Sakandali me fondet e BE për bujqësinë/ Basha : Korrupsioni i qeverisë Rama dëmton fermerët. Programi i Demokratëve Euroatlantikë me subvencione të drejtpërdrejta për bujqësinë
Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka akuzuar qeverinë për bllokimin e fondeve të Bashkimit Europian për bujqësinë, duke theksuar se korrupsioni i qeverisë ka lënë fermerët shqiptarë pa mbështetje, ndërsa vendet fqinje përfitojnë miliona euro.
Në videon e postuar në facebook, Basha shkruan se kryeministri Rama ka përgjegjësi në këtë skandal dhe për paligjshmëritë që ka përfshirë çdo nivel të administratës shtetërore.
Përballë këtij skandali, Basha shkruan se programi i Demokratëve Euroatlantikë për ringjalljen e bujqësisë shqiptare, parashikon 100 milionë euro subvencione për fermerët dhe 50 milionë euro për zhvillimin e infrastrukturës bujqësore. Ai ka premtuar se programi i PD-së do të ndihmojë 150 mijë familje fermere të dalin nga varfëria dhe të rikthejnë mbështetje nga BE.
Postimi i plotë i Bashës:
Shqipëria është e fundit për fondet e bujqësisë, sepse korrupsioni i qeverisë Rama është i pari në Europë.
Paligjshmëria që është ulur këmbëkryq në çdo nivel të qeverisjes, nuk ka kursyer as fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë, e për pasojë fermerët shqiptarë do të marrin Zero mbështetje, për shkak të korrupsionit të qeverisë Rama, ndërkohë fermerët e Serbisë do të përfitojnë 228 milionë euro nga IPARD 3.
Si për çdo aferë që ka prekur qeverinë e tij, Edi Rama i është përgjigjur skandalit me fondet europiane, me propagandë, ndërkohë që Shqipëria është turpëruar përballë partnerëve europianë. Kryeneçësia e kryeministrit për të mos marrë përgjegjësi, teksa skandalet që ndodhin çdo ditë rreth tij dëshmojnë se ose është bashkëfajtor, ose është i paaftë, janë prova se ai nuk mund të qëndrojë më në detyrë.
Shqipëria meriton më shumë, bujqësia shqiptare meriton më shumë dhe me programin tonë, do të ketë më shumë.
Angazhimet tona konkrete për të luftuar korrupsionin dhe siguruar mirëqeverisjen, do të zhbllokojnë fondet që BE-ja ka pezulluar për shkak të korrupsionit të qeverisë aktuale, duke u’a kthyer ato fermerëve.
Në planin tonë bujqësia do mbështetet çdo vit me 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta, si edhe 50 milionë euro, në zhvillim infrastrukture për fermat dhe zhvillimin rural. Me këtë paketë konkrete, e mirëstudiuar nga ekspertët më të përgatitur vendas e të huaj, përfitojnë rreth 150 mijë familje fermere, të cilat do ndihmohen të dalin nga varfëria ku i ka zhytur qeveria Rama.