BallinaEkonomiLigji i ri për pensionet, kreu i ISSH: Njihen vitet e punës...

Ligji i ri për pensionet, kreu i ISSH: Njihen vitet e punës para ‘91, jo më gjyqe! Përfitojnë rreth 40 mijë qytetarë

spot_img
spot_img

Të gjithë ata qytetarë që kanë punuar në ishkooperativat bujqësore deri në vitin 1991, ishndërmarrjet bujqësore deri në vitin 1992, apo ish-ndërmarrjet shtetërore deri në tetor të vitit 1993; këto vite pune do t’u njihen si periudhë sigurimi, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore.

ISSH-ja ka hartuar ndryshimet ligjore, të cilat iu nënshtruan edhe konsultimit publik dhe pritet të kalojnë për miratim në Këshillin e Ministrave.

Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, shpjegoi se qytetari ka detyrimin të paraqesë vetëm një certifikatë përmes të cilës vërteton se banues i kujt fshati ka qenë për rastet e kooperativave dhe ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe cilit qytet për rastet e ish-ndërmarrjeve shtetërore.

Ai më tej tha për ATSH se gjithë ky proces do të ndiqet nga vetë Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Hado theksoi se përmes këtij projektligji është siguruar që pensionin minimal të mund ta përfitojnë të gjithë qytetarët, në të gjithë vendin, pavarësisht nëse kanë punuar apo jo, nëse kanë punuar me kohë të plotë apo të pjesshme. “Mjafton të paraqesë një certifikatë që vërteton se ku ka banuar. Synohet që përmes këtij projektligji, të mundësohet njohja e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale, siç ndodh kur dokumentacioni që pasqyron periudhën e vjetërsisë në punë paraqet mangësi që e bëjnë të pamundur njohjen e saj administrativisht, pa shpenzime për përfituesit dhe mbi të gjitha, mundësohet përfitimi i një pensioni, të paktën sa masa e pensionit social”, – deklaroi Hado.

Sipas kreut të ISSH-së, ky projektligj ka si përparësi dhe efekte të pritshme rritjen e mirëqenies së pensionistëve nëpërmjet përfitimit të pensioneve më të larta, sikundër eliminimin e shpenzimeve gjyqësore për përfituesit dhe shmangien e proceseve gjyqësore dhe ankimimeve në komisionet rajonale dhe qendrore të ISSH. Hado tha se për qytetarët që kanë nisur punën 14 vjeç në ish-kooperativa dhe 15 vjeç në ish-ndërmarrjet shtetërore vitet që do të deklarohen nga vetë ata do të verifikohen nga ISSH dhe do të paguhen për aq sa do të rezultojë në sistemet e ISSH.

“Për kategoritë që pretendojnë se kanë bërë punë më të mira sesa punëtor i thjeshtë, do t’i verifikojmë në regjistrat e ISSH dhe do t’i paguajmë. Nuk do të çojmë më asnjë njeri në gjyqe. Është parashikuar që në rastet kur në kërkesat për caktim pensioni, deklarohen periudha në subjekte, detyra dhe funksione specifike, llogaritja e të cilave sjell efekte pozitive në masën e pensionit, me dakordësinë e kërkuesit, të ndiqet procedura ligjore në fuqi për shqyrtimin, vlerësimin dhe njohjen e tyre për efekt përfitimi në sistemin e sigurimeve shoqërore”, – tha ai.

Sipas analizës financiare, kostoja e shtuar, në vitin e parë të zbatimit, rezulton rreth 40 milionë lekë. Gjithashtu në vlerësim të kohës mesatare të gëzimit të pensionit prej 15 vitesh, kostoja për këta përfitues si rezultat i përfitimit nga ky ligj është rreth 600 milionë lekë. Në vlerësim të kostove vjetore të shtuara për kategoritë e përfitimit nga ky ligj efekti total i kostove të shtuara vit pas viti deri në 16 vite rezulton në rreth 5 miliardë lekë. Sipas Hados, nga ky ligj parashikohet të përfitojnë rreth 40 mijë qytetarë.

