Projektbuxheti 2025 nuk ka parashikuar fonde për ndërtimin e bypass-it të Elbasanit, por teksa prezantoi buxhetin për ndërtimin e rrugëve, ministri Petri Malaj përmendi edhe këtë segment, si një nga projektet e financuar për vitin që vjen.
Bypass-i Elbasanit është një aks i rëndësishëm, në drejtim të lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, pasi lidh 2 arteriet e korridorit VIII që aktualisht janë në ndërtim apo tenderim, nga Lekaj në drejtim të Qafë Thanës e anasjelltas.
Gjithashtu, ndërtimi i tij parashikohet të ulë ndjeshëm trafikun që krijohet nga Tirana për në Elbasan apo në drejtimin e kundërt.
Sipas tabelave shoqëruese të projektbuxhetit kosto për ndërtimin e tij është 22.3 mld lekë, ndërsa është listuar te projektet me financim të huaj, por pa specifikuar burimin e financimit.