Një paketë e re masash sigurie forcon rregullat për mbajtjen e armëve në publik. Me Krishtlindjet masat shtohen.
Pas një sulmi vdekjeprurës me thikë në fillim të këtij viti, ministrja e Brendshme e Gjermanisë,Nancy Faeser ka premtuar të forcojë sigurinë në tregjet e Krishtlindjeve të këtij viti.
Me hapjen e tregjeve të famshme të Krishtlindjeve në Gjermani në javët në vijim, Ministrja e Brendshme e Gjermanisë u ka bërë thirrje policisë dhe autoriteteve lokale të forcojnë sigurinë, duke përfshirë zbatimin e ndalimit të ri të Gjermanisë për të mbajtur thika.
“Shkelja e ndalimit të mbajtjes së thikave mund të dënohet me gjoba deri në 10.000 euro”, tha ministrja Nancy Faeser për gazetën Bild am Sonntag këtë fundjavë, duke premtuar “zbatim të rreptë” dhe “tolerancë zero”.
Masat e reja të sigurisë
Qeveria gjermane miratoi legjislacionin e ri të sigurisë në tetor në përgjigje të një sulmi vdekjeprurës me thikë në qytetin perëndimor të Solingenit në gusht. Sulmuesi i dyshuar islamik vrau tre persona dhe plagosi tetë të tjerë.
Paketa e re e masave të sigurisë shtrëngoi rregullat për mbajtjen e armëve në hapësirat publike në Gjermani dhe ndaloi në mënyrë të qartë mbajtjen e thikave në festivale, ngjarje sportive, tregje, panaire dhe ngjarje të tjera të mëdha.
“Policia do të jetë e pranishme në shumë vende për të garantuar sigurinë,” tha Faeser.
Tashmë ka pasur një lëndim në tregjet e Krishtlindjeve të këtij viti në Gjermani, megjithëse nuk ka lidhje me ndonjë shkelje të sigurisë.
Në Mynih në fillim të kësaj jave, një akrobat 34-vjeçar i veshur si Santa Claus u përplas në mënyrë të pashpjegueshme në një furgon të parkuar dhe plagosi rëndë këmbën./DW