Me ndryshimin e klimës dhe luhatjet e temperaturave, predispozita për t’u prekur nga virozat e stinës rritet. Por cilat janë virozat që po qarkullojnë këtë periudhë dhe si mund ta bëjmë diferencën nga COVID?
Në një intervistë për gazetën “Panorama” mjekja specialiste e sëmundjeve infektive, MD, MPH Rubina Muzina e cila punon në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës tregon se cilat janë simptomat kryesore të rinoviruseve. Ajo thotë se kategoritë më të riskuara janë personat mbi 65 vjeç, fëmijët nën 2 vjeç, ata me sëmundje shoqëruese dhe ata me imunitet të kompromentuar.
Cilat janë viruset që qarkullojnë gjatë sezonit vjeshtë- dimër?
Infeksionet respiratore te shkaktuara nga rinoviruset, gripi dhe virusi sincicial i frymëmarrjes (RSV) janë me të zakonshme në këto periudha specifike të vitit megjithëse ne mund të infektohemi nga to në çdo kohë. Rinoviruset janë më të zakonshme në fund të dimrit dhe në fillim të pranverës. Gripi dhe RSV janë të zakonshme gjatë muajve të vonë të vjeshtës dhe të dimrit ndërsa COVID-19 nuk ka ende një model por rastet më të shpeshta ne i shohim nga fundi i vjeshtës deri në fillimin e pranverës. Analiza e të dhënave tregon se shkalla e infektimit dhe e komplikacioneve nga sëmundjet respiratore këtë vit do të jetë e përafërt me vitin e kaluar.
Cilat janë simptomat kryesore të virozave sezonale?
Infeksionet nga rinoviruset janë infeksionet më të zakonshme të hundës, sinuseve dhe fytit. Simptomat e ftohjes shfaqen gradualisht dhe zakonisht janë të lehta. Këtu përfshihet kolla, rrjedhje hundësh, teshtitje, dhimbje fyti. Më pak të rralla janë të vjellat, diarreja, temperatura mbi 38 gradë apo marrje fryme. Gripi zakonisht përfshin simptoma që shfaqen më shpejt dhe janë më të rënda. Këto përfshijnë, kollë, dobësi trupore, ethe, temperaturë mbi 38 gradë, dhimbje koke, dhimbje trupore. Njerëzit ndonjëherë përdorin termin “grip” për të përgjithësuar sëmundjet e tyre respiratore. Por gripi zakonisht nuk shkakton të vjella ose diarre tek të rriturit. RSV është më e zakonshme tek fëmijët sesa tek të rriturit. Zakonisht shkakton simptoma të lehta të rrugëve të frymëmarrjes, por tek fëmijët e vegjël mund të çojë në komplikacione serioze të mushkërive. Të moshuarit mund të kenë nevojë për më shumë kohë për t’u rikuperuar nga RSV. Ndërsa COVID-19 prek rrugët e frymëmarrjes dhe me komplikacione të shumta tek organe të tjera. Shumica e njerëzve kanë simptoma të lehta, por disa mund të sëmuren rëndë me pasoja afatgjata në organizëm.
Cilat janë grupet më të rrezikuara nga infeksionet virale sezonale?
Kategoritë më të riskuara nga infeksionet virale sezonale janë personat mbi 65- vjec, fëmijët nën 2 vjeç, ata me sëmundje shoqëruese dhe ata me imunitet të kompromentuar.
Çfarë dallimi ka midis virozave sezonale dhe Covid19?
Covid-19 u mendua si një sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes por është në fakt një sëmundje sistematike. Çdo ditë studimet e shumta tregojnë për një impakt jashtëzakonisht serioz të tij afatagjatë në organet vitale si kardiovaskulare, neurologjike, pulmonare dhe sistematike për shumë muaj pas kalimit të tij. Testimi bën diferencën dhe vaksinimi parandalon komplikacionet. Në çdo kohë gjithkush duhet të zgjedhë këtë mënyrë për t’u mbrojtur nga to.
Si bëhet survejimi i sëmundjeve respiratore?
Sistemi i survejiancës të raportimit të sëmundjeve infektive shkon në nivel kapilar monitorizimi. Një nga këto sisteme është survejanca e ujërave të zeza që është jashtëzakonisht e rëndësishme në këtë stinë për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve infektive në nivel komunitar. Kjo survejancë realizohet me marrjen e kampioneve të ujërave të zeza që pas analizave monitorizohen nga mjekët e shëndetit publik për të njohur viruset që qarkullojnë dhe për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve infektive para se ato të përhapen në mënyrë masive në komunitet. Kjo është databazë e hapur për çdo banor që mund të vendosë adresën e tij dhe të mësojë se çfarë virusi qarkullon në atë moment në komunitetin e tij, lagjen e tij, vendin e tij të punës, të kopshtit apo të shkollës së fëmijëve. Ndërgjegjësimi i komunitetit parandalon përhapjen e gjerë të tyre.
Cilat janë komplikacionet dhe a mund të arrijnë deri në fatalitet?
