Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur masë disiplinore për prokurorin Agron Bushati, i cili akuzohet se ka lënë në paraburgim të arrestuarin për 3.9 vite.
Nga hetimi i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, rezultoi se prokurori i Shkodrës ka vonuar në mënyrë të pajustifikuar për një kohë prej 3 vjet e 9 muaj, nxjerrjen e një akti procedural, thuhet në vendim.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka propozuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë që prokurorit Agron Bushati t’i caktohet masa disiplinore “Ulja përkohshme e pagës deri në 40% për një periudhë deri në 1 vit”.
Por, KLP pranoi pjesërisht kërkesën, duke caktuar si masë disiplinore ndaj prokurorit atë të “vërejtjes publike”.
Vendimi:
Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor për magjistratin A.B., me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për zvarritje të pajustifikuar në nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit për vendim penal të formës së prerë.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kryer hetimin disiplinor me nismë të një ankuesi, që i është drejtuar ILD-së me ankesë ndaj magjistratit, për zvarritje mbi 3 vjeçare në nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit të vendimit penal për ankuesin.
Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, rezultoi se magjistrati subjekt hetimi disiplinor, si prokurori me përgjegjësinë e zyrës së ekzekutimit të vendimeve penale, ka vonuar në mënyrë të pajustifikuar, për një kohë prej 3 vjet e 9 muaj, nxjerrjen e një akti procedural në shkelje të dispozitave ligjore neneve 462-466 të K. Pr. Penale dhe nenin 49/1 të ligjit nr. 8331, datë 21.4.1998, “Për ekzekutimin e vendimeve penale” i ndryshuar.
Nga hetimi disiplinor u konkludua, se veprimet/mosveprimet e magjistratit, përbëjnë shkelje disiplinore, që cënojnë figurën e magjistratit dhe besimin e publikut tek drejtësia. Inspektori Lartë i Drejtësisë i propozoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që prokurorit A.B., t’i caktohet masa disiplinore “Ulja përkohshme e pagës deri në 40% për një periudhë deri në 1 vit”, e parashikuar nga neni 108 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 102, pika 1, shkronja “d” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi pjesërisht kërkesën, duke caktuar si masë disiplinore ndaj prokurorit atë të “vërejtjes publike”.