtetit..Jam Vojo Kushi unë…Jam Vasil Laçi…. Historia jam unë ore horra qeveritarë, ore vagabondë të regjimit…. Ora motrashkërdhyer…A e dini kë po prekni more?!…Unë jam Mehmet Palaço o të marrë. Nuk ma dini forcën.”
-Jam Shemshiu, si më dëgjon shef? Jam këtu të të ndihmoj…
Asnjë përgjigje. Ca zëra të prerë si komandë ushtarake dëgjoheshin në krahun tjetër. Me sa duket aksioni ishte kryer. Shemshi Dibra nuk kishte mundur të bënte nderin e fundit shefit që i ishte dhënë bukë dhe pushtet. Ishte gati të vdiste për udhëheqsin e largpamës që i kishte ndriçuar të ardhmen demokratike duke e bërë edhe kolonel Dibrani.U lemeris. Në radiogram shënohej: “Pas një rezistence banale, urdhëri u zbatua”.
Shemshi Dibrani gati u këput në zyrë. Edhe një shans që kishte për t’i shërbyer “shef-madhërisë” së vet që e kishte bërë me para dhe grada, nuk mundi. U ndje i dobët. Për herë të parë kuptoi se shteti dhe ligji janë “krushq të egërr” që nuk pyesin…
-Po shkojmë në Europë?- pyeti si i dehur Shemshin Dibra.
-Jo Kolonel Dibrani, Europa dhe Amerika po vjen tek ne.- dëgjoi një zë.
Lëshoi përtokë telefonin e vet dhe fërkoi sytë. “Kaq shpejt të groposet lavdia e Njeriut me Pushtet Shqiptar”? pëshpëriti.
Sirenat e zgjuan nga përhumbja. Ndihej mëkatar që nuk i kishte ofruar një arrestim dinjitoz “shefit që vdiste”. Dielli po perëndonte…
Shefqet Meko
Minneapolis, 24 Tetor 2024