LIGJI I RI

Projektligji “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore” ka për qëllim njohjen si periudhë sigurimi, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, të periudhave të punësimit në institucionet dhe në ish-ndërmarrjet shtetërore deri më datë 1.10.1993, data e hyrjes në fuqi e ligjit nr. 7703/ 1993; në ish-ndërmarrjet bujqësore deri më datën e hyrjes në fuqi të VKM nr. 452, datë 17.10.1992 “Për ristrukturimin e Ndërmarrjeve Bujqësore”, i ndryshuar dhe në ish-kooperativat bujqësore deri më datë 19.7.1991, data e hyrjen në fuqi e ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, i ndryshuar.

Përmes tij synohet që të mundësohet njohja e periudhave të sigurimit papengesa procedurale, siç ndodh kur dokumentacioni që pasqyron periudhën e vjetërsisë në punë paraqet mangësi që e bëjnë të pamundur njohjen e saj administrativisht, pa shpenzime për përfituesit dhe mbi të gjitha mundësohet përfitimi i e një pensioni, të paktën sa masa e pensionit social.

Siç edhe citohet në relacionin e projektligjit, dokumenti në fjalë synon njohjen e të drejtave të fituara, por të padokumentuara dhe rrjedhimisht njohjen e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale, siç ndodh kur dokumentacioni që pasqyron periudhën e vjetërsisë në punë paraqet mangësi që e bëjnë të pamundur njohjen e saj administrativisht; eliminimin e shpenzimeve gjyqësore për përfituesit dhe shmangien e proceseve gjyqësore dhe ankimimeve në komisionet rajonale dhe qendrore të ISSH; përfitimin e një pensioni, të paktën sa pensioni social dhe në finale rritjen e mirëqenies së pensionistëve nëpërmjet përfitimit të pensioneve më të larta.

KUSHTET

Njohja si periudhë sigurimi për qytetarët që kanë punuar në ish- kooperativa, respektivisht me ditë, muaj ose vite të plota pune mund t’i njihen vitet e punës, por me kushtin që gjatë periudhës së deklaruar qytetari të vërtetojë që ka qenë me vendbanim në fshat ku ushtronte aktivitetin ishkooperativë bujqësore si dhe nuk ka qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie. Paga referuese për periudhën e sigurimit sipas këtij neni, për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për pension, do të jetë sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.561, datë 12.8.2005 “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”.

Për ish-ndërmarrjet shtetërore, kërkuesi i njohjes së viteve të punës duhet të vërtetojë që ka qenë me vendbanim në fshat ku ushtronte aktivitetin/ ish-ndërmarrja bujqësore si dhe nuk ka qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie. Kërkesat për pensione, në të cilat janë deklaruar periudha punësimi në ish-ndërmarrjet shtetërore, institucione shtetërore, ishndërmarrje bujqësore, ish-kooperativa bujqësore, në detyra/ funksione specifike, llogaritja e të cilave ka efekte më të favorshme në masën e pensionit, se periudhat që njihen me kërkesën e përfituesit ndjekin procedurën sipas legjislacionit në fuqi. Njohja e periudhave të punësimit bëhet: për pensione që nuk janë caktuar deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, pavarësisht datës së plotësimit të moshës për përfitim; për pensione kur kërkuesit i është caktuar pension nga sigurimet shoqërore, përpara datës së hyrjes në fuqi dhe janë në shqyrtim administrativ në Komisionin Rajonal të Ankimit dhe në Komisionin Qendror të Ankimit në ISSH, apo në proces gjykimi në gjykatë, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Brenda tre muajsh, ISSH duhet të miratojë listën e ishkooperativave bujqësore dhe ish-ndërmarrjeve bujqësore sipas vitit të krijimit të tyre me përcaktimin e territorit të ushtrimit të aktivitetit. Periudhat e punësimit të njohura me ligje të veçanta, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, vazhdojnë të njihen të tilla dhe nuk janë objekt trajtimi sipas këtij ligji.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular