BallinaOP EDKur Bajram Curri i kërkonte ndihmë Bashkimit Sovjetik dhe “hazreti Leninit”

Kur Bajram Curri i kërkonte ndihmë Bashkimit Sovjetik dhe “hazreti Leninit”

spot_img
spot_img

Nga Hasan Bello
Denoncimi nga Bashkimi Sovjetik i Traktatit të Fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, krijoi një gjendje shoku te shqiptarët. Pabesia dhe intrigat e diplomacisë ndërkombëtare dolën hapur. Kjo u bë shkak që në fillim të viteve 20-të te një pjesë e politikanëve shqiptarë të krijohej një farë simpatie, për rolin e BS dhe të Leninit në skenën e politikës botërore. Aq sa në Parlamentin shqiptar më 4 shkurt 1924 kur një deputet kërkoi një minutë heshtje për vdekjen e Wilsonit, Avni Rustemi dhe kolegët e tij të kërkonin të njëjtën gjë edhe për “hazreti Lenin”.

Por miopia politike e protagonistëve të kohës kishte nisur me një letër, që Bajram Curri i kishte drejtuar qeverisë sovjetike më 21 dhjetor 1920, ku i kërkonte ndreqjen e padrejtësive që i ishin bërë Shqipërisë nga forumet ndërkombëtare. Në origjinal letra është shkruar në gjermanisht. Kjo do të thotë se e ka shkruar dikush tjetër, sepse B. Curri nuk shkruante dot as gjuhën shqipe. Sipas saj, populli shqiptar priste nga Rusia Sovjetike paqëtimin e drejtë, bujar dhe të vërtetë të Ballkanit. “Populli,-vijon më tej kjo letër,-pret me padurim caktimin e kufinjve jo mbi bazat brutale e gjakatare të historisë, por mbi bazat e vërteta dhe reale të gjendjes së sotme. Me bindje të plotë se Rusia Sovjetike do të mund të na caktojë në një të ardhme të afërt kufinjtë e Evropës veçanërisht të Ballkanit në mënyrë të drejtë, i lutemi së lartës qeveri sovjetike t`i zbatojë atëherë kërkesat tona të drejta”.

Të prisje shpëtim dhe drejtësi nga Rusia, e cila kishte luajtur një rol kryesor për copëtimin e territoreve shqiptare që nga Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit, Luftërat Ballkanike (si kumbare e tyre) dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ishte njësoj sikur delja të kërkonte drejtësi nga ujku.

***

Për ta ilustruar rolin dhe precedentët negativ që figura të tilla si Bajram Curri kanë luajtur në historinë e Shqipërisë, sidomos pas Kongresit të Lushnjes kur fillon ndërtimi i institucioneve shtetërore po sjellim një rast konkret.

Në maj të 1920, toger Preng Jaku dhe nëntoger Luigj Shantoja rrahin për çështje detyre oficerin e xhandarmërisë nëntoger Sabri Allajbenë. Për t`i shpëtuar arrestimit nga autoritetet qeveritare fajtorët e mësipërm strehohen në shtëpinë e Bajram Currit. Në bazë të së drejtës kanunore ata ishin në besë të tij dhe askush nuk kishte të drejtë t`i prekte.

Por autoritetet kërkuan dorëzimin e tyre. Përballë refuzimit ata rrethuan shtëpinë e Bajram Currit dhe e vendosën përpara dilemës: dorëzim ose përdorimi armëve të zjarrit. Dy negociatorë dhe qëndrimi energjik i qeverisë shqiptare se nuk do të merrte asnjë masë kundër tyre, duke ia dorëzuar gjyqit, e detyruan atë që të hidhte një hap pas.

Raste të ngjashme kundër pushtetit qendror dhe autoritetit të shtetit Bajram Curri, i cili mund të kishte ndjenja patriotike dhe në momente të caktuara ka luajtur ndonjë rol pozitiv do të përsërisë disa herë. Kjo derisa në rrethana që dihen mbeti i vrarë në shpellën e Dragobisë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular