BallinaAktualitetBerisha dhe Xhafaj kërkojnë ndryshime në sistemin e Drejtësisë. Qëllimet e përbashkëta...

Berisha dhe Xhafaj kërkojnë ndryshime në sistemin e Drejtësisë. Qëllimet e përbashkëta të kundërshtarëve të vjetër

spot_img
spot_img

Nga Desada Metaj

Sali Berisha dhe Fatmir Xhafaj kanë zgjedhur sot në të njëjtën orë të ditës për të folur për sistemin e drejtësisë. Secili me ankesat dhe pretendimet përkatëse, të dy kanë renditur arsyet pse ky sistem duhet të ndryshojë.

Kryetari i PD ka kërkuar ndërhyrjen e Komisionit të Venecias për ndryshime: “Të angazhojnë Komisionin e Venecias për një rishqyrtim tërësor të këtij sistemi, në mënyrë që shqiptarëve t’u rikthehet e drejta themelore e një procesi ligjor të drejtë dhe drejtësia të nxirret nga kthetrat e politikës dhe të shndërrohet në një sistem të varur nga ligji.” – deklaroi ai, duke e shoqëruar kërkesën si gjithmonë me akuza ndaj drejtësisë dhe kryesisht SPAK.

Më i moderuar në qëndrim, por jo në qëllim, ka qenë kryetari i komisionit të posaçëm që po merret me ndryshimet e reformës. Fatmir Xhafaj duket i pakënaqur nga puna e bërë deri më tani nga drejtësia (lexo: SPAK) kur deklaroi se “grupi i posaçëm për ngritjen e Komisionit është konsultuar me ndërkombëtarët,” ndërsa theksoi se Komisioni nuk bën luftë, por ligje.

Se ç’lufte mund t’i bëjë korrupsionit një qeveri që në shumicën e saj po hetohet për korrupsion nga SPAK, këtë zoti Xhafaj nuk e sqaroi para gazetarëve. Ai thjesht justifikoi bojkotin e institucioneve të drejtësisë për të dërguar ekspertë në komision me fjalinë se kjo ishte një shenjë pjekurie, pasi sipas tij ata kanë sjellë amendamente të ndryshme dhe po të shikosh kanë përplasje, sepse s’ka pasur konsultim. Megjithatë, zoti Xhafaj nuk u tregua i sinqertë kur deklaroi se institucionet e drejtësisë në letër refuzimin e tyre kanë thënë se kanë besim tek Kuvendi dhe komisioni i drejtuar prej tij. E vërteta është që përveç Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të gjitha institucionet e drejtësisë kanë refuzuar të marrin pjesë, sepse në thelb e kanë arsyetuar si të panevojshme dhe të tepruar “futjen e hundëve” të mazhorancës në punët e drejtësisë.

Ndoshta zgjedhja e orës 12 të ditës si nga Berisha ashtu edhe nga Xhafaj për të komunikuar me gazetarët për problemet e tyre me drejtësinë mund të jetë e rastësishme. Por jo kaq të rastësishme janë qëllimet e përbashkëta për të ndryshuar rregullat e lojës në momentin kur drejtësia po “djeg” shumë nga figurat kryesore të politikës, si në PS ashtu edhe në PD. Rregulla (apo ligje) që tashmë palët e përvëluara po tentojnë t’i ndryshojnë në funksion të shpëtimit nga drejtësia e re, që megjithë problemet që mund të ketë, po tregon vullnet për të hetuar të pandëshkueshmit e 30 viteve./vna.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular