Qeveria amerikane njohu të martën kandidatin e opozitës, Edmundo Gonzalez, si fitues të zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë. Presidenti Nicolas Maduro pretendon se është fitues i zgjedhjeve të kontestuara të mbajtura në muajin korrik.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e njohu zotin Gonzales si fitues të zgjedhjeve presidenciale përmes një shkrimi në rrjetin X, ndërsa bëri thirrje për respektimin e vullnetit të popullit të Venezuelës.
Administrata e Presidentit Joe Biden ishte shprehur më parë se zoti Gonzales kishte fituar shumicën e votave në zgjedhjet e debatueshme të 28 korrikut, por nuk ishte shprehur për njohjen e tij si president i sapozgjedhur.
Këshilli Kombëtar Zgjedhor i Venezuelës, i drejtuar nga njerëz besnikë të zotit Maduro, e kishte shpallur presidentin si fitues të zgjedhjeve vetëm pak orë pas mbylljes së qendrave të votimit. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme presidenciale, autoritetet zgjedhore nuk dhanë detaje për numërimin e votave.
Por koalicioni opozitar i mblodhi të dhënat nga 80% e makinave elektronike të votimit të mbarë vendin dhe i postoi ato në internet. Zoti González dhe udhëheqësja e opozitës, Maria Corina Machado, thanë se të dhënat treguan se ish diplomati i fitoi zgjedhjet me dy herë më shumë vota se Presidenti Maduro.
“Ne e vlerësojmë thellësisht njohjen e vullnetit sovran të të gjithë venezuelianëve”, tha zoti González në një postim në rrjetin X menjëherë pas deklaratës së Sekretarit Blinken të martën. “Ky gjest nderon dëshirën për ndryshim të popullit tonë dhe arritjen qytetare që bëmë së bashku më 28 korrik”.
Zoti González u largua nga Venezuela në muajin shtator për të mërguar në Spanjë pas lëshimit të një urdhër arresti në lidhje me një hetim mbi publikimin e të dhënave nga qendrat e votimit. Zyra e shtypit të qeverisë së Venezuelës nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Presidenti Maduro dhe autoritetet zgjedhore kanë refuzuar thirrjet e përsëritura nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kolumbia, Brazili dhe vende të tjera për të publikuar të dhënat e detajuara të votave që mbështesin rizgjedhjen e presidentit.
Kritikat e ashpra pas zgjedhjeve për mungesën e transparencës bënë që Presidenti Maduro t’i kërkonte Gjykatës së Lartë të Venezuelës, anëtarët e së cilës janë në linjë me partinë në pushtet, që të shqyrtonte rezultatet. Gjykata e Lartë konfirmoi fitoren e tij.
Ekspertë të Kombeve të Bashkuara dhe Qendrës Carter me seli në Shtetet e Bashkuara, që vëzhguan zgjedhjet me ftesë të qeverisë së zotit Maduro, dolën në përfundimin se rezultatet e shpallura nga autoritetet zgjedhore nuk ishin të besueshme. Mandati i ardhshëm presidencial në Venezuelë fillon më 10 janar./VOA