BallinaEkonomiReforma/ Përtej 70-ës, drejt shtyrjes mosha për pension! Çfarë parashikojnë ndryshimet në...

Reforma/ Përtej 70-ës, drejt shtyrjes mosha për pension! Çfarë parashikojnë ndryshimet në ligj, synohet nxitja e pagesës së sigurimeve

spot_img
spot_img

Një skemë që u premtua të finalizohej brenda muajit tetor, reforma e pensioneve, me sa duket nuk po gjen ende dakordësinë brenda grupit të punës mbi formulën që presupozohet të kënaqë moshën e tretë dhe nga ana tjetër të shpëtojë buxhetin e sigurimeve nga gropa financiare e krijuar ndër vite.

E bërë publike si nismë që në fillim të vitit, gjithë sa është thënë deri më tani është që nuk do të ketë pensione nën 15 mijë lekë, pra pritet rritja e pensioneve minimale. Sakaq, burimet e fundit të informacionit flasin për një tjetër rritje, jo të përfitimeve, por të moshës së personave që dalin në pension, gjë që do ta bënte reformën thuajse të panevojshme. E gjitha, kjo mësohet të ketë ardhur si pasojë e shifrave të konsiderueshme të punës informale dhe emigracionit të lartë të të rinjve, të cilët në një moment të dytë mund të kthehen për të punuar në vend.

Duke qenë se këto dy kategori mund të kenë vite jetë, por jo pune, po diskutohet mundësia e përfitimit të një pensioni social (aktualisht është diku rreth 9 mijë lekë në muaj), por në moshë të vonë, jo 65 vjeç, por përtej 70 vjeç. Mësohet gjithashtu se grupi që po negocion ndryshimet në ligjin e sigurimeve mendon që ky ndryshim synon të nxisë më tej pagesën e sigurimeve në personat në moshë pune. Në vitin 2023 gati 40 për qind e personave që u deklaruan në punë nga Anketa e Forcës së Punës së INSTAT nuk paguajnë sigurime.

Shumica janë të vetëpunësuar në biznesin e familjes pa pagë. Kjo kategori, e cila merr të ardhura nga puna dhe nuk paguan sigurime është një kontingjent që nuk plotëson kushtet për pension në pleqëri. Aktualisht burrat dalin në pension 65 vjeç dhe gratë rreth 62 vjeç, ndërsa personat që nuk plotësojnë kushtet për asnjë pension nga skema e detyrueshme kur bëjnë 70 vjeç përfitojnë pension social. Në vitin 2023 skema publike e pensioneve shpenzoi 188 milionë lekë për pagesën e pensioneve sociale, e cila u përfitua nga rreth 2300 persona. Ekspertë të sigurimeve pohojnë se numri i personave që do të përfitojnë pension social do të rritet ndjeshëm në vitet në vijim pasi po del në pension brezi i tranzicionit që nuk ka kontribuar në skemë për shkak të papunësisë ose punës në të zezë. Ideja për të shtyrë moshën e përfitimit të pensionit social përtej 70 vjeç me gjasë 75 vjeç do të bëjë jo efektive këtë politike pasi jetëgjatësia e burrave aktualisht është rreth 76 vjeç.

Koha e gëzimit të pensionit social do të jetë shumë e ulët si për burrat dhe për gratë. Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të pleqërisë kur kanë jo më pak se 15 vjet periudha sigurimi dhe jo më shumë se 38 vjet periudha sigurimi dhe të jenë tërhequr nga veprimtaria ekonomike. Për arsye se nuk plotësojnë kriteret për pension të plotë më shumë se gjysma e pensionistëve marrin pension të pjesshëm.

Pensionistët me pagesa të pjesshme lehtësojnë skemën publike të pensioneve nga rritja e shpenzimeve, por nga ana tjetër po krijohet një problem i madh social me qëndrueshmërinë financiare të moshës së tretë. Problematikat e tranzicionit dhe informaliteti i lartë në tregun e punës po bën që pensionet e reja të dalin në vlera më të ulëta, vit pas viti. Që prej fillimit të vitit, qeveria deklaroi reformimin e skemës së pensioneve, me asistencën e ekspertëve të Bankës Botërore, e cila synon të amortizojë diferencën e madhe midis pensioneve të lidhura në kohë të ndryshme si dhe midis pensioneve qytet-fshat.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular