BallinaEkonomi“Pavarësia e BSH, duhet mbrojtur”- Guvernatori Sejko takim me ekipin e BB:...

“Pavarësia e BSH, duhet mbrojtur”- Guvernatori Sejko takim me ekipin e BB: Anëtarësimi në SEPA garanton shpejtësi në kryerjen e pagesave dhe ulje informaliteti

spot_img
spot_img

Sot (18 nëntor) Guvernatori Sejko priti në takim një ekip të Bankës Botërore (BB), në kuadër të misionit të tyre për Programin e Remitancave dhe Pagesave 2.0, të kryesuar nga Asad Alam, Drejtor Rajonal për Zhvillimin Gjithëpërfshirës, Financat dhe Institucionet për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, i cili shoqërohej nga: Emanuel Salinas, Përfaqësues rezident i BB-së në Shqipëri dhe Richard Record, Menaxher i Departamentit për Zhvillimin Gjithëpërfshirës, Financat dhe Institucionet për Vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në krye të takimit, Guvernatori Sejko prezantoi panoramën ekonomike të vendit, duke u shprehur se ekonomia shqiptare dhe treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar e financiar të saj, janë në një trend pozitiv zhvillimi.

Lidhur me aktivitetin ekonomik, Guvernatori u shpreh se inflacioni është në nivele të ulëta, borxhi publik dhe ai i huaj kanë shënuar rënie, bilancet e sektorit bankar mbeten të shëndetshme, ndërsa kreditimi po shfaq një rritje progresive.

Gjithashtu, Guvernatori diskutoi lidhur me një ndër objektivat strategjikë të Bankës së Shqipërisë, modernizimin e sistemeve të pagesave. Duke u ndalur në zhvillimet e tyre, ai theksoi rëndësinë e dorëzimit të aplikimit për integrim në Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA), dhe përfshirjes dhe edukimit financiar, si çështje kyçe për zhvillimin e Shqipërisë.

DSC_5321_498x332_28942

Ai u ndal te përfitimet kryesore të ekonomisë dhe familjeve shqiptare nga anëtarësimi në SEPA, falë të cilit qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa dhe transferta si të ishin qytetarë të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas. Pra, nga pikëpamja integruese e vendit, anëtarësimi i përshpejtuar në SEPA garanton trajtimin e shtetasve shqiptarë si të barabartë me ata evropianë, duke sjellë për ta kosto më të ulëta dhe shpejtësi më të lartë në kryerjen e pagesave. Një tjetër aspekt pozitiv i tij është edhe ulja e informalitetit si dhe zgjerimi i përfshirjes financiare.

Alam përgëzoi Bankën e Shqipërisë lidhur me menaxhimin me sukses të krizave të viteve të fundit, si pandemia dhe goditja e çmimeve që preku të gjithë rajonin gjatë vitit 2022.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore e vlerësoi politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë si një kontribut të rëndësishëm në ecurinë pozitive të ekonomisë së vendit, duke theksuar se normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare ka ndikuar në reduktimin e inflacionit.

DSC_5506_498x332_28944

Gjithashtu, Alam u ndal në stabilitetin financiar dhe ambientin financiar të vendit, ku theksoi rëndësinë e zgjerimit të kredisë dhe cilësisë së portofolit të saj. Në vijim, ai përgëzoi Bankën e Shqipërisë lidhur me menaxhimin e raportit të kredive me probleme, i cili ka shënuar nivelet minimale të më shumë se një dekade.

Në kuadër të stabilitetit financiar e ekonomik të vendit, z. Alam shtoi se mbrojtja dhe forcimi i pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, gjatë ushtrimit të funksioneve të mandatuara me ligj, mbetet thelbësore në përmbushjen e misionit të saj ligjor për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe atij të çmimeve në vend.

Gjatë takimit, palët ranë dakord që të vijohet më tej me përpjekjet që Banka e Shqipërisë i ka kushtuar përmirësimit të kuadrit rregullativ të sistemit financiar, sidomos në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, në mënyrë që të sigurohet mbrojtje më efikase e interesave të konsumatorëve përballë një tregu në zhvillim të vazhdueshëm.

DSC_5224_498x332_28943

Alam u shpreh se Banka Botërore mbetet e fokusuar dhe do të japë asistencën e saj të plotë lidhur me këtë çështje.

Në mbyllje, Guvernatori Sejko shprehu mirënjohje për Bankën Botërore si partnere e rëndësishme në hartimin dhe zbatimin e këtyre projekteve sfiduese, të cilat kanë si qëllim ndërtimin e një shoqërie financiarisht gjithëpërfshirëse, ku çdo individ ka mundësinë të zhvillohet dhe të realizojë potencialin e tij, si dhe për asistencën teknike të ofruar ndër vite.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular