“Drejtësia vonon por nuk harron!”/ Atentati në Shkodër, reagon nga burgu Salianji: Kronikë e një ngjarje të paralajmëruar…

0
47

Demokrati Ervin Salianji ka reaguar nga burgu pas atentatit tragjik në Shkodër, ku mbetën të vrarë disa qytetarë të pafajshëm. Në një letër të publikuar, Salianji e përshkruan ngjarjen si një “kronikë të një ngjarjeje të paralajmëruar” dhe thekson se degradimi i rendit dhe sigurisë publike ka arritur në nivele alarmante.

Ai shprehet se frika që ndjejnë qytetarët për jetën, pronën dhe shëndetin e tyre nuk mund të zgjidhet nga ata që e kanë krijuar këtë problem. “Degradimi i rendit dhe sigurisë publike, frika që kanë qytetarët për jetën, pronën, shëndetin, sigurinë, nuk mund të zgjidhet nga ata që kanë krijuar problemin!” shkruan Salianji.

Ngjarja e rëndë rezultoi në vdekjen e Hamza Licit, vëllai i Ibrahim Licit, dhe Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të PD për bashkinë Shkodër, Xhemal Bushati. Po ashtu, një grua humbi jetën dhe burri i saj u plagos, pasi ata po udhëtonin me motor dhe u përplasën nga makina në të cilën udhëtonin Lici dhe Bushati. Salianji shpreh keqardhjen e tij për viktimat dhe thekson nevojën për një reagim të fortë nga autoritetet për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Letra:

Humbja e jetës së qytetarëve të pafajshëm, guximi për të vrarë në mes të qytetit dhe humbja e autoritetit të shtetit janë tragjedi që parakalon në sytë e të gjithëve! Kronikë e një ngjarje të paralajmëruar ishte tragjedia e Shkodrës ku mbetën të vrarë qytetarë të pafajshëm! Policia nuk reagon ndaj kërcënimit me vdekje ndaj një të riu, e pafuqishme ta parandalojë krimin, e pafuqishme të kapë autorët, e pafuqishme të reagojë më shumë se agjensitë e lajmeve. Është tmerr më vete se si qeveria i shkel syrin krimeve në varesi te kalkulimeve elektorale, asnjë reagim qeveritar për vrasjet, ministri që belbëzon dhe rri para kamerave sikur i kanë drejtuar armën nuk guxon dot as të dënojē vrasjet dhe as të marrë masa, sepse ministri është i lejuar të fusë hundët tek parfumi i Elda Hotit për ta propoganduar si helm i shkatërrimit në masë por askush i thyejnë hundët nëse i fut tek punët e policisë, ata i emëron krimi e janë në shërbim të partisë shtet! Prandaj i turren protestuesve dhe zbythen nga kriminelet, prandaj nderojnë banditët dhe dhunojnë hallexhinjtë!

Degradimi i rendit dhe sigurisë publike, frika që kanë qytetarët për jetën, pronën, shëndetin, sigurinë nuk mund të zgjidhet nga ata që kanë krijuar problemin!

Ne do ti çmontojmë bandat me forcën e ligjit e do të mbajmë përgjegjës çdo kriminel e cdo pupac që i shërben atyre! Drejtësia vonon por nuk harron!