Në seancën e sotme parlamentare ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili mori fjalën për të folur për buxhetin e vitit 2025.
Por në nisje të fjalës së tij, Rama dha lajmin se për bonusin e pensionistëve është parashikuar një fond prej 100 mln euro, ndërsa shpjegoi edhe mënyrën si do të shpërndahet.
Sipas tij pensionistët me pension deri në 20 mijë lekë, ose 200 euro do të marrin 150 euro, ndërsa ata mbi 20 mijë lekë, ose mbi 200 euro do të marrin 100 euro.
Rama: Në hyrje të kësaj fjale për projekt buxhetin 2025 dua t’iu përcjell të gjithë pensionistëve të Shqipërisë lajmin e mirë se në ditët në vijim qeveria do të çlirojë një fond prej afro 100 milionë eurosh për bonusin e tyre të fundvitit. Ky bonus i ri do të ndahet në dy shkallë. Të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë, 200 euro do të marrin trefishin e bonusit të deridjeshëm. Të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë do të marrin trefishin e bonusit të deridjeshëm përmes një bonusi të ri prej 150 eurosh. Ndërsa pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë lekë do të marrin dyfishin e bonusit të viteve të mëparshme, përmes një bonusi në masën 100 euro. Ky dallim mes të parëve dhe të dytëve nuk bëhet për t’ju dhënë më pak atyre që kanë pension më të lartë, por për t’u dhënë më shumë atyre që kanë një pension më të ulët.