HISTORI SUKSESI/Ilir Pilku, dibrani “shekullor” në Tiranë që nuk i harron rrënjët

0
389

Ishte viti 1912, kur makineria serbe vazhdonte të godiste, të sulmonte e të shkatërronte trojet shqiptare e në veçanti Dibrën. Si dhe shumë familje të tjera të kësaj treve, në fluksin e lëvizjeve të intelektualëve që shoqëruan Ismail Qemalin ishte dhe Mehmet Pilku, stërgjyshi i Ilirit, i cili pas shkollimit në universitetet e Stambollit, u vendos në Vlorë dhe më vonë në Tiranë. Mehmeti ishte një burrë i zgjuar e me shumë vlera. Bashkë me Lef Nocin, ai njihet si themelues i Postë Telegrafit Shqiptar dhe qëndruan si drejtues të këtij institucioni për të paktën një periudhë dhjetë vjeçare. Jo vetëm kaq, Mehmeti ishte dhe deputet i qarkut të Dibrës në Parlamentin shqiptar të asaj kohe.
Njëzetë vite më vonë, kur nazizmi i shpalli luftë thuajse gjithë botës, valë të reja emigrantësh u derdhën ku mundën nëpër Europë. Hebrenjtë ishin pjesa më e prekur nga kjo murtajë. Familja e nderuar Pilku hapi dyert tej e tej për të pritur njerëzit në nevojë. Ata e kishin përjetuar vetë një dramë të tillë, vetëm dy dekada më parë, ndaj nuk nguruan ta bëjnë këtë gjë për të tjerët. Nuk ishte fjala se do të shtoheshin dhe ca frymë për t’i mbajtur me ushqime. Problemi më i madh ishte rreziku, nëse diktohej një gjë e tillë. Plumbi i gjermanëve nuk do të kursente as familjen pritëse, as dhe atë të ardhur. Familja Neumann ngriti aty strehën e re, pas një udhëtimi sfilitës, fizik e psikologjik. Por dhe pse kanë kaluar shumë kohë, pasardhës të familjes Neumann në Washington nuk harrojnë të vijnë, të kontaktojnë e të falënderojnë bamirësit e dikurshëm për nderin e bërë nga familja Pilku.
Familja Pilku vazhdoi e vazhdon të prodhojë njerëz me kulturë, me dinjitet e profesionalizëm në shumë fusha. Një prej tyre ka qenë dhe Naim Pilku, kushëriri i parë i prindërve të Ilirit. Ai ka pasur kontribute të dukshme në sport dhe në vepra kulturore. Ai mund të përmendet si një nga themeluesit e basketbollit shqiptar dhe arbitri i parë ndërkombëtar për këtë sport. Pa harruar të përmendim xhaxhain e tij, Adnant Pilku, një nga inxhinierët e talentuar, që me mundin e tyre krijuan dhe ndërtuan vepra që trashëgohen edhe sot.

