Basha: Parlamenti ka skaduar, është një mbledhje e zgjeruar e PS dhe e fraksioneve të saj në vazhdim të allishverisheve të dinozaurve të tranzicionit. Qytetarët mezi presin fundin e tij
Në prononcimin për mediat pas takimit me Presidentin Bajram Begaj, kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, u shpreh se grupimi që ai drejton do të jetë alternativë në zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë. Ai theksoi rëndësinë e garantimit të votës së lirë dhe të paprekur nga manipulimet, duke shtuar se shqiptarët meritojnë një qeveri që i shërben atyre dhe jo interesave të ngushta politike.
I pyetur për mungesën e tij në diskutimet për buxhetin, Basha tha se Parlamenti aktual ka rënë dhe është kthyer në një mbledhje të zgjeruar të Partisë Socialiste dhe fraksioneve të saj. Ai shtoi se qytetarët janë të bindur për nevojën e një ndryshimi të këtij realiteti të politizuar.
Prononcimi për mediat i kryetarit të Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha
Pyetje: Me një parti të re zoti Basha?
Lulzim Basha: Me shpresën që Gjykata e Lartë do të marrë vendimin e duhur, por me përgatitjen për të pamundësuar çdo skenar të mos përfaqësimit të Demokratëve Euroatlantikë në zgjedhjet e ardhshme.
Pyetje: Pra me një parti të re?
Lulzim Basha: Me shpresën që Gjykata e Lartë do të japë pa vonesë vendimin e duhur, por në çdo rast me demokratët euroatlantikë në zgjedhje, me kandidatët tanë, me programin tonë dhe me aleancën tonë.
Pyetje: Zoti Basha, me çfarë cilësie jeni ftuar sot ju në takim me Presidentin?
Lulzim Basha: Jam ftuar në cilësinë e dikujt që jo vetëm përfaqëson një vullnet politik të tjetërsuar në mënyrë antiligjore nga vendimi i Gjykatës së Apelit, por edhe si dikush që çdo minutë të shërbimit të vet publik e ka shpenzuar dhe do ta shpenzojë në dobi të qytetarëve dhe jo për llogaritë e veta.
Pyetje: Vitin e shkuar kur u diskutua buxheti dhe opozita bojkotoi Parlamentin, ju e kritikuat sepse nuk ju dhanë mundësi të flisnit. Ndërkohë ju kishit mundësi të flisnit, por nuk ishit. Pse nuk ishit?
Lulzim Basha: Ai Parlament ka skaduar, siç ua kam thënë herën e fundit. Nuk ka më Parlament aty, është një mbledhje e zgjeruar e Partisë Socialiste dhe e fraksioneve të saj. Çfarë kemi për të thënë, e kemi thënë me forma dhe mënyra të tjera. Jam i bindur se i përkas një shumice absolute të qytetarëve shqiptarë që mezi presin ta përcjellin këtë pseudo-parlament, që në fakt është një vazhdim i allishverisheve të dinozaurve të tranzicionit me njëri-tjetrin.
Pyetje: Dhe nuk na e thatë, kur dëshironi që të mbahen zgjedhjet?
Lulzim Basha: Nuk është çështje dëshire, është përcaktuar në Kodin Zgjedhor, një nga ato 4 fundjava. Të rëndësishme janë standardet. E rëndësishme është që shqiptarëve t’u garantohet se vota e tyre nuk do të manipulohet, trysnohet, blihet apo shitet. Ata duhet të jenë në gjendje të votojnë lirisht pas 34 vitesh nga rënia e diktaturës, për të ikur nga një diktaturë e re e korrupsionit dhe për të votuar lirisht qeverinë që duan dhe meritojnë.
Pyetje: Ju nuk patët asnjë propozim nga këto 4 data, zoti Basha?
Lulzim Basha: Diskutimi im u fokusua tërësisht tek standardet zgjedhore, tek problematikat e evidentuara në zgjedhjet e kaluara, tek problemi fatkeq i bashkëpunimit të qeverisë aktuale me një pjesë të opozitës për të dëmtuar më tej këto standarde. Vendosmëria jonë është për të bërë gjithçka për të mos lejuar që një grusht politikanësh të emëruar t’i mbivendosen vullnetit të qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.