Diskutimi në Kuvend në Seancën Plenare të djeshme në dt. 14.11.2024
Projektligji “Ratifikimi i marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunimin, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, për projektin “Bashki të forta (BTF), faza 2”, synon të asistojë në përmirësimin e qeverisjes vendore, në mënyrë që qytetarët të përfitojnë shërbime, sipas standardeve minimale dhe të përballueshme financiarisht.
Vlerësoj projektin e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe kontributin ndër vite që kjo agjenci dhe e gjithë qeveria zvicerane ka dhënë për zhvillimin e qendrueshëm ekonomik të vendit, por shpreh dyshime të forta se qeveria Rama dhe pushtetit vendor, në gjendjen që ai është katandisur sot, do të mundësojnë zbatimin me efektivitet të projektit, për arsyet si më poshtë:
I. Shkatërrimi i demokracisë vendore në Shqipëri
Rënia e demokracisë vendore, autonomisë dhe vetqeverisjes vendore në Shqipëri tashmë është një realitet i hidhur. Ai po pengon perspektivën e zhvillimin demokratik dhe integrimin evropiane të vendit.
Rritja e autoritarizmit në qeverinë qendrore po ngushton jo vetëm hapësirat e qeverisjes vendore, por po e shndërron vendin në një republikë autokratike anti-qytetare, në shërbim të interesave të një grupi okult të Edi Ramës.
Vendosja e aktivitetit të bashkive të Shqipërisë nën kontrollin e plotë të qeverisë qëndrore është një proces diabolik i mirëmenduar 10 vjeçar i një transformimi ligjor.
Një proces i cili ka në bazën e vet devijimin nga modeli demokratik, i një pakete ligjesh, sikurse janë Ligji “Për Vetqeverisjen Vendore”, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, “ Për Bashkëqeverisjen”, ligji “ “Per zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, Ligji “Për Turizmin”, “Per investimet strategjike”, Ligji “ Për zonat e mbrojtura, ligji “Per realizimin e procedures së ndërtimit të Teatrit Kombëtar”, dhe Ligji “Per koncesionet dhe partneritetin publik privat”, etj.
Ndryshimi i këtyre ligjeve i ka hapur rrugën vendosjes së sundimit të autokratit Rama edhe mbi pushtetin vendor, me deme kolosale ndaj autonomisë vendore dhe cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarit.
Këto ndryshime ligjore bien ndesh me parimin e autonomisë vendore dhe decentralizimin, sikurse percaktohet ne Kushtetutën e Shqipërisë. Ato i japin pushtet të pashëmbullt qeverisë qendrore mbi çështje qe jane eskluzivisht në juridiksionin e pushtetit vendor. I gjithë ky transformim diabolik është kryer në mënyrë jo transparente, pa debate dhe larg vëmendjes së palëve të interesuara!
Të zgjedhurit vendorë opozitarë dhe shoqata e bashkive janë nëpërkëmbur dhe nuk janë konsideruar në procesin e këtyre ndryshimeve të dhimbshme për fatet e njësive vendore.
II. Dështimi i plotë i Reformës për ndarjen administrativo-territoriale të Shqipërisë
Pas 10 vitesh zbatimi të saj, refoma administrative e territorjale është tërësisht e dështuar, duke shkaktuar pasoja të rënda për funksionimin dhe stabilitetin demokratik, ekonomik e shoqëror të njësive vendore. Mjaft bashki të reja nuk po menaxhojnë si duhet shërbimet dhe veçanërisht buxhetet e tyre, duke rezultuar madje debitorë edhe ndaj enteve shtetërore, për mospagim të detyrimeve të energjisë elektrike apo detyrimeve të tyre ndaj ujësjellësave. Ndërsa nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e bashkive nuk po arrijnë të menaxhojnë si duhet problemet e zhvillimit rural dhe menaxhimin e integruar dhe të qendrueshëm të mbetjeve.
Deformimi i reformës administrative e territoriale i ka larguar bashkitë nga qytetarët, ka humbur subsidiaritetin, transparencën dhe llogaridhënien qeverisë vendore. Ka shkaktuar shpopullim masiv të njësive të dikurshme të zjrdhura dhe falimentim e vështirësi të njësive të reja bashkiake.