Virusi i gripit çon në komplicatione dhe humbje të jetës drejtpërsëdrejti ose dhe nëpërmjet komplikacioneve që jep në rrugët e frymëmarrjes, të zemrës dhe enëve të gjakut, të trurit dhe infeksioneve të tjera serioze. Kjo është veçanërisht serioze për të moshuarit dhe njerëzit që kanë sëmundje bashkëshoqëruese kronike apo sëmundje ku sistemi imunitar i tyre është i dëmtuar. Sistemi i survejiancës globale raporton 3- 5 milion raste vjetore të komplikacioneve të rënda nga gripi dhe deri 300000- 650 000 vdekje nga to.
A duhet të vaksinohemi kundër gripit dhe cilat kategori duhet të vaksinohen?
Patjetër. Vaksina është e përvitshme dhe ndërtohet në bazë të të dhënave të virusit të gripit që ka qarkulluar më parë në hemisferën jugore duke bërë të mundur të përfshijë viruset qarkulluese të këtij viti për një mbrojtje më efikase. Ajo është shumë efikase për parandalimin e komplikacioneve madhore apo humbjeve të jetës. Grupet më vulnerabël me rrezikshmëri më të lartë përfshijnë: fëmijët e vegjël; të moshuarit mbi 65 vjeç; gratë shtatzëna; ata me sëmundje kronike të zemrës, veshkave, mëlçisë, diabetit etj. ata me sistem imunitar të kompromentuar.
Cilat janë masat që duhet të marrim për parandalimin e sëmundjeve dhe rritjen e imunitetit?
Merrni vaksinat kundër gripit dhe COVID-19 për t’u mbrojtur nga komplikacionet e tyre. Shmangni kontaktin e ngushtë me njerëzit që janë të sëmurë dhe nëse ju jeni të sëmurë, kufizoni kontaktin me të tjerët që të mos i infektoni ata. Lani shpesh duart me sapun dhe ujë të rrjedhshëm për të paktën 20 sekonda. Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës sepse mikrobet përhapen jashtëzakonisht shpejt në këtë mënyrë. Mbuloni hundën dhe gojën me një pecetë kur kolliteni ose teshtini ose i mbuloni ato me bërryl nëse nuk keni pecetë në atë kohë. Pastroni dhe dezinfektoni shpesh sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë të kontaminuara me viruse. Mbani të ajrosura ambientet e brendshme sepse në këtë mënyrë ulni sasinë e virusit qarkullues në ambientet e mbyllura. Ushqehuni shëndetshëm ku frutat dhe perimet dhe ushqimet duhet të zënë pjesën më të madhe të dietës ditore. Agrumet janë burime të vitaminës C ndërsa perimet me gjethe të errëta kanë antioksidantë që rrisin imunitetin tuaj. Përfshini probiotikët në dietën tuaj si kos, lakër turshi etj. Ato janë pjesë e forcimit të sistemit imunitar. Qëndroni të hidratuar sepse uji ndihmon pastrimin e organizmit nga sëmundjet e stinës. Vendosni një sistem të rregullt për gjumin tuaj: Në të njëjtën kohë çdo natë nëse mundeni dhe rreth 7- 8 orë që ndihmon jashtëzakonisht në forcimin e sistemit imunitar. Aktiviteti fizik duke përfshirë dhe ecjen të paktën 30 minuta në ditë.
MASAT PARANDALUESE NGA VIROZAT E STINËS:
Merrni vaksinat kundër gripit dhe COVID-19 për t’u mbrojtur nga komplikacionet e tyre.
Shmangni kontaktin e ngushtë me njerëzit që janë të semurë dhe nëse ju jeni të sëmurë, kufizoni kontaktin me të tjerët që të mos i infektoni ata.
Lani shpesh duart me sapun dhe ujë të rrjedhshëm për të paktën 20 sekonda.
Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës sepse mikrobet përhapen jashtëzakonisht shpejt në këtë mënyrë.
Mbuloni hundën dhe gojën me një pecetë kur kolliteni ose teshtini ose i mbuloni ato me bërryl nëse nuk keni pecetë në atë kohë.
Pastroni dhe dezinfektoni shpesh sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë të kontaminuara me viruse.
Mbani të ajrosura ambientet e brendshme sepse në këtë mënyrë ulni sasinë e virusit qarkullues në ambientet e mbyllura.
Ushqehuni shëndetshëm ku frutat dhe perimet dhe ushqimet duhet të zënë pjesën më të madhe të dietës ditore.
Agrumet janë burime të vitaminës C ndërsa perimet me gjethe të errëta kanë antioksidantë që rrisin imunitetin tuaj.
Përfshini probiotikët në dietën tuaj si kos, lakër turshi etj.
Ato janë pjesë e forcimit të sistemit imunitar.
Qëndroni të hidratuar, sepse uji ndihmon pastrimin e organizmit nga sëmundjet e stinës.
Vendosni një sistem të rregullt për gjumin tuaj: Në të njëjtën kohë çdo natë nëse mundeni dhe rreth 7- 8 orë që ndihmon jashtëzakonisht në forcimin e sistemit imunitar.
Aktiviteti fizik duke përfshirë dhe ecjen të paktën 30 minuta
në ditë.