Nga Behar Gjoka
Shokuar, mbase si në një film monstruoz, nga ndodhia makabër e këtyre ditëve, që ndërkaq zbuloi tmerrin e disa muajve më parë, me dhunime dhe përdhunime, me therje dhe vrasje, të gjithë papërjashtim jemi zënë mat, në rrethakun e pakujdesisë së skajme ndaj fëmijëve. Ndjehemi fajtor si prindër, dhe në fakt jemi, se fëmijën nuk mjafton ta lindësh, ta veshësh dhe ushqesh, duhet të bësh shumë më tepër, në këto rrethana ku gjendemi, për të shpëtuar nga tmerri i rrugës dhe gjithë tmerret e botës. Jemi fajtor, po ashtu si shoqëri, shpresoj të mos ketë fluturuar edhe grami i fundit i vetëdijes se një fëmijë pa fëmijëri, është thellim i pasigurisë nesër, pra është një parakusht për të patur anormalitet të përjetshëm. Me një drejtësi, fajtore jo vetëm për këtë që po ngjet, por mbi të gjitha për faktin e thjeshtë se tashmë është krijuar bindja tek njerëzit, që të bësh drejtësi në këtë hapësirë është një ëndërr, pothuajse e parealizueshme. Me një polici, fajtore pa faj, në shumicën e herëve, që nuk di ku të fus kokën e vetë, nga rreziqet ekstreme, e jo më të parandalojë krimet e shumta. Kur dhunohen fëmijtë, rrjedha e jetës ndërpritet, kur gjendet e rrezikuar fëmijëria, e sotmja dhe e nesërmja, nuk e di se kush shpëton nga faji dhe fajësimi, madje nuk e di se çfarë vlera ka të shpjegosh rrethanat apo teoritë psikologjike dhe sociologjike, të shkaqeve dhe rrethanave qe na sollën deri në këtë gjëmë tmerri. Në këtë gjurulldi fjatorësh, ku mbase fjalët nuk kanë pikën e vlerës, ku qarjet dhe lotët, nuk kthjenë asgjë në vendin e vetë, ku tmerri nuk përshkruhet dot, bëhet thirrje vetëm për pak ndërgjegje, pak më shumë përgjegjësi, pak më tepër vëmendje për të bërë diçka, që të kemi të nesërme, ndrysha nga e sotmja. Asnjë fjalë, e hidhur apo ëmbëloshe, me peshë ose puplore, nuk ka kuptim, kur vrasjet makabër, pushtojnë ditët dhe netët tona, e ne gjallojmë të qetë në këtë anormalitet të parrëfyeshëm. Ka vetëm një arsye që po shkruaj, mbase duket e vogël, por që mjerisht në këtë realitet absurd, ku të ikësh në botën tjetër, duket si puna më e lehtë dhe që nuk kushton, që e vënë në zgrip edhe shkollën shqiptare. Këtyre ditëve, me biseda të dhimbshme, siç po thuhet, për tmerrin e papamë në këtë anë të rruzullit, në një nga shkollat e kryeqytetit, jo në veri apo jug, jo në mal ose kodër, por fare pranë institucioneve shtetërore, shkencore, kulturore, zhvillohet një test, që kishte një pyetje të thjeshtë: A ju fyen mësuesja? Shumica e nxënësve në fletën e bardhë, që nuk kishte emrat e nxënësve, me një konformizëm të habitshëm, ashtu siç jemi konformur pjesa më e madhe e shoqërisë, që madje edhe kur reagojmë, kemi hallin që të rrëmbejmë flamurin e reagimit, e jo të nxisim procesin e domosdoshëm të demokratizimit të jetës tonë, përmes reagimit ndaj padrejtësisë dhe dhunimit, përgjigjen se nuk ka ndodhur asnjëherë që të fyhen nga mësimdhënsja. Mirëpo, dy-tre nxënës, me sa duket të papërfshirë në vorbullën e përshtatjes, kishin guxuar të shkruanin se ka rast kur na fyen. Mësuesja, duke shkelur çdo normë etike, pyet se kush ishte ai që kiashte guxuar të shkruante se ka pasur edhe fyerje? Një vogëlush, i shkollës fillore, ngre dorën dhe thotë isha unë, dhe e shkrova kështu se më ke thënë kokderr… Kaq u desh të pëlcas shamata në shkollë, në familje dhe në rrugë. Pra, kur shkolla, institucioni i specializuar për të drejtat e fëmijëve, për edukimin dhe të nxënit e dijeve, kryen akte që pengojnë zhvillimin qytetar të fëmijëve, çfarë mundet të presësh nga rruga, nga krimi që lëviz i lirë dhe krenar nëpër sheshet dhe autostradat tona të rrezikshme. Kur fëmijët mbeten pa fëmijëri, në këto momente nuk mbetet asgjë për të thënë, nuk kanë vlerë fjalët, veçse të sjellim në mendje shprehjen e Konfucit, që thotë: Më mirë të ndezësh një qiri se sa të shash errësirën… Për t`u kthyer më në fund te humanizmi, e pastaj t`ia vëmë gishtin kokës, të mendojmë për fëmijërinë e fëmijëve tanë, nëse dëshirojmë ardhmërinë.