Ligji “Për strehimin social” e miratuar një vit më parë parashikonte përfshirjen në programet e strehimit një seri grupesh ku ndër të tjera çiftet e reja, nënat me një fëmijë apo famijlet me një nivel të caktuar të ardhurash që nuk përballojnë blerjen e një banese në treg të lirë. Aplikantët që plotësojnë kushtet e lidhur me të ardhurat apo aspekte të tjera sipas kategorisë mund të aplikojnë për të përfituar nga këto programe pranë njësive vendore. Por procesi pritet që të përfshihet në një seri ndryshimesh të lidhura me ngritjen e një sistemi për Strehimin për Banesat Sociale për Ministrinë e Financave. Sipas një shpallje të këtij institucioni synohet që sistemi të garantojë përpunim më të shpejtë të të dhënave, saktësi të tyre dhe aplikim online.
Kështu referuar dokumenteve thuhet se sistemi do të ketë disa module ku së pari moduli i kërkesave për strehim social. “Përmes informatizimit të procesit për strehim dhe banesa sociale, do të bëhet e mundur që kërkesa për të përfituar nga programet e strehimit social të bëhet online, duke garantuar integritet dhe transparencë të të dhënave të vetëdeklaruara nga qytetarët gjatë plotësimit të formularit të kërkesës” thuhet në dokument.
Aplikimi do të mund të bëhet ose përmes e-albania ose përmes modulit “one stop shop” për nëpunësit qeveritarë. Sipas Financave të dhënat që plotësohen në formularin elektronik nga qytetarët, do të postohen në këtë modul, duke krijuar regjistrin elektronik të aplikantëve që bëjnë kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social. Aplikimet që do postohen në këtë modul do të përpunohen nga strukturat përgjegjëse për strehimin në njësitë e qeverisjes vendore.
Sistemi do të ketë një modul për vlerësimin e kërkesave. “Aplikimi për të përfituar nga programet e strehimit social, me përjashtim të rasteve të nevojës emergjente për strehim, bëhet me dy faza. Në fazën e parë, aplikantët paraqesin kërkesën e tyre për të përfituar nga programet e strehimit social, sipas ligjit nr.22/2018 “Për strehim social”. Në fazën e dytë të aplikimit përfshihen vetëm ata/o individë/familje që janë përzgjedhur për t’u trajtuar me njërin prej programeve të strehimit. Përmes këtij moduli do të vlerësohen kërkesat e ardhura gjatë fazës së parë, nëse mundet të kualifikohen për në fazën e dytë” nënvizohet në dokumente.
I treti modul i rëndësishëm është ai i pikëzimit dhe ku aplikanët që kanë kaluar fazën e parë renditen në këtë modul sipas pikëzimit. Sipas Financave përmes këtij moduli aplikantët do të njoftohen te “Hapësira ime” në portalin e-Albania, ose në adresën e tyre të postës elektronike për plotësim dokumentacioni. Secili prej aplikanteve do të ketë seksionin dokumente plotësues, ku do të mundësohet ngarkimi i gjithë dokumentacionit shtesë të kërkuar. Të gjitha dokumentet e bashkëlidhura nga aplikanti do të ruhen në dosjen e aplikantit.