Report Tv sjell dëshminë e një gruaje e cila shoqëroi 14-vjeçarin pas sherrit me adoleshentët drejt spitalit. Për Report Tv ajo tregon ekskluzivisht se si e gjeti të miturin të shtrirë në tokë me plagë, mbi të cilin ishte një turme njerëzish që i hidhnin raki.
Gruaja e ka marrë djalin në makinë për ta dërguar në spital dhe rrugës thotë se ndesh me ambulancën, së cilës i dha djalin me shenja jete, por Martiim Cami ndërroi jetë në spital.
“Shpirti i nënës, shpirti i mamit, ti u bëre mirë, ia hodhe, kaloi çdo gjë!” Këto janë fjalët që Agetina, gruaja që u ndodh rastësisht në vendin e ngjarjes i tha Martinit 14 vjeç, i cili u godit me thikë në zemër, jo shumë larg nga shkolla “Fan Noli” në Tiranë.
“Unë isha duke blerë mish për biznesin tim dhe dëgjoj ulërima. Kur shoh djali ishte përtokë, i hidhnin raki dhe i mbanin plagën. Askush nuk po vinte ta merrte, as mësues nuk pashë, asnjë. Ishte moment sekondi. Për 3 minuta shpërndava të gjithë turmën, mora djalin kam hipur mbi trotuar kam ecur me shpejtësi për në spital, pashë ambulancën e ndalova. Rrugës djali u përmend. E mora në makinën time dhe nuk po më ndihmonte asnjë, nuk erdhi njeri që të më vinte në makinë shoqërues. Aty më erdhi një djalë që punonte në laborator, i vuri dorën te plaga dhe djalin e përmendëm gjatë rrugës. I thosha shpirti nënës, shpirti mamit ti u bëre mirë, ia hodhe, kaloi çdo gjë. Ai bërtiti.
Rri i qetë i thash se shpëtove, kaloi çdo gjë, erdhëm në spital. Ia dhashë ambulancës dhe këtu erdha të interesohem nëse shpëtoi apo jo se nuk ja di as emrin. Kjo ka ndodhur rreth orës 13:00-13:30. Nxënës kishte plot, qanin ulërinin, njerëz pa fund që nuk dinin çtë bënin. Shpërndava turmën, rrëmbeva djalin, mora dhe një ndihmës dhe vrapova drejt ambulancës. Unë shpejtova më shpejt se ambulanca, kalova mbi trotuare, pengesa dhe arrita deri te ambulanca. E çova djalin gjallë dhe pa pikë gjaku,. Kam makinën dhe s’ka asnjë njollë gjaku. Atletet e çunit ndodhen në makinë time”, tregon ajo për Report Tv.