III. Kontroll i plotë i qeverisë qendrore ndaj bashkive të Shqipërisë.
Në ligjin “Për vetqeverisjen vendore”, në vitin 2015 është futur Neni 13 pika 4, “Njesitë e qeverisjes vendore i nenshtrohen kontrollit te jashtem financiar nga organet e qeverisjes qëndrore per perdorimin e fondeve te kushtezuara dhe/ose te deleguara qe financohen nga buxheti shtetit dhe/ose fondet e ndihmes se huaj te alokuara ne njesite e qeverisjes vendore sipas mareveshjeve te nenshkruara nga qeverisja qendrore ”. Ky nen ka goditur rëndë thelbin e pavarësisë vendore dhe ka shkelur, në frymë dhe në gërmë Nenin 13 të Kushtetutës, i cili garanton autonominë dhe decentralizimin e funksionimit të qeverisjes vendore. Së dyti, ky nen shkel Kartën Evropiane të autonomisë vendore, të cilën Republika e Shqipërisë e ka firmosur dekada më parë.
Pas këtij akti, nuk bëhet fjalë për autonomi, demokraci vendore apo marrëdhënie partneriteti apo bashkëpunimi midis qeverisë lokale dhe qëndrore.
IV. Mospërfaqësim real ligjor i zgjedhësve në Këshillat e Qarqeve
Në ligjin “ Për Vetqeverisjen Vendore”, Neni 75 në pikën 2 të tij përjashton vullnetin e zgjedhësve në Këshillat e Qarqeve. Ky nen i jep një force politike, e cila është shumicë në këshillat bashkiakë, të gjithë këshilltarët në Këshillat e Qarqeve duke i mohuar pakicës vendet që i takojnë propocionalisht. Ai përcakton se “Zgjedhja e anëtarëve të këshillit të qarkut përfaqësues nga radhët e këshillit bashkiak, në përputhje me nenin 48, të këtij ligji, bëhet me votimin e listës shumë-emërore të kandidatëve dhe shpallet fitues kandidati ose kandidatët që kanë marrë më shumë vota”. Përtej zhurmës e propagandës, qeveritarët lokalë dhe të zgjedhurit vendorë janë të përjashtuar nga aplikimi direkt në fondet evropiane të paraintegrimit apo donacionet ndërkombëtare. Pasi me ligjin “Për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin” këtë të drejtë e ka marrë Komiteti i Zhvillimit Rajonal i drejtuar dhe kontrolluar nga Qeveria.
Të zgjedhurit vendorë dhe njësitë vendore kanë pamjaftueshmëri të theksuar fondesh dhe të ardhurash, për të realizuar përgjegjësitë që kanë para qytetarëve dhe ligjit. Me ligjin e buxhetit, çdo vit transferta qeveritare drejt bashkive përfaqëson vetëm 1% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, më i ulti në gjithë Evropën.
Ne kete mënyrë, aktiviteti bashkive është i varur kryesisht prej vullnetit politik të qeverisë qëndrore, e cila i ndan tranfertat në mënyrë të diferencuar dhe jo të barabartë. Ndaj dhe në çdo fushatë Rama kërcënon zgjedhësit me bllokim fondesh, nëse votojnë për opozitën, gjë të cilën e bën realitet në bashkitë e opozitës.
V. Rrëmbim flagrant kompetencash nga pushteti vendor
Nëpërmjet ndryshimeve në ligjet e kësaj dekade 2014-2024, sekti Rama në qeverisje ka ndërhyrë në mënyrë antidemokratike, pa pyetur këshillat bashkiakë në:
– Menaxhimin e pronave te bashkive,
– Uzurpimin e përgjegjësive urbane dhe menaxhimit të territorit.
– Uzurpimin e kompetencave të bashkive në shërbimet publike në ujë, pastrim duke imponuar tarifa të dyshimta apo të inkriminuara si ato për djegësit e plehrave.
Sekti në qeverisje ka realizuar së fundmi edhe një rrëmbim flagrant kompetencash të pushtetit vendor, në dhënien e lejeve për ndërtim nëpërmjet dy ndryshimeve ligjore në ligjin 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” si dhe ndryshimeve të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 408; dt 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit, i ndryshuar’’.
xx
Të gjitha këto arsye me shtyjnë ta shikoj me shumë mosbesim efektivitetin e projektit “Bashki të forta (BTF), faza 2” dhe të synimeve të mira të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, për të ndihmuar realisht zhvillimin e qendrueshëm dhe demokratizimin e pushtetit vendor në Shqipëri.