BallinaEkonomiBrenda vitit shlyhet 18% e faturës së Gjykatës së Strasburgut për ish-pronarët

Brenda vitit shlyhet 18% e faturës së Gjykatës së Strasburgut për ish-pronarët

spot_img
spot_img

Ecuria e shlyerjes së faturës totale të Strasburgut, vijon të mbetet e ngadaltë, edhe pse buxhetit rrezikohen t’i shtohen kostot nga kamatëvonesat nga mosshlyerja në kohë. Vlera e faturës së dëmshpërblimeve për vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg deri në shtator 2024 ka arritur në 17,9 mln euro. Totali i detyrimit është krijuar kryesisht për vendime të kthimit dhe kompensimit të pronave tek ish-pronarët, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të bëra publike me projektbuxhetin e vitit 2025.

Deri në shtator të vitit 2023, detyrimi faktik dhe kontingjent prej vendimeve të Strasburgut ishte në vlerën e 21,7 mln eurove, sipas të dhënave të publikuara në projektbuxhetin 2024. Brenda vitit rezulton se është shlyer 18% e faturës së dëmshpërblimit. Shlyerja e detyrimeve është zbatuar për 7 çështje, si: “Sharra dhe të tjerë kundër Shqipërisë” në shumën prej 3,8 mln euro, “Muçaj kundër Shqipërisë” në shumën prej 3,600 euro etj.

Ndërsa janë shtuar edhe 6 çështje të reja, si “Zela kundër Shqipërisë” me një detyrim faktik prej 60 mijë eurosh për t’u shlyer, “Iliria S.R.L kundër Shqipërisë” me detyrim shlyerje prej 10,800 euro, “Bibaj kundër Shqipërisë” prej 16,700 euro etj.

Deri në shtator të 2024 numri i vendimeve të Strasburgut që presin shlyerjen e detyrimeve është 11 çështje. Edhe sivjet lista e vendimeve për dëmshpërblim kryesohet nga çështja “Sharxhi kundër Shqipërisë” me detyrim financiar prej 13,3 mln euro, e ndjekur nga çështja “Rista dhe të tjerë kundër Shqipërisë” me detyrim 4,4 mln euro.

Detyrimi faktik deri në shtator të 2024-s (është detyrimi i cituar në vendim të formës së prerë, për të cilin nuk janë finalizuar procedurat juridike brenda shtetit shqiptar dhe kontingjent) është në vlerën e 17,955,050 eurove. Detyrimi kontingjent (është detyrimi i cituar në një vendim të gjykatës për të cilin nuk kanë përfunduar procedurat ligjore) është në vlerën e 8,600 eurove.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë nënvizon në relacionin e projektbuxhetit se ka respektuar në vazhdimësi të gjitha vendimet e miratuara nga GJEDNJ-së, kjo duke konsideruar faktin se kur pagesat nuk kryhen brenda afatit tre mujor nga data kur vendimi përkatës merr formën e prerë, shteti shqiptar ngarkohet me pagesën e një kamatë- vonese për çdo ditë vonesë.

Sidoqoftë, për garantimin e shlyerjes në kohë të këtyre vendimeve, MFE veçon në relacion se ka rekomanduar vazhdimisht përdorimin e të gjitha kanaleve të mundshme institucionale dhe proceduriale, brenda hapësirave që siguron kuadri ligjor në fuqi, duke sugjeruar sipas mundësive të buxhetit të shtetit skedulimin me këste të detyrimit financiar, në negocim me përfituesit. Edhe për vitin 2024, likuidimi i detyrimeve të këtij lloji përballohet nga Fondi Rezervë i buxhetit të shtetit./ Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular