BallinaEkonomiÇmimi i vajit të ullirit arrin rekord këtë vit, ja sa pritet...

Çmimi i vajit të ullirit arrin rekord këtë vit, ja sa pritet të shitet! Nga dyfishimi i pagesave për vjelësit, tek ekstremitetet e motit, faktorët që ndikuan

spot_img
spot_img

Çmimi i shitjes së vajit të ullirit sivjet arrin në nivele rekord. Në fabrikat e përpunimit nga Marikaj deri në Berat çmimi i shitjes së vajit të paambalazhuar, varion nga 700, 800 deri 1,100 lekë për litër.

Vjet vaji i paambalazhuar u shit me çmim nga 700 deri 800 lekë për litër. Krahasuar me vjet çmimi i shitjes është rritur 38%. Përpunuesit thonë se edhe çmimi i vajit të ambalazhuar pritet të rritet, të shkojë deri në 15 euro për litër.

Përpunuesit kryesorë pohojnë se sivjet shtrenjtimi i çmimit ka ardhur nga rritja e kostos së prodhimit për shkak të dyfishimit të pagesave për vjelësit e ullirit dhe nga ekstremitetet e motit, që sollën rënie të rendimentit.

Silvana Subashi thotë se ndonëse sasia e prodhimit të ullinjve është më e lartë se vjet, rendimenti i prodhimit për shkak të thatësirës është shumë i ulët. Sipas saj, përfshirë edhe dyfishimin e pagesave për vjelësit, këta janë faktorët kryesorë që çuan sivjet koston e prodhimit të vajit të ullirit deri në 940 lekë për litër dhe të shitjes 1,100 lekë për litër.

“Dyfishimi i tarifave të krahut të punës është faktori kryesor që sivjet shtrenjtoi së tepërmi koston e prodhimit të vajit të ullirit. Nëse vjet pagesat për vjelësit ishin 200 lekë për shkundjen e 1 kg ulliri, këtë vit vjelësit janë paguar 400 lekë, pasi është e pamundur të gjesh punonjës. Tarifa e shkundjes së ullirit 400 lekë për kg është tepër e lartë.

Një tjetër faktor që ka ndikuar te shtrenjtimi i kostos prodhuese është rënia drastike e rendimentit të prodhimit. Nëse vjet për kultura që rendimenti i prodhimit ishte nga 15 deri 17 litra vaj ulliri për 1 kv ullinj, sivjet ka arritur 10 deri 12 litra. Rënia e rendimentit është drastike.

Për shkak të këtyre faktorëve kryesorë, dukë përfshirë edhe shpenzimet për mirëmbajtjen dhe shërbimin e ullirit, kostoja e prodhimit të vajit të ullirit llogaritet 940 lekë për litër. Ndërsa çmimi i shitjes së vajit do të jetë 1,100 lekë për litër. Te shtrenjtimi i çmimit të shitjes, përveç heqjes së skemës së TVSH-së po ndikon edhe shtimi i sasisë së vajit të papërpunuar që grumbullohet nga grosistët italianë”, tha ajo.

Edhe Kastrijot Çuadari një ndër grumbulluesit dhe përpunuesit kryesorë në Berat tha sivjet pavarësisht se prodhimi i ullinjve është më i lartë krahasuar me vjet, konstatohet se rendimenti i prodhimit është në rënie.

“Faktorët kryesorë që kanë ndikuar te rënia e rendimentit është thatësira e lartë e muajit gusht, e cila thau pemët dhe lagështira e lartë në muajin shtator që shkaktoi fryrje të frutit të ullirit”, thotë ai.

Në vitin 2022 kur sasia e prodhimit ishte e lartë, nga fermerët vaji i ullirit u shit nën koston e prodhimit me çmime 350 deri 400 lekë për litër.

Për 2022, rendimenti i prodhimit për rrënjë ulliri, sipas të dhënave të INSTAT ishte 17,2 kg. Krahasuar me 2021, rendimenti për rrënjë u shtua me 37%. Në 2022 shtim pati edhe te numri i rrënjëve të ullirit. Në raport me 2021, numri i rrënjëve të ullirit u rrit rreth 2%.

Ndërsa për 2023, mungesa e prodhimit dyfishoi çmimin e shitjes së vajit të ullirit krahasuar me 2022. Nga fermeri vaji i ullirit u tregtua me çmim 700 deri 800 lekë për litër. Shtrenjtimi i çmimit erdhi nga rënia e prodhimit 30 deri 70% krahasuar me vjet. Vjet pati edhe shtim të sasisë së vajit të ullirit që u eksportua, kryesisht në Itali.

Për 2023, rendimenti i prodhimit për rrënjë ulliri, sipas të dhënave të INSTAT ishte 12,4 kg. Krahasuar me 2022, rendimenti për rrënjë ra 30%. Në 2023 shtim pati edhe te numri i rrënjëve të ullirit. Në raport me 2022, numri i rrënjëve të ullirit u rrit rreth 1%./Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular