Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, analizoi për Tv Klan, humbjen e kuqezinjve ndaj Ukrainës.
Silvinjo tha se problemi i ekipit është që pëson gola të shpejtë dhe kjo duhet përmirësuar. Sipas tij, nëse Shqipëria do të ishte në një grup tjetër, mund të kishte shkuar më tej.
“Pjesa e parë nuk ishte si e dyta, sepse pësuam golin e parë në minutën e katërt dhe të dytin në të nëntën. Kjo të vret. Nuk duhet të pësohen gola kaq herët. Ka ndodhur edhe me Italinë, Çekinë dhe Kroacinë. Kjo është diçka që duhet të përmirësohemi. Ishte grup i vështirë. Nëse luan futboll më të ulët, është më e lehtë për të kthyer ndeshjen, ndërsa në këtë nivel bëhet më e vështirë.
Duhet të përmirësohemi të gjithë së bashku. Kemi fituar të gjithë bashkë dhe sot kemi humbur të gjithë bashkë. Vitin e kaluar u kualifikuam në Europian, si të parët, diçka që nuk kishte ndodhur. Ndoshta në një grup tjetër, mund të kishim kaluar më tej. Marrim përgjegjësinë të gjithë për atë që ka ndodhur.”
Sipas Silvinjos, është shumë e vështirë që të përmbysësh rezultatin ndaj një kundërshtari si Ukraina. Tekniku kuqezi deklaroi se skuadra duhet të përmirësohet, për objektivin e radhës, që është kualifikimi në Botëror.
“Nuk mund të bënim zëvendësime që në 15 minutat e para. Në pjesën e dytë bëmë zëvendësimet e duhura. Të përmbysësh rezultatin në ndeshje të tillë, është shumë e vështirë ndaj një kundërshtari si Ukraina.
Duhet të përmirësohemi nëse duam të ecim përpara. Kemi një objektiv të rëndësishëm, siç është kualifikimi në Botëror. Nuk është e lejuar që të pësosh gola kaq herët. Nëse do të kishim qenë në një grup tjetër, me 7 pikë, mund të ishim në një pozicion më të mirë”, deklaroi Silvinjo.
Me këtë humbje, Shqipëria zbriti në Ligën C, pasi e mbylli e fundit në grup.