Gjesti i goditjes me vezë dhe kos i eurodeputetit Fredi Beleri në Tiranë ka marrë mjaft vëmendje në mediat greke. Po ashtu është komentuar edhe vendimi i kryeministrit Edi Rama për anulimin e takimit me delegacionin e Parlamentit europian për të mos pasur ballë për ballë Belerin.
“Kryeministri shqiptar Edi Rama tregoi një qëndrim përçmues, nëse jo haptazi armiqësor ndaj Fredi Belerit, pasi anuloi një takim me anëtarët e Parlamentit Europian, por foli me ta fshehurazi, duke u kujdesur që të mos dilte ballë për ballë me kolegun e tyre grek. E si të mos mjaftonte kjo, eurodeputeti grek u sulmua me vezë dhe kos nga një protestues jashtë Kuvendit të Tiranës, ndërsa qytetarët e akuzuan për korrupsion dhe veprimtari të paligjshme” – shkroi gazeta Protothema.
“Ai kultivon urrejtje ndaj meje”, – ishte komenti i Belerit për Edi Ramën në një intervistë për televizionin grek “OPEN”. “Kam kaluar 16 muaj në një qeli shqiptare dhe këto sulme nuk mund të ma kthejnë mendjen” – u shpreh ai. “Zoti Rama është dominant në vendin e tij, por ka një vend tjetër më të fuqishëm që është Greqia, e cila me lëvizjen e kryeministrit grek për të më emëruar mua kandidat dhe me besimin e popullit ka treguar se askush nuk mund të luajë me helenizmin”, – tha Beleri për televizionin grek “OPEN”.
“Nuk e prisja kurrë që unë që përfaqësoja Parlamentin Europian” – u shpreh ai. Në tryezat e Stabilizim Asociimit Shqipëri – BE, Beleri tha se “ka vendosur të kërkojë gjithçka që u privohet minoritarëve, që është prona dhe e drejta e vetëvendosjes, të drejtat themelore që nëse nuk respektohen, besoj se Shqipëria nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian” – tha Beleri. Sipas tij “Rama po e shtyn Shqipërinë drejt Turqisë, kundër vullnetit të qytetarëve shqiptarë”.
Axhenda përfshinte një vizitë të eurodeputetëve në Kuvendin e Shqipërisë dhe një takim 45-minutësh me kryeministrin shqiptar, por ky i fundit u justifikua me angazhimet dhe ngarkesën e punës. Mediat greke shkruajnë se Rama ka takuar në hotel dhe larg kamerave eurodeputetët që vinin nga grupet e majta të PE. Lajmi është konfirmuar edhe nga eurodeputeti austriak Thomas Weitz. Duhet theksuar se Beleri nuk qëndronte në atë hotel, gjë që ia lehtësoi punën Ramës