VAZHDIMËSI
I përmendëm këto, pasi ka dhe shumë të tjera për të kuptuar se Ilir Pilku u lind, u rrit dhe u edukua në shtratin e një familje me vlera të mëdha. Ai mbaroi shkollimet e larta në lëmin e ekonomisë agrare, në vitet kur po binte komunizmi dhe një erë e re ndryshimesh frynte në Shqipëri e në rajon. “Nuk e kishte të lehtë familja ime për të siguruar të drejtën e studimit universitar për shkak të biografisë, por respekti shoqëror për familjen e mundësoi atë” – thotë Iliri. Përveç përgatitjes e nivelit profesional, rastësia e fati u bënë aleatë të djalit të sapodiplomuar, duke punuar pothuaj gjithnjë me projekte dhe organizata ndërkombëtare. Filloi punë me FAO-n, në rolin e administratorit, në projektin e parë, në kooperim me të huajt pas pluralizmit. Pas kësaj eksperience të parë, ndihmoi e dha kontribut në ngritjen e kapaciteteve, pranë Ministrisë së Bujqësisë, për një periudhë shtatë vjeçare.
Lufta e Kosovës i dha një tjetër eksperiencë Ilirit. Tashmë ai do të ishte në pozicionin e administratorit pranë zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shëndetësinë, për refugjatët e ardhur nga Kosova. Ai do të menaxhonte të gjitha ndihmat dhe asistencën në këtë sektor kaq jetik e të rëndësishëm. Ndonëse periudhë jo shumë e gjatë, mësimet, kontaktet dhe eksperiencat e fituara do të kishin vlerë për gjithë jetën. Në fund të vitit 1999 Iliri angazhohet pranë zyrave të USAID në Tiranë. Qëllimi i kësaj zyre ishte të ndihmojë bujqësinë shqiptare me projekte, fonde, kredi të buta e fonde garancie, kur fermerët nuk kishin kolateralin e nevojshëm. Ky kontribut dhe angazhim bëri që të startojnë biznese të reja me teknologji bashkëkohore në fushën e bujqësisë apo qendra grumbullimi për produkte bujqësore. Fabrikat e qumështit si “Erzeni”, “Lufra”, “Mireli” kanë qenë pionierët e para të kësaj asistence dhe të këtij bashkëpunimi.
Një hap shumë i rëndësishëm u hodh në përgatitjen teknike të fermerëve dhe të investitorëve të rinj. Në seminare të ndryshme trajnuese në Tiranë apo në rrethe, u sollën lektorët më të mirë amerikanë, por edhe nga shtete të tjera. Po kështu, u aplikua dhe mënyra tjetër, ajo e dërgimit të njerëzve në vendet e zhvilluara për ta përfituar këtë eksperiencë direkt te burimi. Të paktën 30 – 40 veta e kanë pasur këtë fat e kënaqësi, duke shkuar në Amerikë.
Në vitin 2008 Iliri shkëputet pak kohë nga USAID, për të dhënë ndihmesën në ngritjen e funksionimin e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, që sot njihet me emrin AZHBR. E shtyhu nisma “Brain gain” për të kontribuar në dobi të sipërmarrjes në bujqësi pranë Institucioneve Shtetërore. U hartuan manualet e para se si do të funksiononte kjo agjenci dhe si do të bëhej aplikimi dhe pagesa e fermerëve që do të aplikonin në projektet e reja.
Iliri rikthehet sërish te programet e USAID-it, duke dhënë kontribut në ngritjen e departamentit të agrobiznesit. Numërohen rreth 400 sipërmarrje në bujqësi që kanë përfituar asistencë teknike, ndihma, fonde e kredi të buta, nga zyra jonë – tregon Iliri.
PROJEKTI NDËRKUFITAR
Në vitin 2017 Ilir Pilku, tashmë me një eksperiencë gati 25 vjeçare, paraqet një projekt propozim pranë Delegacionit Europian në Shkup. Projekti në fjalë kishte të bënte me bashkëpunimin ndërkufitar mes Maqedonisë e Shqipërisë, në rajonin e dy Dibrave për çështjet e bujqësisë. Kjo nismë u miratua nga Delegacioni Europian dhe sot numri i projekteve që kanë marrë miratimin e janë financuar është rritur ndjeshëm. Ndihma e fermerëve në të dy anët e kufirit është parë në dy drejtime. Në asistencën dhe përthithjen e granteve për zhvillimin e fuqizimin e tyre, si dhe në certifikimin e produkteve të tyre me titujt “Global Gap”, “ISO 22 000”dhe “Organik”. Si rezultat i kësaj ndihmese, mjaft produkte të kësaj treve kanë arritur të penetrojnë në tregjet perëndimore, që do të thotë më shumë të ardhura në xhepat e fermerëve. Jufkat “Zerja”, Neki Mehmeti, Zija Keshi, Arjan Zogu e shumë fermerë të tjerë do t’i jenë mirënjohës Ilirit dhe zyrës së tij për ndihmesën e pakursyer që ai u ka dhënë.
Kontributi ynë, – thotë Iliri, ka qenë i dukshëm, qoftë tek “Kop Fruti”, te ferma Kaza apo tek fabrika e përpunimit të qumështit “Ngota”. Plani i biznesit, projekti teknologjik, certifikimi dhe dhënia e kredive të buta, kanë qenë të gjitha objekt i punës dhe përkushtimit tonë. Në vitin 2016, me insistimin e Ilirit, zyra e USAID vendosi të hapë një degë konsulence në Dibër, një zyrë që drejtohet nga Çlirim Leshi, një djalë i gjeneratës së re. Vizioni, këmbëngulja dhe dëshira e madhe për të ndihmuar fermerët e kanë bërë këtë djalë të ri një pikë referimi e konsulent të pazëvendësueshëm në projektet e reja. Falë këtij përkushtimi e kësaj këmbëngulje janë ngritur ura të reja ndihme e bashkëpunimi, duke pasur partnerë të tjerë të një gjenerate profesionistësh, si Daliun, Haxhiun, Osmanin, Besnik Alkun.
Ka pak kohë që Iliri dhe zyra e USAID kanë mbështetur me konsulencë dhe fonde një degë tjetër, të afërt me bujqësinë, agroturizmin dhe turizmin rural. Ngritja e bujtinave si ajo e Salkurtit pranë qytetit të Peshkopisë, Sabri Shahinit në Rabdisht dhe e Lul Hupit në Bulqizë, tregojnë se turizmi malor dhe ai historik do të ndihmojnë ndjeshëm në rritjen e të ardhurave për banorët e Dibrës.
Vetëm pak ditë më parë Iliri ishte në studion e TV SCAN për të promovuar turizmin malor në Shqipëri. Bashkë me të ishte miku i tij, drejtues i guidave të huaja në Shqipëri, Tobi Gessler. Ata folën për potencialet e shumta që ka vendi ynë në këtë drejtim dhe politikat që duhen ndjekur, për të pasur sa më shumë përfitime nga ky sektor.
Ilir Pilku apo shef Liri, siç e thërrasim ne, miqtë e tij, ka tashmë një mal me eksperiencë. Ai përpiqet të ndihmojë gjithë bujqësinë shqiptare, por Dibra ka rrënjë të thella në zemrën e tij. Ashtu si një djalë i mirë, që nuk e harron vendlindjen e të parëve të tij, Iliri përpiqet t’i bëjë me shumë kënaqësi një dhuratë bujqësisë dibrane, sa herë që mundet dhe pa përtuar aspak.
Tashmë ai ka kaluar në një angazhim të ri me BERZH-in. E pyesim nëse detyrat e reja mund të anashkalojnë vëmendjen e tij për Dibrën, por përgjigjja e tij është e shpejtë: “Kam filluar të hedh në letër disa ide zhvilluese për ekonominë dibrane dhe padyshim që do të gjej burimet e financimit ndërkombëtar”. Ky është modeli i një dibrani inteligjent dhe patriot, që aq shumë na duhet në kohërat e sotme. Nga Osman Xhili/Marre nga Rruga e Arberit