Juristi dhe ish-prokurori Bledar Bejko, i ftuar në emisionin Open në News 24 ka komentuar masakrën e Shkodrës, ku u vranë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një kalimtare e rastit.
Bejko tha se beson se kjo ngjarje do të zbardhet. Sipas tij, masakra ka pasur impakt të keq, ç’ka nuk dëshirohet nga strukturat qeveritare. Ai tha se ka ardhur koha që bandat kriminale të shkatërrohen.
“Mendoj se do të zbulohen autorët e masakrës në Shkodër. Masakra sot me disa viktima ka lënë impakt të keq dhe nëse nuk kapen autorët, mund të përhapet si epidemi.
Mendoj që ka ardhur koha që grupet kriminale të shkojnë në burg”, deklaroi Bejko, ish-prokuror dhe jurist.
Për masakrën e sotme në Shkodër, ku u vranë 3 persona dhe një tjetër është në gjendje të rëndë për jetën, janë shoqëruar 10 persona, mes tyre dhe Safet Bajri.